Shqipëria dhe Kosova, bashkëpunim ndërakademik gjatë viteve 2020-2021

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, kujdesi për një rregullim ligjor të përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare, organizimi i takimit të parë të albanologëve të hapësirës historike shqiptare etj, do të jenë në qendër të bashkëpunimit mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Ky protokoll, i cili u nënshkrua nga kryetari i ASH-së, akademik Skënder Gjinushi dhe kryetari i ASHAK-së, akademik Mehmet Kraja, mbështetet në marrëveshjen kuadër të bashkëpunimit ndërakademik dhe ka për synim të përcaktojë përparësitë e bashkëpunimit për periudhën 2020-2021. Më kryesoret prej tyre janë ringritja e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe dhe kujdesi për një rregullim shkencor e ligjor të përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare; organizimi i takimit të parë të albanologëve të hapësirës historike shqiptare dhe të qendrave dhe shkollave të studimit të botës shqiptare jashtë saj; parapërgatitja dhe konceptimi i një enciklopedie panshqiptare.

Po ashtu parashikohen botime në shkencat e identitetit; kërkime dhe konferenca për pasuritë natyrore dhe mjedisin; bashkëpunim për nëndisiplina të reja të dijes si nanoteknologjia, shkencat e jetës (bioshkenca), inteligjenca artificiale, si dhe në disiplina që kërkojnë vëmendje të ngutshme (si sizmologjia). Protokolli përmban zotime të drejtpërdrejta për një sinergji shkencore ndërakademike dhe mundëson edhe bashkëpunime me institucione të tjera shkencore në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në botën arbëreshe. Ky protokoll bashkëpunimi vjen në vijim të projekteve të përbashkëta, që janë realizuar dhe më parë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë u hap në vitin 1972 me përpjekjet e profesor Aleks Buda, i cili u emërua dhe presidenti i parë i saj. Funksionet kryesore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë janë kryerja e studimeve dhe kërkimeve me karakter teorik e praktik në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore albanologjike, natyrore e teknike, mundësimi i zbatimit të këtyre studimeve në praktikë, etj. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), e themeluar më 20 dhjetor të vitit 1975 në Prishtinë me ligj të veçantë të Kuvendit është institucioni më i lartë i shkencës dhe i artit në Kosovë.

SHKARKO APP