Rekuiem patetik për një dashuri që po vdes
Nga Leonard VEIZI
Në reanimacionin e fantazisë njerëzore
Në libraritë e kryeqytetit askush nuk kërkon më libra të shkrimtarëve shqiptar. Në ato të rretheve situata është edhe më keq se kaq. Ndërsa në bibliotekat e lagjeve moshat e treta pushojnë në ajrin e kondicionuar duke i hedhur një sy shtrembër titujve kryesorë të shtypit.
Letërsia shqiptare është asfiksuar…
…Ajo po vdes. Pak oksigjen në hundë, një serum venoze dhe ndonjë goditje 220 volt me defribilator mund të vazhdojnë ta kenë nën kontroll gjendjen e komës, por kjo është asgjë krahasimisht me misionin që letërsia ka në përballje me përçudnimet e kohës dhe transmetimin e mesazheve të reja.
Sot letërsia shqiptare po përpëlitet në shtratin e vdekjes…
…Nuk jam unë ai që bëj statistikat e të dal në konkluzionin se përse nuk funksionon kjo gjë: A është letërsia me probleme, a janë shkrimtarët me probleme apo janë shqiptarët me probleme: A duhet të ndërhyjë shteti apo Organizatat Jo Fitimprurëse për të rregulluar bilancin: Është faji i librarëve apo i rrjetit të shpërndarjes? Dhe nuk është se po vendosim pikën mbi “i” se, fjala vjen problemi ka të bëjë me menaxhimin e librit, e kemi zgjidhur ekuacionin. Ai është më i thellë se kaq dhe më i vështirë për t’u riparuar. Ndaj mëkatet e të gjitha këtyre bashkë, përbëjnë një përqindje të vogël krahasimisht me atë që është “Thembra e Akilit” në braktisjen e librit në tërësi.
Në rastin konkret unë thjesht konstatoj. Pyes librarët, botuesit, shpërndarësit, vetë shkrimtarët. Të gjithë kanë një emërues të përbashkët: Letërsia shqipe po merr fund.
Prodho sa të duash, mbaji librat stoqe në magazinë ose në shtëpi, se libraritë nuk t’i marrin më. Dhe më thelbësorja është që libri nuk shkon tek lexuesi, edhe pse prodhimi mund të jetë i “mbarë”, edhe pse kritika e mbetur arrin të të thotë ca fjalë me bereqet.
Dhe nëse libri nuk shkon tek lexuesi ai mbetet thjesht një suvenir në etazherin tënd personal.
Njerëzit nuk kanë më interes të dukshëm për librin. Sidomos për atë artistik. Ndërsa shkrimtaret kanë mbetur si jetimë, të cilët për të treguar se vazhdojnë të jenë gjallë e po shkruajnë veprat më të mëdha të karrierës së tyre, vërtiten nëpër panaire dhe takime letrare provincash, ku herë pas here jepen dhe çmime qesharake.
Letërsia shqiptare po vdes…
…Sinjalet janë dhënë prej kohësh, por veç në debate tavolinash televizive. E në këtë mori alarmesh pa zë pakkujt i bëhet vonë për të. Masës së gjerë popullore jo e jo, sepse ata e kanë zëvendësuar shumë shpejt librin-letër me celularin që në krye të ekranit ka të shkarkuar lojën solitare. Dhe në rastin më të mirë koha e kulturës masive ndahet në parjen e telenovelave, o latine, ose ato që janë importuar nga orienti. Por ora e leximit po del çdo ditë e më tepër nga qarkullimi. Në kushtet e reja, ku shpresa mbet e fundit për të vdekur, ndoshta dhe vetë krijuesve të cilët janë pa rrugë shpëtimi, nuk po u bëhet vonë.
Te e fundit letërsia mbetet një ambicie e pakkujt.
Prej 40 vjetësh jam rrekur të fitoja titullin “shkrimtar”, ashtu si ushtarakët yjet mbi spaleta. Jam gdhirë e ngrysur çdo ditë duke menduar për letërsinë dhe për të kam sakrifikuar atë që cilësohet si “buka e përditshme”. E kam ndarë kohën e punës time me lajmet që i duheshin redaksisë dhe me personazhet që më kishin zënë prej xhakete. Sot jam krejt i zhgënjyer dhe në një dilemë të madhe ende të pazgjidhshme.
Jam i zhgënjyer dhe i dëshpëruar gjithashtu, sepse shoh se si po rrënohet pak nga pak, ëndrra ime e kahershme e krejt intime. Se si volumi i madh i punës, ditën dhe natën, kohë e pa kohë, tanimë mund të cilësohet si thjesht abstrakte e aspak konkrete. Kush e kuptoi këtë, doli shpejt nga skema; bëri një a dy libra, u krekos lartë e poshtë se i kishte vendosur mbi supe spaletat e shkrimtarit dhe pastaj iu përvesh punëve me “llaç e tulla”. Mua nuk më pëlqen të merrem me ndërtime e të bëj para me thasë nga punët informale. Ja që jam formatuar ndryshe dhe për shansin tim nuk jam i vetmi. Dua të vazhdoj të ndjek ëndrrën time: të shkruaj tregime, novela e ndonjë roman nëse më fanepset, dhe pse e di mirë që e drejta e autorit, trashëgimia që do le pas, është një zero me xhufkë, apo thënë ndryshe e në mënyrë disi më delikate; një zero absolute.
Letërsia shqiptare është në reanimacion, rrethuar nga aparaturat që masin pulsin e tensionin, dhe me serumin që pikon ngadalë. Dhe e gjitha kjo me qëllim që ajo të mbetet në jetë.
Për mbiekzistencën e saj padyshim është folur dhe herë të tjera, të paktën që prej vitit 1508 kur Marin Barleti shkroi Historinë e Skënderbeut, një libër i pashembullt ku historia dhe letërsia u bënë njësh. Por këtë herë ekzistenca e letërsisë shqipe po vihet në pikëpyetje në rrethana krejt të tjera. Janë vetë lexuesit shqiptarë që e kanë anatemuar atë, pak nga pak, kohë pas kohe, gjë që do ta çonte padyshim në shtratin e reanimacionit kardiak.
Vite më parë, në adoleshencën time të hershme, por dhe më vonë se aq, më dukej shumë e madhe fjala “shkrimtar”. Kisha zbuluar Balzakun, Tolstoin, Servantesin por dhe Kadarenë, e si qershia mbi tortë kisha zbuluar Shekspirin gjithashtu. Ishte koha kur letërsia vazhdonte të mbretëronte dhe bota e librit në tërësi cilësohej si magjike. Ndaj vendosa ta sfidoja, duke kuptuar njëkohësisht se mes disa talenteve që tentonin të ngrinin krye, ai i letërsisë së krijuar nga vetvetja ishte më kryepërpjetë. Padyshim ishte një sfidë e madhe. Madje një marrëzi, do të thosha, kur llogarisja se në botën letrare ishte ngritur një mal gjigant prej emrash po aq të mëdhenj, ndërsa në kohët moderne të teknologjisë aktive, bota vazhdonte të prodhonte me mijëra shkrimtarë, si në një fabrikë ku prodhohen sendet e konsumit të gjerë.
Aso kohe për mua të bëheshe shkrimtar ishte si të merrje një gradë më e madhe se ajo e një Komandanti Divizioni, se e Shefit të Shtabit të Ushtrisë, madje më e madhe dhe se ajo që mbante Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Mund të kishte disa dhjetëra mijë ushtarët të armatosur nën vete por mund të mos e kishe forcën e një libri të vetëm. Të ishe shkrimtar, do të thoshte të ishe gjithçka, të vetmit që i lejohet të fantazonte të pamundshmen, të flirtonte me Zotin a të bënte shaka me të, qoftë edhe pa kripë.
Sot është qesharake të thuash se je shkrimtar. Akoma më qesharake është të thuash se je poet e thur vargje. Do ishte shumë më i nderuar që në një tavolinë shtruar me sushi turlilloj e shoqëruar me “Verdo Petit“, të prezantoheshe qoftë dhe si një spaciator i rëndomtë e pa përvojë, i cili në tentativën e pashembullt për të mbledhur aq lek sa bën një Range Rover Velar, u përplas me një patrullë policie e bëri ca kohë burg burrash. Por kurrsesi të prezantohesh si një shkrimtar, sepse si në kuadrin e përgjithshëm ashtu dhe në planin personal do të konsideroheshe si një dede i papunë dhe do të shiheshe krejtësisht i tepërt në tavolinën elegante plot sharm francez, ku peshku i frigoriferit shoqërohet me verë që mban etiketën falso.
Një writer nuk mund të jetë një profesion në krye të klasifikimit. Sepse një writer nuk fiton më asnjë. Nuk është më si dikur.
Këtë lloj lavdie kërkonte vite më parë Martin Iden, ky personazh emblematik i Xhek Londonit, i cili la punët e rëndomta për t’u bërë një shkrimtar elite. Me siguri këtë kërkonim dhe ne, në pamundësi të mosrendjes drejt ekspeditave që gërmonin për ar e gurë të çmuar.
Sot kohët kanë ndryshuar. Dhe ato ndryshojnë vazhdimisht.
Mijëvjeçari i ri dhe zhvillimi i pabesë teknologjik na tregoi se kishim ëndërruar edhe më keq se eksploratorët që kërkonin ar duke situr rërën e lumenjve.
Sot jemi në ditët e këqija tek shohim se si letërsia shqipe po jep shpirt. Në reanimacion të japin oksigjen dhe një serum energjik. Po kjo është krejt e pamjaftueshme.
“Gjithmonë është lexuar, madje dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore”, më thotë një mik e koleg teksa së bashku ndjekim përtej xhamit të reanimacionit trupin e brishtë të romanit klasik të qëndrojë në një koma moderne. Por nuk është njëlloj. Nëse në Luftën e Dytë përdorej si armë e shkatërrimit në masë një automatik “Sturmgewehr 44”, një “Thompson” apo një “AK- 47”, sot nuk ka nevojë as për raketa balistike “Minuteman III”. Një “Aple” apo një “Samsung” me ekran “Infinity” e kanë shkatërruar gjithë sistemin.
Lexuesit po humbasin dita ditës. Ata nuk vijnë më në librari dhe po t’u bësh oferta krahasuese. Kjo është e vërteta, dhe është e kotë të mundohesh të arsyetosh për të kundërtën.
Tanimë, në bilancin që i bëj vetes, me disa libra të botuar e një tufë synopse që vegjetojnë në harddisk, them se po ta kisha parashikuar 35 vite me parë se letërsia do të ishte me një këmbë në varr, do të kisha ndalur se shkruari poezi, dhe do t’i isha futur me kokë matematikës së aplikuar. Por meqenëse nuk parashikoj dot as sa një sinoptikan motin në tre ditët e ardhshme, në udhëkryqin e parë të jetës mora rrugën që 35 vite më pas do të më nxirrte në një tjetër kryqëzim të madh. Por atëherë naiv i pandreqshëm kisha një mendim krejt tjetër për Universin dhe Tokën që vërtitej rreth Diellit, duke menduar se të gjithë ne vdisnim, edhe vetë sistemi ynë planetar, por letërsia jo.
Letërsia shqiptare është në ngërç…
…Në një ngërç të pabesueshëm. Askush nuk e kërkon në treg. Nuk i kërkojnë më as shkrimtarët me pretendimin e rremë se kanë shitur nga 20 a 30 mijë kopje për titull. Dhe ky pretendim qesharak mediatizohej e bëhej tërkuz pikërisht në Shqipëri, ku dhe Bibla falas nuk është prodhuar dot me të tilla tirazhe.
Letërsia shqiptare është në buzë të humnerës…
…Vetëm se çmimet jepen, herë të qëna e herë fare pa kuptim, e ku eventet më të rëndësishme letrare jo rrallë dominohen nga njerëz pa histori.
Por meqenëse letërsia për fat të keq nuk është si matematika ku 2 + 2 = 4 dhe s’ka më diskutim, mund të fabrikosh nën idenë e një estetike që në mendjen e secilit prej nesh vjen e ndryshme. E në këtë kuadër juritë me argumentimin e tyre duket sikur thonë: Po ia japim çmimin këtij idiotit se na duket i mençur. E po të vazhdojmë me këto argumente nuk mbarojmë. Sepse vërtet ka nga ata që e blejnë librin dhe e lexojnë atë, por ata janë në minorancë të skajshme. Më pas vjen pjesa tjetër që me të drejtën e tyre nuk e kthejnë kokën fare nga libraria. Dhe këtyre u shtrëngoj dorën, sinqerisht. Por ka nga ata që ua dhuron një libër se të vijnë rreth e rrotull me elozhe, por që as e marrin mundimin ta lexojnë. Dhe nuk është fare çudi të thonë poshtë e lart shprehjen standarte në ksi rastesh: Pse budallallëqet e këtij trapit do lexoj. Ndërkohë që më të sinjifikativët e kësaj historie absurde janë snobët e pashembullt, ata që ta kërkojnë me insistim një kopje, por që dhe nëse i takon pas një viti, të thonë pa turp se ende nuk e kanë hapur faqen e parë të librit.
Këto janë vetëm disa prej shkaqeve vulgarë që e ka çuar letërsinë drejt humnerës. Por gjithsesi është fort zhgënjyese dhe kaq.
Në Shqipëri letërsia po vdes…
…Lexuesit janë të paktë dhe ata përditë e më shumë zhduken në një tërësi amorfe e krejt vicioze. Ndërkaq shkrimtarët shkruajnë, por nuk dihet për kë… Ndërsa unë jam në dilemën më të madhe të deritanishme: Çfarë duhet të bëj me letërsinë time…?