Sokrati dhe leksioni i dëgjimit për të tjerët

Në Greqinë e lashtë, Sokrati ishte shumë i njohur për urtësinë e tij. Një ditë, filozofi i madh takoi një të njohur, i cili rendi drejt tij i ngazëllyer dhe i tha: “Sokrat, a e di se çfarë dëgjova pak më parë për një prej studentëve të tu?”
“Prit pak”, u përgjigj Sokrati. “Përpara se të ma thuash, dua të të bëj një test të vogël. Quhet Testi Tresh”.
“Testi Tresh?”
“E saktë”, vazhdoi Sokrati. “Përpara se të më flasësh për studentin tim, le të testojmë për një moment, se çfarë do të më thuash. Testi i parë është E Vërteta. A je absolutisht i sigurtë se ajo që do të më thuash është e vërtetë?”
“Jo”, u përgjigj i njohuri, “në fakt sapo e dëgjova”.
“Dakord”, tha Sokrati. “Pra ti nuk e di nëse është e vërtetë apo jo. Tani provojmë pyetjen e dytë, testin e Mirësisë. A është diçka e mirë ajo që do të më thuash për studentin tim?”
“Jo, përkundrazi…”
“Atëherë”, vazhdoi Sokrati, “ti do të më thuash diçka të keqe për të, edhe pse nuk je i sigurtë që është e vërtetë?”
I njohuri ngriti supet, pakëz i zënë në siklet.
Sokrati vazhdoi: “Ke ende një shans për të kaluar sepse ka një test të tretë – filtri i Dobisë. A do të jetë e Dobishme ajo që do të më thuash për studentin tim?”
“Jo, në fakt jo…”
“Atëherë”, e mbylli Sokrati, “nëse ajo që do të më thuash nuk është as e vërtetë, as e mirë, as e dobishme, atëherë përse duhet të ma thuash?”
I njohuri i turpëruar nuk foli më!

SHKARKO APP