Sot në ditëlindjen e aktorit Ndrek Prela, mjeshtrit të madh të roleve të vogla

Nga Albert Vataj
Sot, në ditën e lindjes së tij, kujtojmë një nga ata artistë që nuk kërkuan kurrë dritën e fortë të lavdisë, por u bënë vetë një dritë e qetë dhe e qëndrueshme në ndërgjegjen tonë kulturore. Ndrek Prela mbetet figura e rrallë e aktorit që e jetoi artin si një akt besimi, si një përkushtim të përditshëm, të heshtur dhe të patundur.
Ai nuk e ngriti zërin për t’u dëgjuar, por e thelloi shpirtin për t’u ndjerë. Në rolet e tij, shpesh të vogla në peshën dramatike, por të mëdha në përmbajtjen njerëzore, ai solli një univers të tërë ndjeshmërie, një përkorje interpretimi që e dallon menjëherë nga të tjerët. Ishte mjeshtër i atyre prurjeve që nuk bëjnë bujë, por që mbeten gjatë, si një jehonë e butë në kujtesën e publikut.

I lindur më 20 mars 1920 në Tivar dhe i rritur mes përvojave të jetës që e kalitën që herët, ai e gjeti rrugën e tij drejt skenës jo nga një ambicie e shpallur, por si një thirrje e brendshme. Fëmijëria në emigrim, kthimi në Shkodër dhe kontaktet e para me atmosferën festive të karnavaleve, ishin ndoshta fillesat e një lidhjeje të padukshme me teatrin, që më pas do të bëhej fat i tij.
Në skenën e teatrit të Shkodrës dhe në kinematografinë shqiptare, ai ndërtoi një profil të pazëvendësueshëm. Qoftë si gjyshi tek “Komisari i dritës”, si xha Rizai tek “Në fillim të verës”, apo si plaku Xhiko tek “Në pyjet me borë ka jetë”, ai i dha jetë figurave që nuk ishin thjesht personazhe, por bartës të një morali të brendshëm, të një urtësie popullore dhe një drame të heshtur njerëzore.

Në teatër, ku e ndiente veten më të plotë, ai krijoi dimensionin e tij më të thellë artistik. Roli i Gjelosh Nikës tek drama “Fisheku në pajë”, i interpretuar qindra herë, apo ai i Rahmi Sulës tek “Çështja e Blertës”, mbeten dëshmi të një aktori që nuk e përsëriste veten, por e rindërtonte çdo herë të njëjtin rol si një përjetim të ri.
I vogël në shtat, por i madh në shpirt, me një zë të veçantë dhe një prani të brendshme që nuk harrohet, Ndrek Prela mishëronte tipin e aktorit që nuk “luan”, por jeton në skenë. Vetë ai do të këmbëngulte se interpretimi është e vetmja rrugë e vërtetë e aktorit, ndërsa “loja” mbetet sipërfaqe.
Modestia e tij ishte po aq e madhe sa edhe talenti. Ai nuk i njohu vetes merita të mëdha, ndonëse publiku ia dha ato pa kursim. Ishte kërkues ndaj vetes deri në mosbesim, duke e vënë gjithmonë artin përpara vetes, si një standard që duhej arritur e tejkaluar vazhdimisht.

Edhe kur u largua nga skena për shkak të moshës, nuk bëri zhurmë. U tërhoq me dinjitetin e atij që e di se vlera nuk ka nevojë për shpallje. Dhe kur u rikthye, vite më vonë, e dëshmoi sërish se arti i tij nuk ishte konsumuar, por ishte pjekur në heshtje.
Ai u shua më 14 tetor 2011 në Shkodër, por prania e tij mbetet e gjallë, në kujtesën e roleve, në timbrin e zërit, në figurën e atyre “plakëve” që ai i bëri të pavdekshëm.
Sot, në këtë përvjetor lindjeje, Ndrek Prela nuk kujtohet thjesht si një aktor, por si një ndërgjegje artistike. Një dëshmi se arti i vërtetë nuk matet me madhësinë e rolit, por me thellësinë e shpirtit që i jepet atij.
Dhe ai, me përkorjen e tij të rrallë, i dha artit shqiptar jo pak nga vetja, por më të mirën e vetes.
KOHA JONË SONDAZH

