Televizioni i njohur francez “Arte” dokumentar për “Fundjavë Ndryshë”
Pesë vjet më parë, Arbër Hajdari themeloi një shoqatë humanitare për të ndihmuar të varfrit që jetojnë në Shqipëri. Kjo varfëri nuk është e re, shpjegon ai, por shoqëria e ka injoruar atë. Falë këtij fondacioni, mijëra familje shqiptare kanë dalë nga varfëria. Por, ka ende shumë punë për të bërë, pasi rreth 40% e shqiptarëve jetojnë me më pak se pesë euro në ditë.
Kështu e përshkruan televizioni prestigjioz “Arte”, punën e “Fundjavë Ndryshe”. Për disa ditë stafi i tyre qëndroi në Shqipëri për të kryer një dokumentar për fondacionin. I realizuar nga gazetari Dirk Schraeder, në materialin prej 30 minutash është dhënë një panoramë e gjerë e veprimtarisë së “Fundjavë Ndryshe”. Por, jo vetëm kaq. Në të janë prezantuar sfidat dhe vështirësitë e fillimit.
“Prindërit e mi kishin të dy fëmijëri të vështira në familje shumë të varfra. Babai im u rrit jetim, kjo është edhe një nga arsyet pse prindërit e mi më mbështetën shumë në muajt e parë të punës sime. Por më pas patjetër që kishte momente kur ata më pyesnin se ku po shkoja në të vërtetë. Në fillim, fondacioni ishte shumë i vogël, jo aq i madh sa sot. Në atë kohë ata ishin skeptikë, sot ata janë përsëri plotësisht në mbështetjen time dhe më ndihmojnë kudo që të munden,” është shprehur në dokumentar themeluesi i fondacionit, Arbër Hajdari.
Stafi televizionit europian u bë pjesë e disa prej aktiviteteve që “Fundjavë Ndryshe” është duke zhvilluar prej 5 vitesh tashmë. Në aktivitete si inagurim shtëpie, shpërndarje ndihmash, përkujdesja shëndetësore, pastrimi i ambientit e shumë të tjera.
Pesë vjet pas themelimit të tij, fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ka ndihmuar mbi 50,000 familje shqiptare për t’i nxjerr nga varfëria. Disa i shpëtuan varfërisë përkohësisht, të tjerët përgjithmonë. Entuziazmi i të rinjve vullnetarë nuk i lë të dëshpërohen. Por detyra e tyre mbetet gjigante.
Me këto fjalë gazetari Schraeder ka zgjedhur të mbyllë dokumentarin e përkthyer në tre gjuhë të ndryshme. Duke shprehur kështu vlerësimin për punën e madhe të kryer nga “Fundjavë Ndryshe” dhe shpresën që një grup të rinjsh vazhdojnë të përcjellin çdo ditë.