Shtatorja e Fadil Vokrrit larg shtatoreve kitch në Kosovë
Nga Ilir Muharremi*
Kitchi ose antiarti përkatësisht antiskulptura ka mbushur hapësirat tona në Kosovë. Ndoshta më herët ishte mungesa e kritikës, mungesa e konkurseve dhe mos serioziteti i komisioneve përzgjedhësë së bucetave të mirëfillta. Kjo tragjikomedi ka pushtuar hapësirat publike, parqet dhe skutat. Disa kopjojnë Aguste Rodin, skulpturën e shekullit XIX e cila theu rregullat akademike, me një impresionizëm vizionar të kohës e që na ktheu lehtësisht te Mikellanxhello. Ai ndjeu revoltë dhe jo ndonjë revulucion, ndonëse skulptura i përmban të dyjat, porse e para shprehë atë madhështinë personale shpirtërore artistike. Fatëkeqësisht Rodin edhe sot përdoret si strehë dhe ombrellë për skulptorët shqiptarë dhe kosovarë, sidomos të parët të prekur dhe ndikuar nga soc-realizmi, derisa të dytët nga soc-realizmi dhe arti modern më pranë Evropës.
Më së shumti është abuzuar me figurën e heroit tonë legjendar Adem Jashari, të cilën as që mund ta njohësh në skulpturë, as ta identifikosh formën teksturore apo frakturore. Është abuzuar me përmasat e gjymtyrëve të trupit, saktësisht me gabimet amatoreskte proporcionale shkollore. Andaj, kjo është për të ardh keq. Jo veç me Jasharin u abuzua edhe me figura të shquara historike dhe kjo dhimbje po na përcjellë me jetëgjatësinë e këtyre shtatoreve të cilat po qëndrojnë ende stoike nëpër sheshet publike. Skulptorët janë munduar t’i veshin me plastikën e Rodin-it. Unë këtë e shohë si një varrezë masive që ju bë heronjëve tonë dhe përdhosi vlerat dhe meritat e tyre. Reagova përmes shkrimeve të mija kritike dhe kritika u respektua si pozitive duke eleminuar këtë groteskë.
Janë për t’u lavdëruar skulptorët e rinjë të cilët çdo ditë po dëshmojnë vlera në skulpturë. Rasti i fundit me shtatoren e legjendës së futbollit Fadil Vokrri. Vokrri në skulpturën fituese të Agron B. Blakcorit shfaqet i ri në moshë, me uniformë sportive, me topin duke dribluar me këmbën e djathtë. Kjo skulpturë është ende në proces dhe në dukje të parë shprehë përgjegjësi profesionale me një përvojë fizike të trupit dhe hapësirës. Puna e skulptorit hulumton karakterin, ngjashmërinë e madhe të mimikës, syve dhe shpirtit. Fotografitë mbrapa shtatorës së eskpozuar shpalosin atë hulumtimin profesional të skulptorit mbi karakterin e Vokrrit në pozita të ndryshme, gjithnjë duke u kujdesur për tonet e gjysmëtonet, linjat dhe detajet e holla të syve, hundës, ballit dhe mjekrrës.
Kjo vepër monumentale e modeluar e skalitur me shpirt, tregon origjinalitetin plastik dhe shpirtëror të lengjendës Vokrri. Nëse e vështrojmë nga 360 pika pamjeje skulpturën, vërejmë kompozicionin, dimensionet, ritmet formale, organizimin me marrëdhënien estetiko-historike deri te detaji më i imët muskuli, damarët që gjallërojnë mbi trupin e Vokrrit, pastaj drapëria e veshjes, lakimet nga fanela të përsëritura e që rrezatojnë me theksimin e muskujve, shprehin atë realizmin dhe besnikërinë ndaj kësaj lëvizje. Shtatorja e meriton të jetësohet në harmoni me eksterierin dhe vërtetë krijon një emocion ringjallës të legjendës së futbollit.
*Kritik i artit