Vallja e Osman Takës në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, ministri Gonxhja: Pasuri e çmuar
Vallja e Osman Takës është përfshirë në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë. Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Për të vallja është një nga shprehjet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një simbol i identitetit çam, që mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë brez pas brezi.
E lidhur me figurën e Osman Takës nga Konispoli, vallja dallohet për lëvizjet e saj të fuqishme dhe elegante, përmes të cilave përcillen vlera si trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë. Ministri theksoi se përfshirja e saj në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale përbën një tjetër hap në ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj pasurie të kulturës shqiptare.
“Vallja e Osman Takës përfshihet në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë. Një nga shprehjet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe simbol i identitetit çam, kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza. E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, vallja dallohet për lëvizjet e fuqishme dhe elegante, përmes të cilave përcillen trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë. Përfshirja e saj në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale është një tjetër hap në ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj pasurie të çmuar të kulturës shqiptare”,-shkroi Gonxhja

