Rhodesi dhe njerëzit e tij mikpritës

Nga Alfred Papuçiu –

Isha në Rhodes të Greqisë, për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Kisha dalë në qytet, pas dy ditëve pa ndërprerë mbledhje në sallat e një hoteli luksoz. Shihja atë qytet të bukur, buzë detit, me ato ndërtesa karakteristike, me ato dyqane mbushur plot me kujtime për turistët, si dhe me njerëz të qetë që të përshëndesnin me kokë, megjithëse nuk i njihje. Në duar kisha disa sende që i kisha marrë si kujtim për njerëzit e mij të afërm e sidomos për djalin e vajzën time që u pëlqejnë t’u shpiesh diçka nga vendet ku unë vizitoj herë pas here.
Një natë më parë kishim qëndruar deri vonë, në taracën e hotelit, në pritjen e organizuar nga miqtë vendas për nderin tonë. Hëngrëm gjellët karakteristike greke dhe pimë uzon greke, si edhe dëgjuam e kënduam me kënaqësi nën tingujt e “buzuqit” grek.
Po prisja autobuzin të më shpinte në hotel, por isha tepër vonë. Nuk e di por koha kaloi shpejt në ato dyqane karakteristike të Rodesit, si edhe në vizitën e shkurtër të qytetit të bukur dhe me natyrë çlodhëse…Në atë kohë dikush më afrohet. Ishte një banor i Rhodesit, i cili e kishte vënë re që shihja herë pas here orën dhe më tha me një anglishte të pastër : “ Zotëri, a mund t’u ndihmoj me diçka ”.
E pashë që ishte me motoçikletë dhe ju përgjigja : “Duhet të shkoj sa më parë në hotel se fillon mbledhja, por autobuzi nuk po duket ”.
– Mos u shqetëso, më tha, të çoj unë për 10 minuta .
Hypa prapa në motor dhe pas pak mbritëm. Desha t’i jepja diçka thjesht për falenderim për mirësjelljen e tij. Nuk pranoi. Vetëm më tha : “ E kam për nder të ndihmoj një vizitor të huaj që e ka pëlqyer qytetin tim dhe ka ardhur disa ditë këtu ”.
Një ndjenjë e pastër e një njeriu të thjeshtë të një qyteti që në sajë të bukurive të tij, por edhe të qetësisë, të ndihmës që të japin vendasit, tërheq pa pushim me mijra vizitorë të huaj…Me kujtohen në këto çaste, Hasan Barmeta, Jorida dhe Roel Zoga që presin me aq respekt turistët e vendeve të ndryshme në hotelin e tyre « Kamomil » pranë Shkëmbit të Kavajës në Durrës, si dhe Erlind Llupo dhe bashkëshortja e tij, tek Inn Hotel po tek Shkëmbi i Kavajës, ku përveç pritjes së këndëshme, ta ka enda të hash ushqimet e përgatitura, si dhe të pish kafen ekspres, sëbashku me Erlindin gjithmonë me buzë në gaz dhe mikpritës. E njëjta ndjenjë shprehet edhe tek mikpritja në Prizren apo tek Hoteli familjar atje. Të shpresojmë se edhe këtë vit, me përgatitjet që po bëjnë miqtë tanë të përkushtuar, pas pasojave të tërmetit, të vijnë përsëri, si më parë, turistë nga vende të ndryshme, jo vetëm nga Kosova, Zvicra, Franca, Maqedonia e Veriut, Suedia, Italia, Gjermania, por edhe nga vende të tjera të botës.

SHKARKO APP