Sot 12-të vjet nga vdekja e Pavarotit

Ai ishte një zë i fuqishëm, një buzëqeshje shkëlqyese, një shpirt thellësisht lirik, një vullnet i epërm humanizmi, një tenor i rrallë, një emër i rëndësishëm që ka zënë vend të merituar në panteonin e vlerave të trashëgimisë botërore.

Luciano Pavarotti, një tokësor me zë qielli që i’u dorëzua vdekjes fillimshtatorin e vitit 2007, duke lënë pas brengë, dhimbje, por mbi të gjitha një zbrazësi. Por ai në këtë ikje la veprën, një monument të lartësuar në mirënjohje dhe vlerësim.

Rreth orës pesë të mëngjesit të 6 shtatorit 2007, një dekadë më parë, ka mbyllur sytë në shtëpinë e tij në Modena të Italisë, pas një beteje të gjatë me kancerin, legjenda e zërit operistik. Këngëtari i famshëm megjithëse i ishte nënshtruar trajtimeve të specializuara, asnjë deklaratë nuk ishte bërë publike për gjendjen e tij shëndetësore, deri kur vullneti i pamëshirshëm e ndali këtë uragan njerëzor për ta ndarë si nga skena ashtu edhe nga jeta.

Asokohe sëmundja e rëndë e kishte detyruar këngëtarin të anulonte të gjitha koncertet që kishin mbetur nga turi i tij i lamtumirës nga opera, por jehona e atij vokali përplaset ende në kreshtat e kohës.

Djali i një bukëpjekësi në Modena, Itali, i cili ishte një këngëtar modest opere, Pavarott-i i ri u rrit duke ëndërruar në vend që të ndiqte një karrierë si futbollist.

Që shumë i vogël i kushtohet botës së lirikës duke studiuar me tenorin Arrigo Pola dhe maestron Etore Campogaliani. Debutoi më 39 prill të vitit 1961 në rolin e Rudolfit në operën “Bohema” në sallën e operës të Rexhio Emilias. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës triumfon në shkurt të vitit 1965, me Xhon Suterlend, në veprën “Luçia” të Lamermurit.

Por shpërthimi i vërtetë mbërriti më 17 shkurt të vitit 1972, në skenën “Metropolitan” të Nju-Jorkut ku në një vepër të Donixetit lë me kuptimin e plotë të fjalës, me gojë hapur të gjithë të pranishmit falë nëntë do-ve të përsosura. I takon atij rekordi i 17 kthimeve për shkak të duartrokitjeve pas uljes së siparit. Që atëherë, emri i tij u bë i njohur edhe për publikun e gjerë falë televizionit.

Gjatë viteve ‘90 Pavaroti u kushton shumë rëndësi koncerteve në ambiente të hapura, të cilat do të transformohen në suksese madhështore. Në “Haid Park” të Londrës u grumbulluan falë tij më shumë se 150 mijë njerëz. Në qershor të vitit 1993, më shumë se 500 mijë admirues të tij u grumbulluan në parkun qendror të Nju- Jorkut, ndërsa ishin miliona ata që e ndiqnin përmes valëve të televizionit. Në shtator të po atij viti, nën hijen e kullës “Eifel”, këndon përpara rreth 300 mijë të pranishmëve. Mes më të famshmëve nuk mund të lihen pa përmendur koncertet e “tri tenorëve”, bashkë me kolegët e tij Plaçido Domingo e Hose Karreras. Po kaq i famshëm është edhe aktiviteti intensiv në rolin e organizuesit në serinë e koncerteve “Pavarotti and friends”, eveniment gjatë të cilit (për motive bamirësie), bashkëpunoi me yjet ndërkombëtare më në zë të muzikës pop.

I adhuruar për aftësinë e të bërit spektakël, Pavarotti ishte i adhuruar më së shumti për mrekullinë që ishte zëri i tij. Placido Domingo, partneri muzikor dhe miku i tij u shpreh pas lajmit të vdekjes së Pavarott-it: “E kam adhuruar gjithnjë madhështinë që Zoti i kishte dhuruar zërit të tij, atë timbër të veçantë e të pagabueshëm që kapte çdo notë që një tenor mund të kapë”.

Ai ishte njëkohësisht perfeksionit dhe “showman” i lindur dhe statusi i tij si ikonë kulturore është vulosur nga duetet e tij të padiskutueshme me këngëtarë të muzikës pop dhe rok nga Bono i U2 e deri te Sting e Celine Dion. Disa puritanë të operas nuk do ta falin asnjëherë tenorin për performancat e llojit “Pavarotti and Friends”.

Në disa intervista, para se të operohej Pavarotti u shpreh në disa intervista se ndihej një njeri me fat. “Unë jam dhe kam qenë një njeri me fat. Do të jem optimist deri në vdekje”. Në vitet e fundit, sidomos në Itali, Pavarotti është përfolur më shumë për jetën e tij personale se atë profesionale. Fillimisht ai u përfshi në një skandal taksash në Itali e më pas u kritikua pasi la bashkëshorten e tij prej 30-vitesh për t’u martuar me asistenten e tij të re. Pavarësisht të gjithave, Pavarotti, ka qenë sa ishte gjallë e do të mbetet dhe pas vdekjes, një prej ikonave më të shquara të skenës operistike.

Luciano Pavarotti përbën rekordin më të madh në historinë e muzikës së koncerteve live, plot 1200 duke e klasifikuar atë si një fenomen./AlbertVataj

SHKARKO APP