Teatri “Zihni Sako” i Gjirokastrës do rikonstruktohet

Në godinën e teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër brenda verës së këtij viti do të nisin punimet për rikonstruksionin e saj.

Lajmi i u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, i cili tha se “një lajm i mirë për Gjirokastrën. Brenda verës do të nisim punimet për rikonstruksionin e Teatrit “Zihni Sako”, një investim i mezipritur nga aktorët që kanë një jetë në atë skenë, por edhe nga publiku që i ka ndjekur nga njëra shfaqje në tjetrën”.

“Falë mbështetjes së qeverisë italiane përmes programit IADSA me një fond rreth 43 milionë lekë dhe një pjesë tjetër të buxhetit që do ta vendosë vetë bashkia, në pak kohë do të transformojmë një hapësirë tejet të rëndësishme për jetën kulturore e artistike në Gjirokastër”, – theksoi Golemi.

Kryebashkiaku Golemi tha se “mezi pres që të nisim punën dhe ta përfundojmë këtë investim”.

Ai shprehu mirënjohje të veçantë për miqtë italianë.

Teatri “Zihni Sako” u themelua në 27 nëntor 1968 nën udhëheqjen e regjisorit Bernard Kokalari, i cili vuri për herë të parë në skenën premierën dramatike “Shokët”. Plejada e aktorëve të teatrit “Zihni Sako”, kanë dhënë mbi 100 premiera dhe ka marrë pjesë në takimet kombëtare, ku ka merituar edhe çmime.

SHKARKO APP