Shqipëria, ky sinonim i tolerancës fetare

Nga Quinn Hargitai, BBC

Edhe pse kjo ishte hera e parë që po takoja Hasib Buba-n, kisha dëgjuar zërin e tij tashmë disa herë duke bërë jehonë nëpër rrugët me kthesa dhe rrugicat e Beratit, një qytet i vogël në pjesën jug-qendrore të Shqipërisë. Me flokët e mbyllta, të ndara me kujdes, një mjekër mirë të mbajtur, udhëheqësi fetar 25-vjeçar shpjegoi se si një nga detyrat e tij si muezin është të thërrasë ezanin për faljen e namazit, gjë që ndodh pesë herë në ditë.

Ai është personifikim i vërtetë e një muslimani të devotshëm; por unë mbeta i befasuar kur mësova se kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. “Në fakt unë jam rritur si i krishterë,” shpjegon Buba, “dhe për vite me rradhë kam ndjekur këtë rrugë. Më vonë në moshë të pjekur, pata një debat me një nga miqtë e mi, i cili ishte musliman. Debati vazhdoi për muaj, dhe në mënyrë që të jem sa më i përgatitur për diskutimet tona,

unë fillova të lexoja për Islamin, përpiva gjithçka që pata mundësi në lidhje me këtë fe. Në fund, edhe pse mu duk se debatin e fitova unë, i gjithë procesi më shtyri të bëj pyetje në lidhje me bindjet e mia. Përgjigjet e dhëna nga Islami kishin më shumë kuptim për mua, kështu që unë u konvertova në musliman”, thotë ai.

Edhe pse zgjedhja për t’u konvertuar mund të duket e habitshme për shumëkënd, realiteti është se Shqipëria prej kohësh konsiderohet si një vend i tolerancës dhe harmonisë fetare.

Fetë dominuese në Shqipëri janë Islami dhe Krishterimi, ku muslimanët përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë. Megjithatë, mbetet një unitet i përbashkët në mes të banorëve të vendit. Kishat dhe xhamitë shpesh zënë të njëjtën rrugë, dhe martesat ndërfetare janë pranuar gjerësisht në kulturën e vendit.

Veçanërisht vlen të shquhet Berati, në të cilin gjendet Muzeu “Onufri” që e mban ikonën e burimit të jetës. Kjo vepër artistike shqiptare e shekullit të 18-të përshkruan një skenë të krishterë me minare në sfond dhe është lavdëruar si një simbol i harmonisë fetare të famshme të vendit. Gjatë një vizite në vitin 2014, Papa Françesku, kreu i kishës katolike, vlerësoi vendin ballkanik për tolerancën e saj të dukshme fetare, duke thënë se kjo tolerancë duhet të shërbejë si një shembull për gjithë botën.

Gjatë fjalës së tij në Tiranë, Papa Françsku vlerësoi “bashkëjetesën paqësore” të feve në vend, duke shtuar se “kjo është veçanërisht e rëndësishme në këto kohëra kur fryma autentike fetare është duke u shtrembëruar nga grupe ekstremiste”.

Kurioz të di se si ka arritur popullsia e Shqipërisë të mbesë e bashkuar, e pyeta Buba-n për mendimin e tij mbi këtë temë. “Shqipëria ka pasur gjithmonë traditë të pranimit të të tjerëve. Nëse shikoni nëpër historinë e vendit, ju do t’a shihni harmoninë në çdo shekull. Edhe gjatë Perandorisë Osmane. Shumë njerëz ia atribuojnë atë komunizmit, por unë nuk e besoj”.

Buba është duke iu referuar periudhës në mes të viteve 1944 dhe 1992, kur Shqipëria ishte nën një regjim të rreptë komunist të udhëhequr nga diktatori Enver Hoxha. Gjatë regjimit, Shqipëria u bë shteti tërësisht i izoluar praktikisht me asnjë lidhje me botën e jashtme. Në vitin 1967, Hoxha forcoi kontrollin e tij mbi vendin edhe më tej duke ndaluar të gjitha fetë, duke deklaruar Shqipërinë si shteti i parë ateist në botë. Gjatë kësaj kohe, kishat dhe xhamitë u konfiskuan nga ushtria dhe u shkatërruan apo u kthyen në kinema e salla për vallëzim. Klerikët ishin zhveshur nga titujt e tyre, ishin turpëruar dhe në disa raste madje ishin burgosur.

Disa spekulojnë se ky përjashtim i dhunshëm i fesë së organizuar ka rezultuar me adaptimin e mendimit laik ndër shqiptarët, dhe se vendi është i njohur për mungesë të çfarëdo tensioni ndërfetar, sepse besimi nuk është një element i rëndësishëm i jetës për shumë njerëz sot. Dhe Buba lutet që kjo të ndryshojë. Për të ilustruar se si harmonia fetare ekziston ne Shqipëri, ai solli shembullin e fundit të Malbardhit, një fshat i vogël në veri të Shqipërisë. Disa vjet më parë, zona e vogël bëri bujë në të gjithë vendin, kur popullsia lokale muslimane kishte mbledhur fonde dhe kishte rindërtuar kishën e vetme katolike të fshatit, e cila ishte shkatërruar bashkë me shumë kisha tjera gjatë sundimit të Hoxhës.

Këto tregime janë veçanërisht me rëndësi në kohën e sotme. Me frikën nga rritja e mundshme e grupeve ekstremiste, duket se vija e dallimeve në mes të besimeve ka shkuar duke u shtyrë edhe më thellë. “Kam dëgjuar gjitha këto biseda të disa personave që dëshirojnë të ndërtojnë mure dhe të ndalojnë besimtarët e besimeve të caktuara nga hyrja në vendet e tyre”, tha Buba. “Kjo vetëm se do të ngjallë urrejtje dhe keqkuptim. Arsyeja pse ekziston harmonia në Shqipëri është për shkak se ne angazhohemi njëri me njërin. Ne debatojmë, diskutojmë dhe edukojmë veten në lidhje me ata që na rrethojnë. “

Është e vështirë të thuhet nëse bota do të marrë shembullin e Buba-s dhe të Shqipërisë për zemër, por ka diçka për të thënë për shtetin e vogël ballkanik në të cilën fëmijët rriten duke dëgjuar edhe thirrjen për namaz edhe këmbanat e kishave prej jashtë dritareve të tyre. Për ta, bashkëjetesa dhe harmonia janë bërë aq të natyrshme sa ajri që thithin. (KultPlus.com)

SHKARKO APP