Rifat Teqja, një ndër kolosës e dirigjimit shqiptar, mjeshtri që vulosi historinë e Teatrit të Operas dhe Baletit

Rifat Teqja, një ndër kolosës e dirigjimit shqiptar, mjeshtri që vulosi historinë e Teatrit të Operas dhe Baletit _Albert Vataj
Rifat Teqja, një ndër kolosës e dirigjimit shqiptar, mjeshtri që vulosi historinë e Teatrit të Operas dhe Baletit _Albert Vataj

Nga Albert Vataj
Mbi katër dekada me baketën në dorë, qindra koncerte, dhjetëra opera e balete, një jetë e tërë e lidhur ngushtë me muzikën, kjo është trashëgimia e Rifat Teqjas, “Artistit të Popullit”, dirigjentit që vulosi historinë e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të kulturës muzikore shqiptare.
Rifat Teqja u lind më 2 shtator 1928 në Peqin, qytet që do të ruante gjithnjë krenarinë e birit të tij më të shquar. Hapat e parë në muzikë i hodhi në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, të cilin e përfundoi më 1951. Qysh në bankat e shkollës, ai spikati si drejtues i grupit muzikor dhe si talent që premtonte shumë. Pas një përvoje të shkurtër si pedagog muzike dhe organizator i aktiviteteve artistike në Kuçovë, ai u thirr në ushtri, por pas dhjetë muajsh iu dha mundësia e artë, të ndiqte studimet në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës.

30 mars 1986
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit
Premiera e baletit "PLAGA E DHJETË E  GJERGJ ELEZ ALISË"
Kompozitor  Feim Ibrahimi
Libreti            Ismail Kadare
Koreografia   Agron Aliaj
Piktor             Naxhi Bakalli
Dirigjent         Rifat Teqja🌠 
Orkestra e TKOB
Solistë             Ilir Kerni
                         Albana Sulejmani
                         Ludmill  Cakalli
                         Mukades Erebara
                         Pëllumb Agalliu  etj.

30 mars 1986
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit
Premiera e baletit “PLAGA E DHJETË E GJERGJ ELEZ ALISË”
Kompozitor Feim Ibrahimi 🌠
Libreti Ismail Kadare
Koreografia Agron Aliaj🌠
Piktor Naxhi Bakalli
Dirigjent Rifat Teqja🌠
Orkestra e TKOB
Solistë Ilir Kerni
Albana Sulejmani
Ludmill Cakalli
Mukades Erebara
Pëllumb Agalliu etj.


Fillimisht u regjistrua në fakultetin e muzikologjisë, por pas një provimi special në vitin 1953 fitoi të drejtën të studionte dirigjim simfoniko-operistik. Për gjashtë vjet, ai u formua në një nga shkollat më prestigjioze të botës, duke pasur mundësinë të ngjitej përpara publikut në sallat e Moskës dhe të drejtonte vepra të Brahmsit, Rahmaninovit, Paganinit, Çajkovskit e Rosinit. Në vitin 1958, ai u diplomua me rezultate të shkëlqyera.
Menjëherë pas kthimit në atdhe, Rifat Teqja u emërua dirigjent kryesor i Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit. Vepra e tij e parë ishte opera “Kavalieria Rustikana” e Maskanjit (1958), e ndjekur nga një mori produksionesh që do të shënonin historinë e repertorit operistik shqiptar:
Ndër të cilat…
Opera botërore: “Berberi i Seviljes” (Rossini), “Evgjeni Onjegin” (Çajkovski), “Madama Butterfly”, “Bohema” (Puccini), “Aleko” (Rahmaninov), “Dasma e Figaros”, “Don Zhuani” (Mozart).
Balete klasike e romantike: “Arrëthyesi” (Çajkovski), “Romeo e Zhuljeta” (Prokofiev), “Don Kishoti” (Minkus), “Fadeta” (Delibes), “Lola” (Vasilienko).
Krijimtaria shqiptare: “Mrika”, “Skënderbeu” (Prenk Jakova), “Toka Jonë” (Çesk Zadeja), “Boranë” (Tonin Harapi), “Zgjimi” (K. Harapi), “Komisari” (Tish Daija), baletet “Cuca e maleve” (Zoraqi), “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” (Ibrahimi), “Para Stuhisë” (Zadeja).
Ai ishte ndër të parët që solli në Shqipëri ekzekutimin e veprave të mëdha të repertorit simfonik botëror, duke ngritur nivelin interpretativ të orkestrës shqiptare në standarde europiane.
Përveç TOB-it, Rifat Teqja dha një kontribut të jashtëzakonshëm në orkestrën e Radio-Tiranës dhe më vonë në Radio-Televizionin Shqiptar, ku dirigjoi dhjetëra koncerte simfonike me vepra të Mozartit, Beethovenit, Bachut, si edhe me krijimtari të kompozitorëve shqiptarë. Ai ishte dirigjenti kryesor i Festivaleve të Këngës në RTSH, festivaleve të ushtrisë, koncerteve të majit dhe veprimtarive rinore, duke dhënë një frymë të re artistike dhe standard profesional.
Në vitin 1962, me themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, Rifat Teqja u bë një nga pedagogët e parë. Së bashku me Mustafa Krantjen, ai themeloi klasën e dirigjimit, duke nxjerrë breza të tërë dirigjentësh që sot janë aktivë brenda dhe jashtë vendit. Për vite me radhë, ai drejtoi Katedrën e Kanto-Dirigjimit dhe më 1995 fitoi titullin e lartë akademik Profesor.
Në kujtimet e studentëve, ai njihej si një mësues i rreptë, por me një dashuri të madhe për artin dhe për disiplinën e orkestrës. Për të, dirigjimi nuk ishte thjesht teknikë, por akt i shpirtit, komunikim i heshtur mes dirigjentit, muzikantëve dhe publikut.
Për veprimtarinë e tij të gjatë dhe të pasur, Rifat Teqja u nderua me shumë çmime kombëtare, si dhe me titullin e lartë “Artist i Popullit” (1979). Ai mbeti një figurë e dashur dhe e respektuar deri në ditët e fundit të jetës së tij, duke dirigjuar edhe në moshën 70-vjeçare me të njëjtin pasion si në rini.
Më 4 gusht 2013, u shua jeta e mjeshtrit të madh, por muzika që ai la pas, repertori i pasur dhe brezat që formoi, e mbajnë të gjallë emrin e tij në historinë e artit shqiptar.
Në këtë ditëlindje, kujtojmë Rifat Teqjan jo thjesht si një dirigjent me baketë në dorë, por si arkitekt i skenës muzikore shqiptare, si mjeshtër që i dha jetë qindra shfaqjeve dhe si mësues që frymëzoi breza të tërë. Ai ishte dhe mbetet një simbol i përkushtimit, i disiplinës dhe i dashurisë për artin, një artist që u rreshtua denjësisht pranë emrave më të mëdhenj të kulturës kombëtare.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?