“Rropamë ndjenjash” i Alma Jakut, një libër që thyen tabu
Alma Jaku vjen me librin e saj të parë me poezi “Rropamë ndjenjash”. I organizuar në pesë njësi ciklike: “Dashuri”, “Mungesë”, “Kapërthime ndjenjash”, “Mëdyshje” dhe “Njerëzore”, libri “Rropamë ndjenjash” shpalos shpirtin poetik plot vrull dhe ndiesi të Alma Jakut. Në parathënien e librit, shkrimtari Preç Zogaj vlerëson spontanitetin e poezisë së Alma Jakut. Duke folur për stilin e poezisë së saj, Zgoaj shprehet “…është burimore, spontane, e lindur, biopoezi, nëse përdorim një përngjitje të kohës së sotme; vjen nga thjeshtësia, ndjeshmëria dhe vetëdija estetike e shekujve, nga gjuha e përpunuar e traditës, me të cilën i është kënduar dashurisë dhe bukurisë, nga një shpirt dhe mendje e shënuar për të kapur dhe për t’u dhënë shprehje me vargje “ndodhive” me përmbajtje artistike në jetën që na rrethon. Në poezinë e Almës ka shumë dritë dhe ndjenjë; drita ngjan të jetë boja e tyre e artikulimit para hedhjes në letër. Ato lindin dhe ekzistojnë për të kënaqur pikësëpari vetë subjektin krijues, pastaj lexuesin e tyre. Të prarojnë, të prekin, të pastrojnë e pasurojnë shpirtin. Kjo është e bukura, sinonimja e artit”.
***
Në vend të parathënies
Nga Preç Zogaj
Si e dallojmë që një ligjërim me vargje të rimuara, me asonanca apo të lira është poezi, art? Përkufizimet ndihmojnë, por deri në njëfarë pike. Në fund mbetet ajo që thotë një kritik i njohur amerikan se “unë nuk e di ç’është poezia, por mund ta veçoj atë me saktësi nga një grumbull me letra të shkruara”. Me fjalë të tjera, poezia është ajo që ndihet si e tillë.
Poezia e Alma Jakut ka pikë për pikë këtë identitet: ndihet, përjetohet, kumbon, shndrit si poezi e mirëfilltë, origjinale. Nuk vjen qartazi nga ndonjë shkollë e rafinuar poetike, sado që në tingullin e saj ndihen kadencat e poezisë së Ndoc Gjetjes dhe jehona e largët e leximeve spontane të autorëve të ndryshëm. Por është burimore, spontane, e lindur, biopoezi, nëse përdorim një përngjitje të kohës së sotme; vjen nga thjeshtësia, ndjeshmëria dhe vetëdija estetike e shekujve, nga gjuha e përpunuar e traditës, me të cilën i është kënduar dashurisë dhe bukurisë, nga një shpirt dhe mendje e shënuar për të kapur dhe për t’u dhënë shprehje me vargje “ndodhive” me përmbajtje artistike në jetën që na rrethon. Në poezinë e Almës ka shumë dritë dhe ndjenjë; drita ngjan të jetë boja e tyre e artikulimit para hedhjes në letër. Ato lindin dhe ekzistojnë për të kënaqur pikësëpari vetë subjektin krijues, pastaj lexuesin e tyre. Të prarojnë, të prekin, të pastrojnë e pasurojnë shpirtin. Kjo është e bukura, sinonimja e artit.
Por nuk mbaron këtu. Një risi tepër mbresëlënëse në poezinë e Alma Jakut është avancimi në trajtimin e temës së madhe të dashurisë me sytë e gruas. Në këtë aspekt poetja sjell detaje, fokusime, këndshikime, dëshmi dhe përjetime të reja, origjinale, që thyejnë korniza dhe tabu, që bëjnë që gruaja të flasë më shumë nga ç’ka folur deri me sot për “shpikjen e mrekullueshme”, siç e quan poeti i madh izraelit Jahuda Amihai aktin e dashurinë në çift.
Kjo na krijon mundësinë ta shohim dashurinë dhe efektet e saj të gjithanshme shpirtërore dhe fizike me sytë e saj. Është një simfoni që ka nisur me kohë dhe njeh poetesha me emër të madh në botë dhe në Shqipëri. Alma e zgjeron rrezen tematike dhe sjell risi shumë interesante në këtë rravgim me vlerë. Avancimi që përmenda më sipër është një hap në tokë të pashkelur, që shpresojmë e urojmë të pasohet me hapa të tjerë dhe me një thellim të ri në nuancat e temës së madhe të dashurisë. Në këtë përpjekje limitet janë prapa. Eksplorimi me sytë e saj mbetet një rezervë e madhe e artit poetik e më gjerë. Varet prej Almës nëse do të jetë një prej firmave të rëndësishme në këtë eksplorim artistik.
***
Disa nga poezitë e Alma Jakut
NË GJOKSIN TËND
Qyteti i vogël tani u bë i madh,
më duket se askush s’më njeh.
Tulatem ëmbël në gjoksin tënd,
më duket se bota nuk më sheh.
Papritur u ndezën drita ngado,
ndiej turpin e kurmit të zhveshur.
Kotësisht mundohem të mbuloj trupin,
qyteti tashmë më ka përqeshur.
Më talli një prostitutë te cepi i urës,
një pijanec që rri gjithmonë te bari,
një zonjë plakë sevdaharruar tha:
“Ky brez s’është më për së mbari.”
KOHË PERVERSE
Më lodhi komshiu përballë,
bën gjithmonë djalin e mirë,
ia ndiej ulërimat e heshtura
si qen i lidhur në zinxhirë.
Më lodhi eprori, kolegu në zyrë,
çakej e hiena rreth e përqark,
shoqëri e uritur, perverse, e ndyrë,
nën petkun e “vlerës” të futin në thark.
DYZIM
Ti vetes kurrë nuk ia pranon
se ikja ime të bën të marrë,
me gjysmë zëri veten ngushëllon:
“Një gacë do mbetet nga ky zjarr.”
Dhe ikën edhe ti si unë,
me emrin tim, që të sillet mendjes.
Kudo lë germa, a ndonjë gjurmë
për të rigjetur udhën e ëndrrës.
Natës pa fund bëj llogari:
“Një burrë si ti s’i duhet dreqit!”
Pastaj harroj dhe, për çudi,
emrin ta shkruaj në mes territ.
LYPSARI
Sonte në shëtitjen e darkës
më shtriu dorën një lypsar,
ishte ftohtë dhe në xhep të çantës
përtova një lek ta marr.
Im bir më vështroi në sy
me pafajësinë e tij mjaltë.
“Nënë, do më lije pa bukë ti,
nëse dorështrirë më gjeje jashtë?”
Një mijë thika shpirtin ma therën
dhe fajtore u ktheva mbrapsht,
lypsarit i gjeta derën,
bukë nga e djalit tim i dhashë.
ÇMIMI I JETËS
M’u kujtua krejt rastësisht
burri i sertë me emrin “Lazër”,
ma kujtoi një çifte e trishtë
në vitrinën e dyqanit varur.
Ishte burrë, trim i çartur,
i kishte mustakët dy pashë,
kishte pushkë krahaqafë,
por pak gjë kishte në rrashtë.
M’u kujtua krejt rastësisht
Lazri, burrë i fshatit tim,
djalë e nip, vetë mizorisht
u vranë, shkuan, lanë mjerim.
Dhe pyes veten, ju pyes ju:
“Sa vlen jeta, cili është çmimi?
Mos vallë lindim kuturu
dhe jetojmë pa pikë qëllimi?”