Shpirtje udhëtimi/ Korça, një dashuri e denjë për adhurim
Nga: Albert Vataj
Prologu
Ju po kërkonit një qytet, me të cilin mund të mburreni, me një përkatësi denjësisht përfaqësuese, një qytet që i ka të gjitha, dhe asgjë e tij nuk plekset në ndonjë nevojë, që do të duhet sipërmarrje për ta mbajtur mënjanë syve kureshtar dhe qëmtimeve shpuese të kritizerëve.
Kam bindjen se Korça i ka të gjitha. Në sfidë me kohën, ka fituar ajo, sepse ka ditur të përfaqësohet denjësisht dhe të mbrohet në një arenë ballafaqimesh. Korça mbetet një qytet që jeton bukur hirin e vet të përkorë. Ka një madhështi delikate, të thjeshtë dhe unike, që sfidon teatralitetin e spektaklit mediatik dhe bujë cingëritëse politike. Asaj i mjafton pamshmëria nën një dritim të së vërtetës, për të motivuar dhe lejuar të tjerët të flasin për të. Ajo, kurrë nuk ka ditur të shpalojë fytyrën e vet pas valëvimës së flamurëve propogandistikë. Si një zonjë delikate është fshehur pas modestisë dhe një grindi joshës, për të qenë dhe mbetur gjithnjë e krekosur nën hijeshinë e vet.
Rikthimi pas një dekade
Pata një dekadë në mes, që prej vizitës së fundit në Korçë, me të cilin më lidhin shumë gjëra, por mbi të gjitha, ajo dashuria e dlirë për një vend, njerëzit e saj, historinë, traditën dhe krejtçfarë tjetër, që e përfaqëson atë. Ishte brenda meje dëshira për të qenë pjesë e një qyteti dhe privilegjin që ta ofron të ndihesh vetvetja, pa asnjë trysni apo cytje përshtatshmërie. Ai të lejon të përmendesh në një çast si zgjimin nga një gjumë dehës dhe të bëhesh pjesë e çdogjësë, që për të është ritëm dhe puls. Bashkë me rikthimin në këtë qytet, rrekesha të ribëja përfytyrimin tim mbi kujtesën, të ravijëzoja caqet njohëse, të cilat shfaqeshin përmes një vegimi mirazhesh dhe një realiteti ndryshimesh të mëdha, që bartin në vetvete veprën e atyre që shkruan emrin në të tashmen e qytetit.
E gjeta Korçën atë mesditë korriku, një qytet që kishte ndryshuar ka shumë, duke mos tentuar të shuaj gjurmët që më mbanin lidhur me të. Progresi kishte arritur të godiste aq fuqishëm tabanin ku ngrihej kjo madhështi e Shqipërisë Jug-Lindore, një kumt i përkorë që rrekej të bënte pjesë të vetes modernitetit, pa lejuar që të cenohet e shkuara, pa pranuar të shuhen vezullimet e drithërimta të kujtimeve, me të cilën lidhin shumë njerëz me këtë qytet.
Pesha e viteve të mbetur pas, ishin si hiri që merr një adhurim ballë një dehjeje drite, ku çdo rreze që shpërthen, duke shumëfishuar vezullimin, derdhet mbi të, si aureola që ngërthen në dritë të hyjtë shenjtorët në ikonë.
Fuqia transformuese e qytetit, bashkëngjitur me gjithçka që e bën Korçën të dallojë mbi të tjerët qytete, është bashkëjetesa e saj me të bukurën e transparentë e tejet të natyrshme, atë ndjesinë e prarimit që bie mbi gjithçka të saj, si një prekje ledhatare.
Natyra, dehësja e gjelbërimtë e qytetit
Nuk e di se si ky qytet jeton në një harmoni kaq perfekt me natyrën, me gjelbërimin, e cila shndërrohet në një akt ceremonial komunikimi dhe shprehjeje, përmes parqeve dhe lulishteve, dhe e ka bërë këtë pa nevojën e zhurmës dhe propagandës, por është mëkëmbur me gjelbërimin e gjithmonshëm, si me një dëshirim që merr vlerën e një hajmalie. I rrethuar nga male dhe dëshira njerëzish të lidhur me pemët dhe lulet, ai merr frymë thellë dhe mëkon në çdo zemër e shpirt, çfarë e bën atë një rubin në kraharorin e këtij epshi horizoni. Platitja e zhurmave dhe natës, paqja e përkorë e agimeve të saj, shkelin drojshëm mbi barin e njomë e krelin flokë vashash në degët e harbuara të pemëve të kudogjendura.
Qetësia, prehja ëndërrtare e çastit
Ajo që nuk do të mund të kalojë pa grishur një befasi, është qetësia, çdoditshmëria e heshtur e çdoçastshme e këtij qyteti. Një prehje ëndërrtare e qastit që kridhet në gjithpamshmëri si në një tablo idilike, e kopulon dëshirimin me andjen, dhe ashtu hutueshëm e lë të flatrojë si një flutur kah vetëm lule e presin dhe e përcjellin. Një platitje si prekje bekimi derdhet mbi qytet dhe ai e pranon qielloren si një dhuratë që merret prej duarve që gjithnjë punojnë dhe luten. Ky solemnitet të lejon të dëgjosh pëshpërimën e hapave në çdo orë të ditës, thua se shpirti i qytetit të përgjon me vështrimin e tij të ngulmët, mes reve dhe degëve. Dhe përjetimi i hutuar i ndjesisë së një paqeje të avullt të rrethon, së bashku me vështrimin e shkujdesur të njerëzve, të njohur e të panjohur, të cilët janë pjesë e këtij dekori, e këtij spektakli ndijimi ku poetika mbush zërin me zjarr e detin e shpirtit, me fjalë e nis të pëshpëritë nën melodinë e heshtjes që të ndjek nga pas, derikur ti strukesh në një koracë privatësie për të dëfryer me të shtrenjtit tuaj.
Trafiku, lumi i vërshimeve të urta
Trafiku në këtë qytet është i tillë, sikur ti që vjen nga Tirana, apo nga një tjetër qytet, po kaq të gjallë dhe energjik sa dhe Korça, të duket se ke ardhur në një realitet i një kohe tjetër, në një të tashme ku gjithçka lëviz urtësisht si pluskues në një liqen. Dy ditë që ndenja me familjen, prej se erdha e derikur e lash bekuar dëshirimesh dhe adhurimi, nuk ndesha dikënd që fluturonte mbi katër rrota sikur Argamendoni i është vënë nga pas, një padurim ky të tillë patologjik që popullon qytetet tona, që në një tërbim të çmendur secili sipas çmendurisë së vet tentonte të kapte kohën e humbur. Aq orë sa isha pjesë e këtij qyteti, nuk dëgjova t’i binte dikush borisë së makinës, aq sa befasia do të më bënte të mendoja, se mos në këtë qytet ka një ligj apo një kod civil, që ndalon terrorin akustik që ndëshkon të përditshmen tonë moderne. Rigoroziteti i respektimit të vijave të bardha dhe kujdesi i ngarjes së makinave, garantonin një jetë normale të një qyteti metropolitan. Kjo ndodh në Korçë, nëse dikush ka dyshime.
Qyteti dhe tradita
Për cilën pjesë të vetëdijes së historisë së këtij qyteti, këtij kulmimi qytetarie që i ka shpëtuar trysnisë asgjësuese të modernitetit, të flasësh. Për cilin fragment të kësaj përkatësie administrative që ka ruajtur të paprekur të shkuarën, të ligjërosh? Korça ka mbetur ajo që ka qenë, një qytet që ka ruajtur dhe mbrojtur me konservatorizëm traditën, trashëgiminë, atë pasuri shpirtërore, me të cilën është përfaqësuar dhe krenohet.
Ka qenë e lehtë?
Sigurisht që jo, por e mundur ama përmes një përpjekjeje dhe atij fanatizmit kokëshkëmb që nuk ka lejuar askënd që të vërë këmbën e molepsur mbi varret e të parëve, lavdinë dhe amanetin. Kapërthyesit e egois ambiciozë të modernitetit, i ka lënë mënjanë, duke mos lejuar ta komprometojnë atë magjepsje, e cila në kohë ka ardhur duke e fuqizuar vezullimin e vet, dhe duke tentuar të rizgjojë bashkë me të shkuar dhe nostalgjinë, edhe atë ceremonialitet, ku secili është në një kremte. Një pamje nga kreshta lindore e qytetit, nuk do ta kesh të vështirë të shohësh se si Korça legjendare e një qasjeje qytetërimi, është distancuar nga fuqia e dominimit, nga ai përbindësh që ka ngrenë me një uri të babëzitur historinë e shumë qyteteve të Shqipërisë, kur rasti i Tiranës është më tipiku.
Dhe ndërsa kthehemi pas, duke u rrekur përnga një retro, ndalim në sofrën e qytetit, atë që është gjithnjë e shtruar, Pazari i Vjetër. Aty eleganca e fuqisë transformuese ka arritur të rikthejë në jetë, duke i dhënë magjinë e tij dehëse, një prej gurëve më të shndritshëm në gjerdanin e stolisjes së qytetit.
Rrugicat me kalldrëm, të cilat përshkojnë si arterie pjesën më të qenësishme të qytetit, ato rrugica ku përthyhet dielli i mëngjesit dhe tharmohet shegët e perëndimit, ku troku i hapave mban në jetë përgjimin e përjetësisë së atyre që rendën me vrap e me ëndrra nëpër këto rrugica. Për të shkuar te parqet, serenatat, kulinaria, lëmimi delikat i dielaktit, mirësjellja dhe bujaria, higjiena… të gjitha këto tringëllijnë në praninë e këtij solemniteti dhe nostalgjie, si në një ceremonial festiv që zbret nga shkuara, për të ardhur në kurorëzim.
Epilogu
Erdha dhe u largova nga Korça me dëshirën për tu kthyer, për të mëkuar atë delikatesë dhe paqe metropolitane, të cilën të tjera kulmime rreken ta shndërrojnë në një garë të çmendur babëzie, ku paraja është gjithçka dhe gjithçka është e lejuar ku ajo është një doktrinë. Korça mbetet një qytet që jeton pa bërë bujë dhe pa guxuar të shkelë mbi të shkuarën për të mbërritur tek e tashmja. Korça mbetet një qytet që bën jetën e një organizmi të shëndetshëm, jo vetëm për frymëmarrjen e saj të admirueshme për çdo “Amazonë” tjetër urbane, por edhe për pajtueshmërinë e paqtë dhe kompromisin me gjithçka që i vërshon në limfë. Korça është ajo që do të dëshironit të jetë, një qytet që zgjohet me trokitjen e hapave mbi kalldrëm e kumbimin e kambanave, dhe fle me vibrimin e telave të kitarës dhe zemrave. Gjithçka që më lidh me të është dashuria, një dëshirim që zë një vend te denjë për adhurim.