Revolta e Getos së Varshavës, Willy Brandt dhe ndjesa publike në foton e Sven Simonit

Nga: Qerim Vrioni

Në librin “Photos that changed the world, Prestel, 2016” (“Foto që ndryshuan botën, Prestel, 2016”), në faqen 136 gjendet edhe fotoja që paraqet Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Willy Brandt (1913-1992), ulur në gjunjë para një monumenti e një kurore. Kjo foto është e fotografit Sven Simonit dhe është realizuar më 12 dhjetor 1970 në Varshavë. Monumenti në fjalë u kushtohet kryengritësve polakë me origjinë hebreje të vrarë mizorisht nga nazistët gjermanë në revoltën e Getos së Varshavës në periudhën prill-maj 1943.

Siç dallohet edhe në foto, nga të dy anët e Kancelarit gjerman kishte shumë fotografë, gazetarë dhe kameramanë, për të pasqyruar në mjetet e tyre ngjarjen. Sigurisht ata kanë lënë me qindra foto, shumë video dhe mjaft faqe të shkruara mbi ngjarjen. Për albumin e tyre me shkrepjet nga të gjitha kohët, prej mesit të shekullit XIX e deri në ditët tona, por me ndikim të madh në histori, redaktorët e “Prestel”-it zgjodhën këtë foto ku ajo rri fortë mirë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në kurorën para Monumentit shkruhej se ajo vendosej në emër shtetit dhe të popullit gjerman si ndjesë dhe nderim për polakët e vrarë nga nazistët gjermanë gjatë ngjarjeve në Geton e Varshavës. Pra, kurora nderonte kësisoj veprën e kryengritësve, rreth 27 vite pasi kishte ndodhur ploja. Gjatë këtyre viteve në Gjermani ishte zhvilluar Gjyqi i njohur Ndërkombëtar i Nurenbergut (1945-46), që dënoi shumë udhëheqës të Vermahtit me dënime kapitale; ishin miratuar disa ligje për denazifikimin e vendit; shfaqja e portretit dhe mbajtja e veprës “Mein Kampf” të Hitlerit ishin të ndaluara dhe të dënueshme. Qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kryengritja e Varshavës e pranverës 1943 është përmendur mjaft në shtyp, janë shkruar libra artistikë e historikë, si dhe xhiruar filma, por ndjesë publike nga pasardhës (si kombësi) të nazistëve gjermanë nuk kish kërkuar kush. Kërkimi i faljes nga ana e fajtorëve drejtuar viktimave (gjallë ose të vdekur), kurdoherë përbën një hap njerëzor, i cili parashihet edhe nga të gjitha besimet fetare qysh në kohët më të lashta.

Swiss Digital Mobile Reklama

Natyrshëm lind pyetja: i ra shorti apo zgjodhi rastin kancelari Brandt për këtë? Para se t’i jepet përgjigje pyetjes, i hedhim fare shkurt një sy të shkuarës së tij. Në vitin 1933, kur Hitleri mori me dhunë pushtetin, Brandt (atë kohë 20-vjeçar), si kundërshtim i masave shtypëse të nazistëve dhe terrorit që po fillonte në Gjermani, u arratis në Norvegji pasi kishte lënë edhe nënshtetësinë gjermane. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u kthye në atdheun e tij dhe filloi të merrej me politikë si njeri me parime të forta, sidomos morale. Kështu, rreth vitit 1960 u zgjodh kryetar i Bashkisë së Berlinit Perëndimor dhe emri i tij kujtohet, ndër të tjera, edhe për refuzimin publik të kërkesës së Hrushovit për takim, si reagim për ngritjen e Murit të Berlinit.

Më vonë, politika e Brandtit ndaj Lindjes (Ostpolitik) u moderua dhe kur u zgjodh Kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë, mendonte dhe vepronte për zbutjen e tensioneve midis dy blloqeve, duke krijuar raporte të reja me Bashkimin Sovjetik, Çekosllovakinë e Poloninë. Gjithashtu, nisi afrimin me Republikën Demokratike Gjermane, kur në vitin 1970, takoi kryeministrin e saj, Willi Stoph. Po ashtu, duhet përmendur se në tetor 1970, Brandt ishte nderuar me Çmimin Nobel për Paqe kryesisht për “Ostpolitikën”. Kështu, nuk mund të thuhet as se i ra shorti apo se ishte rastësi gjesti i tij atë ditë në Varshavë.

Vendosja e kurorës në emër të shtetit gjerman (perëndimor) në Monumentin e dëshmorëve të revoltës së Varshavës, ishte e planifikuar, pra zyrtare e ceremoniale dhe kishte ngjallur pritshmëri të jashtëzakonshme në mediat gjermane, polake dhe të huaja. Natyrisht, mendohet se vendimi nuk ka kaluar fare lehtësisht nga administrata gjermano-perëndimore. Ndoshta një nga arsyet ishte se këtë duhet ta kishte bërë më herët Qeveria e Republikës Demokratike Gjermane edhe për hir të miqësisë me Poloninë, si dy shtete socialiste që ishin. Sidoqoftë, gjunjëzimi i historik i Brandtit u shoqërua edhe me shpërfaqjen e disa kritikave në shtypin gjermano-perëndimor. Veçse, pjesa tjetër e shtypit botëror, që ishte shumë më e madhe, por edhe burra shtetit e duartrokitën nxehtësisht veprimin e nobelistit. S’kishte si ndodhte ndryshe, gjesti i tij përcillte kumte të pastra humanizmi, që i duheshin shumë të gjithë botës ato kohë.

Protokolli i përbashkët zyrtar gjermano-polak, sigurisht e kishte parashikuar qartë: vendosje kurore dhe nderim para monumentit me një ulje të lehtë të kokës, por ndodhi shumë ndryshe. Kancelari u gjunjëzua, që përbën një shkallë të lartë të pranimit të fajit dhe të kërkimit të faljes. Siç u shkrua më vonë në shtyp, Brandt ka thënë me një farë sinqeriteti, se në ato çaste “nuk më mbajtën gjunjët”. Si duket, dobësinë e tyre e shkaktonte historia e fillimit dhe shtypjes së revoltës së Getos së Varshavës, që me shumë gjasa i ka kaluar para syve Kancelarit të fortë dhe vizionar gjerman, si një film me xhirim të shpejt.

Ndoshta niveli i lartë ekonomik sot i Gjermanisë, pas shkatërrimit të plotë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka ardhur edhe si pasojë e nivelit të lartë moral të udhëheqësve të saj, si p.sh. Brandtit. Ndjesën publike ai e bëri në emër të së ardhmes, madje jo vetëm të dy popujve. E, këtë mësim të madh edukativ e njerëzor nga historia e shekullit të kaluar, e pasqyron mirë e bukur edhe kjo foto shtypi e realizuar në Varshavë, më 12 dhjetor 1970.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?