Shpallen fituesit e Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana Gate-2020”

Festivali Letrar për të Rinj “Tirana Gate-2020” shpalli sot fituesit e Edicionit të VI në tre kategori, esse, prozë dhe poezi, ku konkurruan me dhjetra nxënës e studentë të shkollave të kryeqytetit. Juria e festivalit vlerësoi me çmim të parënë Ese – Antea Spahiun, në Prozë – Ersona Duro dhe në Poezi – Sara Hidri. Edhe pse në kohë pandemie, festivali e nisi punën e tij në mars, duke e ndryshuar tërësisht mënyrën e organizimit, pasi gjithçka u krye online. Ai u organizua si çdo vit nga Instituti i Librit dhe i Promocionit dhe u mbështet nga Bashkia e Tiranës. Tema e këtij edicioni ishte “Shpirti i një kryeqyteti që ndryshon”, e lidhur ngushtësisht me Tiranën dhe 100 vjetorin e shpalljes Kryeqytet.

Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se mbështetja për artin dhe kulturën nuk do të mungojë. Ai shprehu kënaqësinë se ky festival po kthehet në një traditë të bukur të Tiranës. “Të bësh art e kulturë është sfidë në kohët ku jetojmë. Por, kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Komercalizmi, zelli për t’u dukur, ndoshta i kanë shkurajuar ata që merren me letërsi ose mendojnë të investojnënë art e kulturë. Ama, aleanca që kemi krijuar sot me këtë festival, ka mundësi të transformojë, në mos botën, të paktën këtë qytet. Nëse nuk ndryshojmë dot botën, të paktën mund ta përmirësojmë qytetin tonë, qoftë edhe duke u frymëzuar. Do të kemi shanse të tjera si ky festival dhe mezi pres që bashkia të vazhdojë të jetë partneri shqiptar i këtij konkursi”, tha ai.

Sipas tij, pavarësisht ndonjë minorance që kritikon nga interneti, qyteti ka nevojë edhe për art, kulturë e letërsi. Veliaj shtoi se një vend që investon në kulturë, është edhe më i mirë. “Detyra e një qyteti në rast pandemie apo tërmeti është të ndihmojë ata më në nevojë, por edhe shpirti ka nevojë të ushqehet me ‘bukë’. Sikur ‘buka për shpirtin’, siç është ky konkurs, të ishte në të njëjtat përmasa me ndihmat, besoj se do të ishim një vend edhe më i mirë, me shpirtin edhe zemrën plot”, u shpreh kryebashkiaku.

Irena Toçi, si organizatore falenderoi Bashkinë e Tiranës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj këtij festivali letrar dhe për kulturën. “Shumë prej tyre iu përgjigjën thirrjes tonë për të eksperimentuar me fjalën e bukur dhe për të ndërtuar ese, poezi e proza të konsiderueshme, të vlerësueshme të cilat sjellin të gjithë ndjeshmërinë e brezit të ri të paktën të kryeqytetit tonë që këtë vit mbushi 100 vjeç. Sot Tirana mbush 100 vjet kryeqytet dhe të gjithë ju që do të jeni fitues të këtij edicioni do të mbani mend që në 100 vjetorin e Tiranës morët një çmim të madh që ju veçoi nga moshatarët tuaj në fushën e letërsisë. Falenderoj Bashkinë e Tiranës që na mbështeti për ta realizuar, qoftë edhe në kushte të vështira, këtë edicion të Festivalit Letrar, për të mos ndërprerë mënyrën sesi ai ka funksionuar gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Irena Toçi.

Festivali Letrar për të Rinj “Tirana Gate-2020” synon të sjellë në vëmendjen e lexuesve shqiptarë krijues të rinj e të talentuar, të cilët do të jenë autorët e së nesërmes, dhe t’i drejtojë ata përmes aktiviteteve të ndryshme për të fituar gjithnjë e më shumë bindje mbi talentin e tyre. Aplikimet u pranuan si në të gjitha edicionet e Festivalit përmes aplikimit në Faqen zyrtare të Festivalit në Facebook. Aplikimet u sistemuan dhe iu dorëzuan jurisë së përbërë nga Arta Marku, Ylljet Aliçka dhe Renato Kalemi, për të përzgjedhur grupet e 6 krijimeve më të mira dhe të fituesve në secilën gjini.

Me ndihmën e trajnerëve Aida Nova, Kristian Koroveshi dhe Klea Mani u zhvilluan përmes platformës Zoom takimet e seminareve rikrijuese, në të cilat konkurrentët u njohën me njëri-tjetrin, patën mundësinë të bisedonin mbi krijimet e tyre mbresat që kishin dashur të përcillnin përmes tyre dhe dëftuan sa kishte ndikuar kjo gjendje e jashtëzakonshme në krijimtarinë e tyre. Në seancën e dytë, pjesëmarrësit morën njohuri se si mund të lexoheshin në mënyrë profesionale krijimet e tyre. Ky lexim u shërbeu për leksionin mëtejshëm, ku ata morën disa njohuri mbi zhvillimin e videove artistike, të cilat do të përmbajnë krijimet e tyre. Çmimet e ndara në këtë ceremoni janë si në vijim:

Vendet e treta
Ese III Tea Kodra “Në shtëpinë tonë”, shkolla, “Sami Frashëri”
Prozë III Xhizel Agolli “Faqe ditari”, shkolla, “Sami Frashëri”
Poezi III Eda Aga “Qytet i heshtur”, shkolla “Sandër Prosi”

Vendet e dyta
Ese II Gresa Lika “Koktej ‘Tirana’”, shkolla, “Myslym Keta”
Ese II Jugerta Cuka “Shpirti i lodhur i një qyteti ëndërrimtar” shkolla, “M. Keta”
Prozë II Jorjona Biraku “Shpirti i një kryeqyteti që ndryshon” shkolla, “Myslym Keta”
Poezi II Diego Minxalli “Vërshim ndjenjash varfanjake”, shkolla, “Sami Frashëri”

Vendet e para
Ese I Antea Spahiu “Shtëpia e braktisur në zemër të qytetit” shkolla, “S. Frashëri”
Prozë I Ersona Duro “Gostia”. shkolla “Myslym Keta”
Poezi I Sara Hidri “Të rritesh me qytetin tënd”, shkolla “New York High School”

SHKARKO APP