”Uzina Mekanike e Kuçovës”, homazh për një kohë të paharruar

Uzina mekanike e Kucovës në industrinë e naftës në vitet 1963-1988 është një histori e gjallë, mbi zhvillimin teknik, teknologjik dhe shkencor të kësaj qendre të madhe të mekanikës së naftës, uzinë që shkëlqeu me aktivitetin e saj prodhues në dekadat e fundit të shekullit të kaluar. Kjo qendër e madhe e mekanikës arriti kulmin e saj të zhvillimit tekniko- shkencor me prodhimin e sondave “Tomori-50” dhe “Naftëtari-200”. Një libër mbi panoramën e plotë të teknikës mekanike të asaj periudhe me autor ing. Hektor Petromilo, sapo ka mbërritur në duart e të apasionuarve pas botës inxhinierike, i cili na njeh me punën dhe sakrificat e mëdha të naftëtarëve të asaj kohe.

Në brendinë e këtij libri përshkruhen qartë dhe me shumë dashuri se si kjo uzinë u bë lideri i padiskutueshëm i mekanikës së industrisë së naftës, një degë shumë e rëndësishme për ekonominë e vendit. Uzina mekanike e naftës në Kucovë, u bë e tillë me punën e jashtëzakonshme në zbatimin me guxim, vërtetësi dhe sakrifica të teknologjive të avancuara shkencore të nivelit bashkëkohor të vendeve më të industrializuara të kohës. Libri ka tetë pjesë që lidhen organikisht me njëra –tjetrën duke dhënë një tablo të qartë të punës që bëhej në atë uzinë.

Shumë arritje dhe suksese në teknologji dhe prodhime të reja do t’u shërbenin të gjithëve sepse ishin ide, ëndrra të vërteta që do të mbeteshin në kujtesën e njerëzve të thjeshtë dhe të atyre që kishin jetuar e punuar për vete dhe familjet e tyre. Me emrin ing. H. Petromilos lidhen shumë arritje madhore shkencore në teknologji, unike për nga mënyra e aplikimit. Në libër zbërthehen në detaje se çfarë e bëri këtë njeri pasionant të vrapojë më shpejt se koha. Ndër të tjera ky libër propozon shpresë për historiografinë e mekanikës, për ata të cilët pritet të zbulojnë me vërtetësi ngjarje dhe zhvillime të kësaj dege, dikur të fuqishme të ekonomisë sonë. Suksese të tilla teknologjike, në kushtet e një uzine si Uzina Mekanike e Kucovës, shënojnë një epokë të suksesshme që do të mbeten gjatë në memorien historike të zhvillimit të industrisë mekanike të vendit, si monumente të paharrueshme shkencore.

SHKARKO APP