Regjisori amerikan vjen me motive të folklorit dhe mitologjisë shqiptare
Shfaqja “Nata e Dymbëdhjetë” e William Shekspir u shfaq suksesshëm për publikun kryeqytetas në Teatrin “Metropol” nga regjisori amerikan Justin Anderson.
Shfaqja erdhi nën interpretimin e aktorëve Met Xhelili, Rozi Kostani, Neritan Licaj, Armela Demaj, Florian Agalliu, Elona Hyseni, Guri Koco,Erin Kujofska, Erjon Hodo, Kastriot Ramollari, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Shkëlzen Berisha, Silvio Goskova e Parashqevi Hallkaj.
Regjisori u shpreh për shfaqjen në një konferencë për shtyp se, “për këtë shfaqje më janë dashur të kem 8 vjet bashkëpunime. E kam konceptuar si një komedi, që të bënte sens në bashkëpunimin midis dy kulturave amerikane dhe shqiptare. Unë isha i vetëdijshëm që shfaqja të mbetej pjesë e vendit ku do të luhej, pjesë e kulturës së Shqipërisë”, tha Justin Anderson.
Përmes kësaj komedie regjisori Anderson ka rrëfyer se subjekti kulturor shqiptar është bërë shumë familjar për të. E mbushur me këngë, me valle e folklor, komedia sipas regjisorit bëhet me motivin e shpjegimit të historisë me folkorin e mitologjinë.
Ngjarjet e kësaj komedie, cilësuar nga pjesa më e madhe e studiuesve si më e mira, ndodhin në Ilirinë e kohërave të hershme, Shqipëria e sotme dhe besohet se ai e shkroi rreth vitit 1601. Në mbretërinë e Ilirisë, një fisnik i quajtur Orsino endet duke dëgjuar muzikë, sepse i mungon dashuria e Olivias, një vajzë e bukur të cilën ai nuk mund ta ketë sepse ajo është në zi për vëllain e saj të vdekur dhe nuk pranon asnjë propozim martese. Ndërkohë, në det, një stuhi e tmerrshme ka shkaktuar mbytjen e një anije… Mjafton ky fillim ngjarje për të ndërthurur me mjeshtëri shumë personazhe plot ngjyra të gjalla në situata mbi dashurinë e pashpërblyer, thyerjen e zemrave, por edhe gëzimin që vjen prej tyre në Ilirinë e dikurshme.
Teatri Metropol dhe regjisori amerikan Justin Anderson e kanë sjellë veprën në një tjetër kohë, në Shqipërinë e viteve 1800, koha e Lord Bajron, Ali Pashës dhe fotografëve Marubi duke ndërthurur elementë autentikë të kohës dhe vendit ku ndodhin ngjarjet si në muzikë e kostume. Shfaqja do të vazhdojë për publikun në 7, 8, 9, 10 dhjetor e do të vijojë sërish në datat, 14, 15, 16 e 17 dhjetor në Teatrin Metropol. /a.g/