Stinë veprash të mëdha për Teatrin e Operas dhe Baletit
Trupat artistike të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, prej disa ditësh janë rikthyer në mjediset e restauruara të Teatrit, rikonstruksioni i të cilit, ka nisur rreth tre vjet më parë dhe kanë nisur përgatitjet për dy shfaqje të mëdha, pjesë e kalendarit artistik të shpallur për vitin 2020. Deri në përfundimin e plotë të sallës së shfaqjeve, TKOB, do ta vazhdojë rrugëtimin, si deri më tani, në salla të tjera. Muaji mars është muaji i veprave të mëdha; në datat 13, 15 dhe 16 mars opera e Puccini-t, “La Boheme” në Pallatin e Kongreseve dhe në datat 19 dhe 20 mars, baleti i Youri Vamos-it, “Carmina Burana”, me muzikë të Carl Orff në sallën e madhe të arTurbinës.
La Boheme
Historia e dashurisë së një çifti të ri, pa para, por plotë shpresë, është bosht në “Bohemën” e Puccinit. “LaBoheme” është një histori që pasqyron rininë dhe përballjen me dhimbjen; kalimi nga adoleshenca drejt pjekurisë. Realiteti i ashpër për shkak të gjendjes shëndetësore të Mimisë, e cila vuan nga tuberkulozi dhe vdes në krahët e Rodolfos, ndryshon përgjithmonë fatin e të gjithë personazheve. “La Boheme” shënon konfirmimin e Puccini-t si kompozitor plotësisht i pjekur dhe origjinal; përmban disa nga ariet më të paharrueshme të skenave muzikore në opera. Premiera botërore e “La bohème” ishte në Torino në 1 shkurt 1896 në Teatro Regio, e realizuar nga 28-vjeçari Arturo Toscanini.
O Fortuna!
“Carmina Burana” konsiderohet një ndër veprat e para klasike në historinë e muzikës.
Në thirrjen “O Fortuna” ndaj perëndeshës së fatit shfaqet lutja për dashuri e fat. Rrota e fatit është simboli që përcakton uljet dhe ngritjet në jetën e njeriut, me ciklet e tensioneve që krijohen në marrëdhëniet njerëzore të burrave dhe grave, pavarësisht moshës së tyre.
Kjo vepër zgjon fantazinë si asnjë vepër tjetër e shekullit të 20-të, gjatë së cilës shpaloset një himn ngazëllyes për dashurinë e sinqertë.
“Carmina Burana” mbetet një eksperiencë artistike që gozhdohet në memorien e çdo spektatori. Baleti i Youri Vámos me muzikë të Carl Orff (1895–1982) prezantohet përpara publikut nga trupa e baletit të TKOB-it në mbrëmjet e 18 dhe 19 marsit, në sallën e madhe të arTurbinës. Koreografia e tij e parë e “Carmina Burana” është realizuar në vitin 1985, në Teatrin Shtetëror të Operas, në Berlin.