Sot është e Diela e Larit. Historia dhe tradita

Lajmet, të cilat flasin për bekimin e palmave, vijnë nga shekulli VII, në përkim me rëndësinë gjithnjë e më të madhe që nisi t’i jepej procesionit. U bekuan, së pari, në Jeruzalem, aty nga fundi i shekullit IV e pothuajse menjëherë u përfshinë edhe në liturgjinë e Sirisë e të Egjiptit.

Në kalendarin liturgjik katolik e Diela e Larit festohet një të diel para kremtimit të Pashkëve. Me të nis Java e Madhe, por nuk mbyllen Kreshmët, që përfundojnë vetëm me kremtimin e orës së nëntë të së Enjtes së Madhe, ditë në të cilën, me uratët e mbrëmjes, nis Triditshi i Shenjtë i Pashkëve.

Në formën e zakonshme të ritit romak, quhet edhe “De Passione Domini”, e Diela e Mundimeve të Zotit. Në formë të jashtëzakonshme, e Diela e Mundimeve kremtohet një javë më parë, prej këndej quhet edhe “e Diela e dytë e Mundimeve”.

Solemniteti kremtohet jo vetëm nga katolikët, por edhe nga ortodoksët e protestantët. Krishterimi mbarë e përcjell Krishtin, që hyn ngadhënjimtar në Jeruzalem, shaluar mbi një gomar, i brohoritur nga turma, që e përshëndet duke tundur rrema palmash (cfr Gjn 12,12-15). Turma e mbledhur që në zërin e parë, që kumton ardhjen e Jezusit, shtrin përdhe mantelat, pret degë palmash e i tund si suvalë, duke krijuar atmosferën pranverore të festës, për t’i shprehur nderimin Atij, që po vjen.

Kremtimi liturgjik
Liturgjia e së Dielës së Larit kremtohet duke nisur nga një vend jashtë kishës, ku besimtarët mblidhen rreth meshtarit, që ua bekon rremat e larit, të ullinjve a të palmave. Më pas nis procesioni deri në Kishë. Si arrihet këtu, fillon kremtimi i Meshës, me leximin e gjatë të Mundimeve të Krishtit. Rrëfimi kushtuar Mundimeve lexohet nga tre vetë, që luajnë rolin e Krishtit (lexuar nga meshtari) të historianit e të popullit. Në këtë të dielë meshtari, ndryshe nga të gjitha të dielat e tjera të Kreshmëve (përveç së katrës, në të cilën mund të veshë paramente rozë) vishet me të kuqe.

Tradita
Zakonisht besimtarët i çojnë në shtëpi degët e palmave, të larit a të ullinjve për t’i ruajtur si simbole paqeje, duke e shkëmbyer një pjesë me të afërmit e miqtë. Disa zona kanë zakon që kryefamiljari të marrë një degëz e, pasi ta zhysë në ujë të bekuar, të spërkasë me të gjithë shtëpinë gjatë Natës pa gjumë të Pashkëve e, Ditën e Solemnitetit, sofrën festive, rreth së cilës mblidhet e gjithë familja.

Në shumë zona, me gjethet e gërshetuara të palmave, realizohen vepërza të vërteta arti, që shkëmbehen si dhuratë feste ndërmjet besimtarëve. Në prag të Pashkëve të reja, degët e vjetra digjen e hiri i tyre përdoret për përhimjen e besimtarëve të Mërkurën e Përhime.

Në Ungjillin e Gjonit (12,12-15) tregohet se populli i Jeruzalemit pati përdorur vetëm rrema palmash që, sipas shumë komentuesve, janë simbol i ngadhënjimit, brohorisë e madhështisë mbretërore. Nësa degët e ullirit, të cilat në Ungjill nuk përmenden, nisën të përdoren më vonë në traditën popullore, sidomos atje, ku nuk kishte palma. Në Shqipëri, për shembull, ku kishte shumë lari e pak e aspak palma. Palmat, që shikojmë sot në oborre, janë shumë më të vona se koha kur meshtarët katolikë e panë të arsyeshme të përdorin degët e larit për të Dielën e Palmave e, prej këndej, edhe ta quanin e Diela e Larit, siç quhet edhe sot e kësaj dite.

Ndërsa në një antifonë të lashtë gregoriane këndohet: “Pueri Hebraeorum portantes ramos olivarum obviaverunt Domino”(Të rinjtë hebrenj shkonin ta takonin Zotin duke mbajtur në duar degë ulliri).

Në zonat ku nuk rritet ulliri, si Evropa veriore, palmat, ullinjtë e lari zëvendësohen me lule e gjethe, gërshetuar bashkë, ose thjesht me degë pemësh në lulëzim.

Shënime historike
Lajmet, të cilat flasin për bekimin e palmave, vijnë nga shekulli VII, në përkim me rëndësinë gjithnjë e më të madhe që nisi t’i jepej procesionit. U bekuan, së pari, në Jeruzalem, aty nga fundi i shekullit IV e pothuajse menjëherë u përfshinë edhe në liturgjinë e Sirisë e të Egjiptit.

Në perëndim këtë të diel mbaheshin kremtimet, që i paraprinin Pagëzimit, ndërsa vetë Pagëzimi kremtohej e kremtohet për Pashkë. Përsa i përket fillimit solemn të Javës së Madhe, bekimi e procesioni i palmave nisi shumë më vonë: më parë në Gali (shekulli VII-VIII), ku Teodulfi i Orleans kompozoi himnin “Gloria, laus et honor”, e më pas në Romë, në fund të shekullit XI.

Gëzuar të Dielën e Larit!
Është dita e Paqes për botën mbarë
Kumbojnë këmbanat në festë,
vrapojnë fëmijët me rrema ulliri
në duart e njoma.
Pëllumba të bardhë, simbol i paqes
rrahin flatrat drejt qiellit.
Është festa e ngadhënjimit të Zotit:
qiej edhe tokë i pushton!
Është Dita e Larit:
të galdojmë e të kremtojmë!
Është festa që pas vdekjes, i prin
kumtit të madh të Ringjalljes.
Urime të gjithëve:
Në kujtim të Krishtit,
që erdhi të na sjellë paqen,
ta jetojmë mësimin e Zotit!

Ta duam tjetrin
Është koha të ngarendim ndër kisha,
t’i mbushim përplot.
Të kota janë degët e ullirit,
ndër shtëpitë e udhët tona
nëse nuk e kemi në shpirt
vullnetin të bëhemi të gjithë,
kasnecë të paqes
e të ringjalljes,
e paqen ta çojmë në çdo prag
me degët e para
ngarkuar me lule pranvere.

Radio Vatikani

SHKARKO APP