Sot 36 vjet nga shembja e Murit të Berlinit, ra rekuizita e dramës globale të Luftës së Ftohtë

Nga Albert Vataj

Sot mbushen 36 vjet nga çasti kur bota pa, pothuajse e hutuar, se një mur prej betoni, tela me gjemba dhe ideologji të ngurtë mund të shembej në pak orë, si të ishte veçse një perde skenike e një epoke që po i vinte fundi. Muri i Berlinit, ai trup i ftohtë betoni që për 28 vjet ndau qytetin, familjet, kujtimet dhe vetë shpirtin gjerman, u rrëzua më 9 nëntor 1989, jo nga tanket, jo nga protokollet diplomatike, por nga duart e qytetarëve. Nga njerëzit që morën guximin të rrëmbenin një copë lirie me çekiç e me thikë, me zërin e protestës së paqes, me pritjen e gjatë të shpresës.
Muri kishte nisur të ngrihej më 13 gusht 1961. Brenda natës Berlini Perëndimor u shndërrua në një ishull të mbyllur brenda detit të Gjermanisë Lindore. Një qytet i ndarë, dy botë përballë njëra-tjetrës, dy ideologji që ngrinin themelet e Luftës së Ftohtë mbi kockat e njerëzve. Pas Luftës së Dytë Botërore, Europa nuk thjesht u rindërtua; ajo u riorganizua si një skenë ku Lindja dhe Perëndimi luanin rolet e tyre antagoniste. Muri i Berlinit u bë rekwizita e madhe e kësaj drame globale.
Mbi 155 kilometra i gjatë, rreth 3 metra i lartë, i ruajtur nga roje, qentë, kulla vrojtimi dhe një aparat shtetëror të zhveshur nga mëshira, ai ishte më shumë se një pengesë fizike. Ishte një shenjë e qartë se çmimi i lirisë nuk ishte kurrë abstrakt. Në fund të viteve 1950, mbi 2 milionë gjermanolindorë kishin braktisur vendin për të kaluar në Perëndim, duke e dobësuar rëndë regjimin komunist. Muri ishte, në thelb, një mbyllje e frikës: frika e një regjimi nga njerëzit e vet.
Por asnjë mur nuk është aq i fortë sa të mbajë peng vullnetin njerëzor. Pavarësisht rrezikut, përpjekjet për arratisje u bënë mitologji moderne: tunele nën tokë, makina të modifikuara, balona të improvizuara, madje edhe fluturime me delta-plane. 270 persona humbën jetën, mbi 3,200 u arrestuan. Çdo histori arratisjeje ishte një akt i pastër sfidimi, një dëshmi e thjeshtë dhe sublime se liria është instinkti primar i njeriut.
Prandaj mbrëmja e 9 nëntorit 1989 ishte më shumë sesa një lajm i mirë. Ishte një krisje e madhe brenda vetë historisë. Pas një njoftimi ende të paqartë që lejonte kalimin drejt Perëndimit, mijëra qytetarë të Berlinit Lindor u dyndën në pikat kufitare. Rojet, të hutuar, të lodhur dhe tashmë të vetëdijshëm se epoka po mbyllej, hoqën barrierat. U hap porta, dhe me të u hap një shekull i ri.
Muzeu Historik Kombëtar kujton sot këtë moment me pamjet e rrënimit të murit – njerëz që qeshnin, qanin, përqafonin të panjohur, ngjiteshin mbi mbeturina betoni sikur ngjiteshin mbi një kodër të lirisë së tyre personale. Ishte hera e parë pas dekadash që Berlini frymëmerrte me një mushkëri të vetme.
Rënia e Murit të Berlinit ishte dominoja e parë që rrëzoi regjimet komuniste në Evropën Lindore. Ajo çoi në ribashkimin gjerman më 3 tetor 1990, por më shumë sesa ribashkim politik, ishte ribashkim i njeriut me vetveten, ribashkim i Europës me idealet e veta të lirisë dhe dinjitetit.
Sot, 36 vjet më pas, historia e Murit të Berlinit mbetet një kujtesë e ashpër, por e domosdoshme: se çdo mur i ngritur kundër njeriut, qoftë prej betoni apo prej paragjykimi, ideologjie apo frike, mban brenda vetes ditën e rënies. Dhe se liria, sado vonojë, gjen gjithnjë një çarje ku futet, rritet, dhe e shemb të pamundurën.
Sot ai është veçse një kujtesë që rikthehet çdo vit për të zgjuar vetëdijen dhe shkundur apatinë dhe për të shërbyer si një paralajmërim.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?