Turizmi kulturor, hyrje falas në muzetë dhe parqet arkeologjike
Një nga këshillat e mjekëve, është që të zbulojmë natyrën dhe jo të grumbullohemi në kafene, shkuma party apo në vende ku luhet muzikë, si një rrugë për të luftuar betejën e fortë ndaj pandemisë së Covid-19. Sitet e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe muzetë e vendit, po tërheqin përherë e më shumë vizitorët vendas, por edhe të huaj. Nisma e Ministrisë së Kulturës që turistët dhe vizitorët, është që ditën e dielë të vizitojnë falas muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ftoi sërish vizitorët vendas dhe të huaj të mos e humbasin rastin këtë të dielë, për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike, pa biletë.
Në kushtet e situatës së Covid-19, Ministria e Kulturës ka marrë disa masa lehtësuese, që synojnë të nxisin turizmin, një ndër të cilat është dhe hyrja falas çdo të diel në muzetë dhe parqet arkeologjike. Vizitat kryhen gjithnjë duke respektuar protokollet e mbrojtjes kundër përhapjes së Covid-19.
Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit në Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj, ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.