Rushen Golemi, ky testament shpirti

Nga Monika Stafa –

Libri biografik për zonjën Golemi ku përshkruhet jeta e një gruaje të rrallë është përshkrimi besnik i jetës së gruas intelektuale shqiptare, një jetë që përshkon trajektoren e faqeve më tragjike të historisë së vendit tonë…

Autorja ka ditur të qëmtojë momente pikante nga jeta e dikujt që ka lënë një emër të madh. Një fëmijëri e qetë e protagonistes, e cila thyhet jo pak nga sistemi absurd, figurat e gjyshërve-këtyre fajtorëve pa faj, tatëpjetat e familjes pasi babai burgoset, egërsia e kohës mbi Rushenin e vogël dhe adoleshente ngjajnë me “Shënimet nga shtëpia e vdekjes” e F. Dostojevskit.

Sfida për ta stampuar emrin si një kirurge grua në mjekësi, skenat aq prekëse për shpëtimin e pacientëve, krijimi i familjes, thirrja që i bëri koha për t’u angazhuar në politikë bashkë me skenat tronditëse të Sigurimit të Shtetit, kthejnë në ligësinë e asaj kohe, dhe epilogu i librit janë përshkruar mjeshtërisht e me elegancë nga Inis Jorgo. Spikat një delikatesë stilistikore në të shkruar e një realizëm besnik në përmbajtje, të cilat bëjnë që libri të lexohet me kureshtje e të vijë rrjedhshëm tek lexuesi.

Vihet re një përkujdesje stili në vepër, dhe si e tillë mund të jetë vetëm ndjenja. Autorja shkruan për nënën e saj duke derdhur dashuri e respekt mes rreshtash të cilat komandojnë stilin e veprës. Pra, stili në këtë libër nuk është një term i ftohtë, abstrakt, akademik: ai është dashuri, ndjenjë, është entuziazëm. Në këtë libër çdo lexues gjen mbase një pjesë të vogël të jetës së vet. Kjo prozë biografike është një himn për gruan inteligjente, të fortë shpirtërisht, të pakompromis në jetë, e cila la një shembull perfekt për jetën e të tjerëve.

Detajet e Librit

Shtëpia Botuese: Ombra GVG (2020)
Botuar në: 2020
Gjuha e publikimit: Shqip
ISBN-13: 978 9928 06 273 4
Nr. faqe: 206

Vitrina e librit/ Kush është dr. Rushen Golemi? Si është cilësuar ajo? - 6 Shtator 2020

SHKARKO APP