Rikthehet të enjten, “Jul Çezari”në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve
Shfaqja teatrore “Jul Cezari” mbrëmjen e së enjtes do të rikthehet nëTiranë. Vepra e Shekspirit me regji nga Ivica Buljan do të shfaqet në ambientet e Amfiteatrit të Universitetit të Arteve. Me veprën e Shekspirit Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” hap dhe sezonin artistik. Mbrëmjen e datës 10 shtator në orën 20:00 te Amfiteatri i Universitetit të Arteve do të jetë shfaqja, që tronditi publikun që në premierën e saj në Tiranë disa kohë më parë. Teatri shprehet se e vlerësuar maksimalisht nga kritika, me regjinë e të mirënjohurit Ivica Buljan vjen për t’ju magjepsur. Drejtori i teatrit “Kujtim Spahivogli” Kiço Londo bën me dije se kjo është dhe shfaqja teatrore që e hap sezonin artistik këtë muaj, por në vijim do të jetë dhe në dy qytete të tjera për publikun. “Pas Shkodrës shfaqja do të luhet edhe në Krujë e Elbasan”, bën me dije drejtori i teatrit Kiço Londo. Më datë 6 korrik tragjedia e Shekspirit u luajt nga aktorët në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve në Tiranë, ndërsa me sezonin e ri që nis pas gushtit ishte në qytetin e Shkodrës, për të vijuar me Tiranën dhe të tjera qytete për artdashësit e teatrit. Vepra teatrore e Shekspirit, me regji nga Ivica Buljan sjell në role aktorët e njohur si Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Ilia Kaçi, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Alert Çeloaliaj, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika, Anxhelo Shkreli. Kostumografe në shfaqje është Sofi Kara; skenograf Beqo Nanaj; regji ndriçimi Sonda Trinajst dhe as/regjisor Mateo Dervishaj.
Teatri dhe vepra
Tragjedia e “Jul Cezarit” është njëra prej disa veprave dramatike të Shekspirit, që bazohen në ngjarje të vërteta nga historia romake dhe që përfshijnë edhe Koriolanus dhe Antoni dhe Kleopatra. Edhe pse vepra titullohet “Jul Cezari”, Bruti flet në më shumë se katër herë po aq rreshta sa karakteri kryesor dhe drama psikologjike qendrore e pjesës fokusohet mbi betejën e Brutit mes kërkesave konfliktuale të nderit, patriotizmit dhe miqësisë. Më herët në një reagim të tij kur kjo shfaqje pritej të ishte premierë në Tiranë, regjisori Ivica Buljan tha mes të tjerave se kjo pjesë është aktuale jo vetëm për Shqipërinë, por dhe në botë. Uilliam Shekspir e ngriti artin poetik në majat më të larta. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta, por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspirane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë. Vepra e tij së bashku me Biblën dhe Deklaratën e të Drejtave të Njeriut janë shtyllat në të cilat ngrihet identiteti i Evropës historike. Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më i shkëlqyer i gjuhës angleze, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Njeri nder shkrimtarët më të famshëm në botë. Ai ka qenë komediograf, dramaturg, por edhe aktor. Veprimtaria dramatike e Shekspirit u zhvillua në kuadër të teatrit elizabetian dhe ka si kuadër historik mbretërimin e Elizabetës I (1558- 1603). Kjo epokë njihet dhe si epoka e artë e teatrit anglez. Përkrah teatrit klasik, ky teatër përbën dukurinë më të rëndësishme e më të mrekullueshme për teatrin botëror në përgjithësi. Në këtë periudhë lëvrohen të gjitha llojet e dramatikës me të njëjtin sukses madje pasurohen me elemente të reja. Por kulmin e arrin tragjedia.