Teatri Shëtitës në datat 7, 8 dhe 9 maj në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve rifillon shfaqjen brilante “Boeing Boeing”

Teatri Shëtitës rikthen shfaqjen brilante “Boeing Boeing”. Komedia e suksesshme franceze rikthehet në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve, me një publik që respekton distancat. Me interpretimin e aktorëve të njohur dhe me regji nga Kiço Londo, “Boeing Boeing” rikthehet për publikun në datat 7, 8, dhe 9 maj në orën 19:30. Vepra e autorit Marc Camoletti në çdo skenë ku ka qenë ka shënuar sukses. Në ditët e muajit maj Teatri Shëtitës e rikthen për publikun, i cili pas kohës së gjatë pa shfaqje teatrore mund të ndjekë për tre net me radhë një nga komeditë më të bukura. Me mbi 150 shfaqje në skena të ndryshme, aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe vijnë në komedinë me autor Marc Camoletti, përkthyer me mjeshtëri nga Nasi Lera dhe me regji nga Kiço Londo. Rolet në vepër interpretohen nga aktorët Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Rudina Dembacaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katertina Fili. Kostumografia në vepër është nga Sofi Kara dhe skenografia nga Gerta Qyrku. Teatri shëtitës “Çajupi” nisi udhëtimin e tij këtë vit me komedinë franceze “Boeing Boeing”, një nga veprat teatrore që vjen në vijim të punës së Londos si regjisor. Shfaqja më e suksesshme teatrore e 30 viteve të fundit, në ditët e muajit mars ishte në teatrin e qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”. “Në një kohë çmendurie t’i qëndrosh përballë çmendurisë është çmenduri”, ishte slogani që regjisori Kiço Londo kishte zgjedhur për të prezantuar “Boeing Boeing”, në skenën e teatrit në Kosovë. Teatri shëtitës “Çajupi” paralelisht me këtë vepër që u shfaq në Gjakovë dhe tani në maj vjen për tre net me radhë në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve ka filluar punën dhe me përgatitjen e premierave të reja, që do të vijnë në vijim për publikun. Në një reagim të tij më parë regjisori Kiço Londo u shpreh se ka ardhur koha që teatri të fitojë funksionin e tij. “Teatër do të thotë bashkë dhe teatri nuk mund të ndiqet nga aparati celular”, tha Londo në muajin mars kur prezantoi komedinë, që do të ishte në Gjakovë.

Ngjarjet në komedinë “Boeing Boeing” ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert. Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbejë dy çmime, Tony Award në 2008 dhe Broadway Revival Edicion, po atë vit.

SHKARKO APP