Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë

Nga Albert Vataj
Çdo prekje e tij mbi shkëmb nuk ishte thjesht një akt pune, por një çast zgjimi, një frymëmarrje e thellë që çlirohej nga mijëra vite ngjizje magmash, nga një heshtje e lashtë që priste dorën e njeriut për t’u kthyer në formë. Në çdo masiv metali, ai zgjonte një jetë të fshehur, një tension të brendshëm që kërkonte të shpërfaqej, të merrte trajtë, të bëhej dëshmi. Në çdo trung peme, ai ndiente pulsin e një statuje që kërkonte liri, një trup të burgosur në lëndë që priste çlirimin përmes mjeshtërisë.

Kudo që Vasil Rakaj hodhi vështrimin dhe kredhi duart e tij prej krijuesi, ai dëgjoi thirrjen e thellë të kohës, një jehonë që vinte nga thellësitë e historisë dhe nga brendësia e vetë qenies njerëzore. Ai nuk krijonte thjesht forma; ai lindte përjetësinë e atyre që, përmes jetës dhe veprës së tyre, kishin prekur vetë përjetësinë. Në këtë akt, arti i tij bëhej një urë midis asaj që ka qenë dhe asaj që mbetet.
Dhe ndërsa bota e tij popullohej me figura, me simbole, me shpërthime ndjesish të kristalizuara në materie, ai vetë ngrihej në një qetësi sovrane, jo si sundues i jashtëm, por si një mjeshtër që kishte fituar të drejtën të sodiste veprën e vet si një univers të përmbushur. Ishte një fron i heshtur, ku madhështia nuk imponohej, por përulej në adhurim përpara aktit krijues.


Ai, djali nga Boga e Malësisë së Madhe, kishte ardhur deri këtu me hapat e ndrojtur të ëndërrtarit, duke bartur brenda vetes peshën e një bote të tërë, kujtesën, dhembjen, krenarinë, historinë. Dhe këtë barrë nuk e mbajti për ta fshehur, por për ta kumtuar. E shndërroi në një mesazh që i flet së tashmes me zërin e përjetësisë, si një lajm që zbret nga një qiell i brendshëm, i pasur me dritë dhe me përkushtim.
Për të, arti nuk ishte vetëm shprehje, por origjinë: “Në botë, gjuha e parë e komunikimit ka lindur përmes artit dhe kush e ruan të pastër këtë lloj komunikimi quhet artist.” Dhe ai e ruajti këtë gjuhë të pastër, të paprekur nga zhurma, duke e bërë çdo vepër të tij një fjalë të gdhendur në kohë, një fjalë që nuk shuhet.

Swiss Digital Desktop Reklama

Jetëshkrim dhe dritëlshim për artistin
Vasil Rakaj u lind më 27 mars 1954, në një kohë kur jeta rridhte e thjeshtë, por e mbushur me vlera të trashëguara brez pas brezi. Ai erdhi në një familje që më pas do të begatohej me edhe katër fëmijë të tjerë, duke ndërtuar një trung të fortë njerëzor, ku ndarja e bukës dhe e shpirtit ishte ligj i pashkruar.

Swiss Digital Mobile Reklama


Rrënjët e hershme të familjes së madhe Rakaj gjenden në fshatin Bogë të Malësisë së Madhe, një trevë e njohur për qëndresën, dinjitetin dhe pasurinë e saj shpirtërore. Aty, në atë hapësirë ku mali dhe qielli duken sikur flasin me njëri-tjetrin, u ngjiz edhe fryma e parë e ndjeshmërisë artistike të Vasilit. Tradita, peizazhi i egër dhe njëherësh madhështor, si dhe kultura e trashëguar e kësaj ane, do të bëheshin më vonë pjesë e pandashme e botës së tij krijuese.


Fëmijëria e tij u ushqye nga rrëfimet e të parëve, nga legjendat që mbartnin gurët dhe nga një ndjeshmëri e hershme për formën dhe përjetësinë që ajo mund të mbajë brenda vetes. Ishte pikërisht kjo lidhje organike me vendlindjen dhe me rrënjët që e shtyu drejt artit, drejt kërkimit për të gdhendur jo vetëm materien, por edhe kujtesën.


Në rrugëtimin e tij, arti nuk është thjesht profesion, por një mënyrë për të sfiduar harresën. Çdo vepër e tij mbartte një përpjekje për të kapur të pakapshmen, për të bërë të prekshme atë që koha përpiqet ta fshijë. Në këtë kuptim, krijimtaria e Vasil Rakajt mund të lexohet si një dialog i pandërprerë mes njeriut dhe përjetësisë.
Ai nuk është vetëm një artist që punonte me formën; është një dëshmitar i kohës së tij, një ruajtës i kujtesës dhe një zë që përpiqej të fliste përtej kufijve të së përkohshmes. Dhe pikërisht në këtë përpjekje, ai arriti të skalisë në veprën e tij atë që shumëkush vetëm e ëndërron: një gjurmë që i reziston kohës.

Mjeshtri Rakaj, nga hapa filluese e hapave në Shqipërisë, te lavdia amerikane
Artisti Vasil Rakaj është një nga figurat më përfaqësuese të krijimtarisë shqiptare në diasporë, një emër që mbart në vetvete përkushtimin ndaj artit dhe dinjitetin e një identiteti që nuk tretet, por përkundrazi, zgjerohet në hapësira të reja. Emigrimi i tij së bashku me familjen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ishte thjesht një zhvendosje gjeografike, por një kapërcim i madh jetësor, ku sfida dhe mundësia u ndërthurën në një rrugëtim të ri krijues.


Sot, ai jeton dhe krijon në Connecticut, në një mjedis që i ofroi jo vetëm kushte, por edhe horizont për të zhvilluar më tej potencialin e tij artistik. Në këtë tokë të mundësive të shumta, Vasil Rakaj arriti të ndërtojë një hapësirë të vetën krijuese, një studio ku arti nuk është vetëm punë, por frymëmarrje, reflektim dhe dialog i vazhdueshëm me kohën dhe kujtesën.
Veprat e tij janë shprehje të një bote të pasur emocionale, ku ndërthuren ndjesitë patriotike, lirizmi i brendshëm dhe përjetimet personale. Ato marrin frymëzim njëkohësisht nga vendlindja dhe nga realiteti amerikan, duke krijuar një urë të ndjeshme mes dy botëve. Kjo dualitet krijues nuk është përplasje, por bashkëjetesë harmonike, ku identiteti shqiptar mbetet boshti, ndërsa përvoja amerikane i jep dimensione të reja shprehjes artistike.


Procesi i tij krijues, që zhvillohet në studion pranë familjes në Connecticut, është një akt i përditshëm i lidhjes me rrënjët dhe i përditësimit të tyre në një kontekst të ri. Përmes skulpturës dhe formave të tjera të shprehjes, ai i jep jetë kujtesës, historisë dhe ndjenjave, duke i bërë ato të prekshme dhe të komunikueshme për publikun.
Veprat e Vasil Rakajt nuk janë vetëm objekte artistike, ato janë bartëse emocionesh, dëshmi kulture dhe reflektime historike që pasurojnë jetën e komunitetit ku ai jeton. Ato i japin qytetit një dimension estetik dhe shpirtëror, ndërsa publikut i ofrojnë përvoja të thella dhe të veçanta artistike.


Falë përkushtimit, seriozitetit dhe integritetit qytetar të tij dhe familjes, Vasil Rakaj ka fituar respekt dhe vlerësim në komunitetin ku jeton. Përmes pjesëmarrjes në ekspozita dhe aktivitete artistike, ai ka krijuar lidhje të qëndrueshme me shoqata artistësh dhe me krijues të ndryshëm në të gjithë Shtetet e Bashkuara, duke u bërë pjesë aktive e jetës artistike dhe duke kontribuar në pasurimin e saj.
Në këtë mënyrë, rrugëtimi i tij nga Shqipëria drejt Amerikës nuk është thjesht një histori emigrimi, por një dëshmi e fuqisë së artit për të kapërcyer kufijtë, për të ruajtur identitetin dhe për të ndërtuar një përkatësi të re, pa humbur asnjëherë thelbin e origjinës.

Hapat e formimit të mjeshtrit
Në artet figurative dhe në formimin akademik të një artisti, themeli ndërtohet mbi disiplinën e rreptë të njohjes dhe zbatimit të ligjeve të përfaqësimit: proporcioni, perspektiva, trajtimi i dritë-hijes dhe ndjeshmëria ndaj teksturës së modelit. Këto nuk ishin thjesht kërkesa teknike, por një kod themelor i edukimit estetik, i mishëruar në programet dhe kurrikulat e shkollave artistike të kohës. Në këtë mjedis rigoroz, u formësua edhe Vasil Rakaj, duke ndërtuar një bazë të qëndrueshme që do të mbështeste më pas gjithë rrugëtimin e tij krijues.
Në Liceun Artistik, ai u përgatit si një artist figurativ-realist, duke dëshmuar që herët një ndjeshmëri të spikatur ndaj formës dhe karakterit njerëzor. Një nga dëshmitë më domethënëse të kësaj periudhe është portreti i liceistit Bashkim Zahaj, një punim që flet për një aftësi të rrallë në kapjen e ngjashmërisë, por mbi të gjitha të psikologjisë së modelit. Në këtë portret, Rakaj nuk ndalet vetëm në riprodhimin e tipareve fizike; ai depërton në gjendjen e brendshme, në emocionin që lëviz nën sipërfaqe, duke e kthyer skulpturën në një akt të gjallë komunikimi mes artistit dhe subjektit.


Në vitin 1973, gjatë vitit të fundit në lice, ai u njoh edhe me një dimension tjetër të rëndësishëm të skulpturës: gdhendjen në gur. Kjo lëndë drejtohej nga Vladimir Kaçaku, një artist i ri për kohën, me prirje moderne dhe me një qasje që prekte elementë të minimalizmit dhe kubizmit. Nën drejtimin e tij, studentët u njohën me disiplinën e materialit, me rezistencën e gurit dhe me kërkesën për përqendrim maksimal që kërkon procesi i gdhendjes. Kjo përvojë do të ndikonte ndjeshëm në ndërtimin e raportit të Rakajt me materien dhe me formën.


Studimet e tij vijuan në Instituti i Lartë i Arteve gjatë viteve 1973–1977, një periudhë formuese intensive, ku ai u dallua si një ndër studentët më të talentuar dhe më këmbëngulës. Rakaj shfaqi një përkushtim të veçantë në njohjen e teknologjive të qeramikës, si dhe një disiplinë të admirueshme në përmbushjen e detyrave kompozicionale deri në përfundimin e tyre të plotë. Në këtë fazë, ai konsolidoi aftësitë e tij në pasqyrimin realist, duke rritur kontrollin mbi formën dhe strukturën, në përputhje me kërkesat estetike të kohës.


Kjo periudhë përkoi me një klimë të ashpër ideologjike, ku Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e Shqipërisë ushtronte kontroll të fortë mbi krijimtarinë artistike. Kritikat dhe dënimet ndaj çdo devijimi nga kanonet e realizmit socialist ishin të shpeshta, duke imponuar një vetëkontroll të vazhdueshëm te studentët dhe pedagogët. Megjithatë, brenda këtyre kufizimeve, artistët e rinj të talentuar, mes tyre edhe Vasil Rakaj, arritën të ruajnë një nivel të lartë profesionalizmi, duke shmangur rënien në amatorizëm dhe duke gjetur hapësira të vogla, por domethënëse, për interpretime personale dhe zgjidhje krijuese me integritet.


Në Akademinë e Arteve, programi i studimit në degën e skulpturës ishte i ngjeshur dhe gjithëpërfshirës: punë me model të gjallë, kompozim, vizatim, procese të qeramikës, si dhe gdhendje në gur e dru. Këto ushtrime nuk ishin vetëm detyra akademike, por një laborator i vërtetë formimi, ku studenti përballej çdo ditë me sfidën e përkthimit të realitetit në formë artistike.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces luajtën edhe praktikat mësimore pranë vendeve arkeologjike dhe historike. Aty, studentët viheshin përballë trashëgimisë së skulpturës antike: shtatoreve, portreteve, kokave klasike, si dhe objekteve të kulturave të hershme. Këto modele përbënin një burim të pashtershëm frymëzimi dhe një shkollë të heshtur, ku çdo detaj i skalitur mbante brenda përvojën e shekujve. Pikërisht në këtë kontakt të drejtpërdrejtë me antikitetin, Rakaj dhe bashkëkohësit e tij gjetën jo vetëm teknikën, por edhe filozofinë e formës, atë lidhje të thellë mes trupit, shpirtit dhe përjetësisë, që më pas do të bëhej thelb i krijimtarisë së tij.

Nga arsimimi formësues në jetën e dinamizmit krijues
Pas përfundimit të studimeve në vitin 1977, Vasil Rakaj hyri në një fazë të re të jetës së tij, ku formimi akademik do të përkthehej në përvojë konkrete dhe në përballje të drejtpërdrejtë me materien dhe realitetin. Një vit pune në mjediset e poçerisë pranë Ndërmarrjes Artistike në Krujë i shërbeu si një laborator i rëndësishëm praktik, ku ai thelloi njohjen mbi proceset e formësimit, mbi disiplinën e materialit dhe mbi raportin mes dorës së mjeshtrit dhe rezistencës së lëndës.
Në vitin 1978, ai u emërua mësues i artit në shkollën “Dan Bajrami” në fshatin Gjorm të rrethit të Kurbinit. Ky rol nuk ishte thjesht një detyrë profesionale, por një mision edukues, ku arti shndërrohej në mjet formimi për brezat e rinj. Paralelisht me mësimdhënien, Rakaj zhvilloi një veprimtari intensive krijuese në skulpturë, pikturë dhe vizatim, duke marrë pjesë në ekspozita lokale dhe kombëtare, ku prezantonte frytet e një pune të vazhdueshme dhe të përkushtuar.
Në vitet 1978–1990, ai, së bashku me mikun e tij të ngushtë, mësuesin e historisë Dalip Karameti, u përfshi në një nismë me rëndësi kulturore: ngritjen e muzeve historikë lokalë në dhjetëra fshatra. Ky angazhim ishte më shumë se një detyrë institucionale; ishte një akt i vetëdijshëm për të ruajtur kujtesën historike dhe për ta materializuar atë përmes objekteve, figurave dhe narrativave që i jepnin komunitetit një ndjenjë identiteti dhe vazhdimësie.


Krahas punës si mësues dhe aktivitetit shoqëror, në studion e tij personale, Rakaj krijoi dhjetëra punime të gdhendura në gur dhe dru. Ai realizoi porosi për muzetë e fshatrave, kryesisht portrete heronjsh të luftës nga zonat e Krujës dhe Kurbinit, duke i dhënë formë fizike figurave që jetonin në kujtesën kolektive. Njëkohësisht, ai kultivoi krijime me tema të lira, duke trajtuar motive nga jeta e përditshme, lojërat popullore dhe botën shpirtërore të njeriut.
Figura njerëzore që ai modeloi në këtë periudhë shfaqet në shumë dimensione: si hero, si patriot, si punëtor, si malësor, si nxënëse apo si figurë simbolike e përballjes dhe sakrificës. Në secilën prej tyre, Rakaj përpiqej të kapte jo vetëm tiparet e jashtme, por edhe thelbin psikologjik dhe individualitetin e modelit. Edhe pse i detyruar të respektonte parimet e realizmit figurativ dhe normat e realizmit socialist, ai kërkonte vazhdimisht të përmirësonte mjetet e tij shprehëse, duke synuar një thellim të ndjeshmërisë dhe një pasurim të simbolikës, të lidhur ngushtë me zakonet dhe traditat e krahinës.
Në këtë etapë të rëndësishme, fillon të marrë formë edhe stili i tij vetjak artistik. Si çdo krijues i vërtetë, Rakaj nuk mbeti i ngurtë brenda një formule; përkundrazi, stili i tij evoluoi bashkë me përvojën, me reflektimin dhe me ndryshimet që ai përjetoi si artist dhe si njeri. Brenda kësaj dinamike, krijimtaria e tij mbetet një dëshmi e përpjekjes së vazhdueshme për të gjetur ekuilibrin mes kërkesave të kohës dhe zërit të brendshëm krijues, një ekuilibër që vetëm mjeshtrit arrijnë ta mbajnë gjallë.


Stilistika krijuese e skulptorit Rakaj
Në panoramën e sotme të artit skulpturor, krijimtaria e Vasil Rakajt shfaqet si një ndërthurje e qëndrueshme midis traditës figurative realiste dhe impulseve të një kërkimi të brendshëm estetik, që nuk i nënshtrohet skemave të ngurta. Pamja vizuale e veprës së tij mbetet thelbësisht figurative dhe e lexueshme, por ajo nuk kufizohet në një realizëm imitues; përkundrazi, është një realizëm i përpunuar, i filtruar përmes përvojës, ndjeshmërisë dhe reflektimit të artistit mbi kohën dhe subjektin.
Stili i Rakajt është i lidhur ngushtë me mënyrën se si ai ndërton kompozimin dhe si i qaset materialit. Ai nuk është një konstrukt i rastësishëm, por një sistem i ndërgjegjshëm zgjedhjesh: nga niveli i realizmit dhe i abstraksionit, te trajtimi i teksturës, dinamika e volumeve, ritmi i masave dhe tensioni emocional që përcjell vepra. Në këtë kuptim, çdo skulpturë e tij është një ekuilibër i menduar midis formës dhe ndjesisë, midis strukturës dhe shpirtit.
Në thelbin e vetëdijshëm, stilistika e tij buron nga impulsi fillestar krijues, ai moment frymëzimi që e vë në lëvizje procesin artistik dhe që lidhet me përmbajtjen filozofike të veprës. Ndërsa në planin e nënvetëdijshëm, stili shfaqet përmes mënyrës se si ai e trajton lëndën, si e modelon sipërfaqen dhe si e materializon vizionin e tij. Këto dy shtresa, ajo e menduar dhe ajo intuitave, bashkëveprojnë për të ndërtuar një gjuhë plastike të veçantë, të dallueshme dhe koherente.


Në përgjithësi, Vasil Rakaj mbetet një skulptor figurativ, i rrënjosur në traditën e shekullit XX, por me një individualitet të qartë. Ai nuk i përket një rryme të emërtuar bashkëkohore, por qëndron në një territor të vetin, që mund të përkufizohet si një vazhdimësi e përditësuar e realizmit figurativ. Ky realizëm, ndonëse i lidhur me trashëgiminë e shekullit XIX, nuk është imitues historik; ai është i riformuluar përmes përvojës shqiptare, shkollës ku u formua dhe kohës në të cilën krijon.
Një nga tiparet më të qëndrueshme të stilit të tij është lexueshmëria figurative. Skulpturat e Rakajt nuk e humbasin kurrë lidhjen me realitetin e njohshëm; ato ruajnë ngjashmërinë, psikologjinë dhe simbolikën e figurës njerëzore, duke i bërë veprat të komunikueshme dhe të qarta për shikuesin. Kjo besnikëri ndaj thelbit të pasqyrimit natyror nuk është dobësi, por një zgjedhje estetike e vetëdijshme, që ai e ka ruajtur me konsekuencë përgjatë gjithë krijimtarisë.
Një dimension tjetër i rëndësishëm është trajtimi ekspresiv i sipërfaqeve. Në shumë prej veprave të tij, sidomos në ato me ngarkesë emocionale më të theksuar, forma duket sikur gjallërohet nga brenda. Modelimi bëhet më i lirë, më i tensionuar, duke reflektuar gjendjen shpirtërore të artistit dhe marrëdhënien e tij intime me subjektin. Në këto raste, skulptura shndërrohet në një akt shpërthyes ndjenje, ku materia mbart gjurmën e emocionit.
Paralelisht me këtë prirje, në disa punime të veçanta, Rakaj eksperimenton me një trajtim më të reduktuar, me ndikime gjeometriko-kubiste. Këtu, ai thjeshton formën, thekson masën dhe raportet volumore, duke i dhënë rëndësi strukturës së përgjithshme dhe duke e çuar figurën drejt një abstragimi të kontrolluar. Edhe pse këto janë më të rralla, ato dëshmojnë për një elasticitet krijues dhe për një gatishmëri për të eksploruar përtej kufijve të realizmit klasik.
Një tjetër veti e spikatur është pastërtia e trajtave skulpturore, e lidhur me një ndjeshmëri të qartë ndaj traditës klasike dhe neoklasike. Në veprat me karakter monumental apo në portretet e figurave historike, ai i qëndron besnik disiplinës akademike, duke ruajtur qartësinë e formës dhe dinjitetin e figurës. Ndërkohë, në temat e jetës së përditshme, kjo pastërti ndërthuret me një thjeshtësi më të afërt me minimalizmin, duke krijuar një gjuhë më të përmbajtur, por po aq shprehëse.
Në thelb, Rakaj është një skulptor me ndjeshmëri estetike të rafinuar. Ai nuk e sheh veprën si një objekt të izoluar, por si pjesë të një hapësire më të gjerë, arkitektonike dhe shpirtërore. Për këtë arsye, ai i kushton rëndësi jo vetëm detajeve të brendshme të skulpturës, por edhe mënyrës se si ajo komunikon me ambientin përreth. Harmonia mes veprës dhe hapësirës është pjesë integrale e mendimit të tij krijues.
tilistika e Vasil Rakajt nuk është një formulë e ngurtë, por një organizëm i gjallë që evoluon. Ajo përbëhet nga një shumësi vetish, figurativiteti, ekspresiviteti, pastërtia formale, kërkimi strukturor, që nuk qëndrojnë të ndara, por ndërthuren në mënyrë organike në çdo vepër. Pikërisht kjo ndërthurje i jep artit të tij një identitet të qëndrueshëm dhe një zë të veçantë në skulpturën shqiptare dhe më gjerë.

Subjektet, gurët e mozaikut gjigand të panoramës krijuese të Vasil Rakaj
Nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu te Nënë Tereza, nga figura të njohura të traditës veriore si Gjeto dhe Ded Coku, deri te universali Martin Luther King Jr.; nga nusja me duvak te figura e lakuriqtë me kapele; nga medaljonet, monumentet dhe studimet e duarve, te projektet me frymë të thellë simbolike si “Shqypnia”, “Kryqi i Shna Ndout” apo “Pavarësia 2012”, e gjithë kjo larmi përbën një mozaik të gjerë tematik që shpalos dimensionet e një bote krijuese të pasur dhe të shumëplanëshme.
Subjektet e Vasil Rakajt nuk janë të rastësishme; ato ndërtojnë një hartë të vetëdijshme identitare dhe shpirtërore. Në njërën anë qëndrojnë figurat historike dhe kombëtare, që mbartin peshën e kujtesës dhe të përkatësisë, ndërsa në anën tjetër shfaqen tema intime, njerëzore, të përditshme, ku artisti eksploron trupin, gjestin dhe ndjesinë. Kjo lëvizje nga monumentalja te individualja, nga heroikja te e përditshmja, krijon një tension krijues që e pasuron dhe e bën më të thellë universin e tij artistik.


Në këtë panoramë, vend të veçantë zënë edhe figurat e mitizuara dhe historike shqiptare, si Nora e Kelmendit, ku artisti ndërthur imagjinatën me traditën, duke krijuar forma që nuk janë thjesht rikrijim, por interpretim i gjallë i një trashëgimie kulturore. Po kështu, kalimi nga skulptura figurative në reliev, nga forma e plotë në sipërfaqe të strukturuara, dëshmon për një kërkim të vazhdueshëm mbi mënyrat e shprehjes dhe mbi raportin mes figurës dhe hapësirës.
Projektet si “Shqypnia”, “Kryqi i Shna Ndout” dhe “Pavarësia 2012” nuk janë vetëm realizime artistike, por platforma konceptuale ku ndërthuren historia, besimi, identiteti dhe simbolika. Në to, Rakaj nuk është thjesht një formësues i materies, por një mendimtar vizual që përpiqet të artikulojë përmes formës ide të mëdha kolektive.
Kjo shumësi temash dhe trajtimesh nuk e shpërndan artistin; përkundrazi, e përkufizon atë. Ajo krijon një “yjësi” të veçantë brenda galaksisë së tij krijuese, ku çdo vepër është një pikë drite që lidhet me të tjerat përmes një logjike të brendshme: kërkimit për njeriun, për historinë dhe për kuptimin.
Në këtë kuptim, subjektet e Vasil Rakajt janë më shumë se tema, ato janë gurët themeltarë të një universi artistik që ndërton ura midis kohëve, kulturave dhe ndjesive, duke e bërë krijimtarinë e tij një dëshmi të gjallë të identitetit në lëvizje dhe të artit si formë e përjetësimit.


Piktura si hobi i mjeshtrit të skulpturës
Si çdo artist i arteve pamore që nuk e kufizon veten brenda një mediumi të vetëm, edhe Vasil Rakaj, i formuar fillimisht në modelimin tredimensional të skulpturës dhe të qeramikës, e zgjeroi horizontin e tij krijues drejt vizatimit, pikturës dhe grafikës. Në këtë kalim, vizatimi mbetet themeli i patjetërsueshëm, “ABC-ja” e çdo gjuhe vizuale, një disiplinë që i jep artistit kontrollin mbi formën, strukturën dhe raportet, pavarësisht mediumit ku ai shprehet.
Edhe pse Rakaj kishte ushtruar vizatimin dhe pikturën në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve, momenti i një shpërthimi më të vetëdijshëm në këtë fushë lidhet me vitin 1993. Autoportreti i realizuar në këtë periudhë përbën një nga dëshmitë më domethënëse të kësaj kthese. Në të shquhet një ndërthurje e ndjeshme midis trajtimit klasik të formës dhe një lirshmërie që afrohet me impresionizmin modern. Nuk është thjesht një paraqitje fizike e vetes, por një reflektim introspektiv, ku artisti vendos përballë vetes jo vetëm fytyrën, por edhe përvojën, kohën dhe gjendjen shpirtërore.
Seria e autoportreteve që ai realizoi në vite dëshmon për një dialog të vazhdueshëm me vetveten. Ndryshojnë fizionomitë, ndryshon mosha, ndryshon ngarkesa emocionale, por mbetet konstante mënyra e trajtimit: një kërkim për thelbin, për atë që nuk është menjëherë e dukshme. Edhe kur teknikat dhe materialet variojnë, qëndrimi estetik mbetet i njëjtë, një përpjekje për të kapur përtej sipërfaqes.
Në aspektin teknik, Vasil Rakaj ka treguar një ndjeshmëri të veçantë ndaj pastelit, një medium që kërkon finesë dhe kontroll të madh në ndërtimin e tonaliteteve dhe të dritës. Nëpërmjet tij, ai arrin të krijojë sipërfaqe të buta, të mbushura me një ndriçim të brendshëm, ku figura duket sikur merr frymë. Ndërkohë, piktura në vaj i ofron një tjetër dimension shprehës: një hapësirë më të gjerë për ndërtimin e shtresave, për intensitetin e ngjyrës dhe për zhvillimin e një gjuhe më ekspresive.
Në pikturën e Rakajt, ngjyra nuk është thjesht element përshkrues; ajo merr një rol të theksuar psikologjik. Pavarësisht temës apo konkretizimit figurativ, ngjyrat shpesh funksionojnë si bartëse emocionesh, si impulse të brendshme që e tejkalojnë përfaqësimin literal. Kjo e çon veprën drejt një dimensioni ku figurativja bashkëjeton me një abstraksion të ndjeshëm, duke i dhënë pikturës një thellësi më të madhe shpirtërore.
Në këtë mënyrë, piktura për Vasil Rakajn nuk është një devijim nga skulptura, por një zgjatim i saj në një plan tjetër. Nëse në skulpturë ai modelon formën në hapësirë, në pikturë ai modelon dritën, ngjyrën dhe ndjesinë në sipërfaqe. Të dyja bashkë përbëjnë një univers të vetëm krijues, ku artisti eksploron të njëjtin qëllim: të japë formë të dukshme asaj që lind në thellësi të përjetimit njerëzor.

(Mara Lavitt — New Haven Register)
February 27, 2014 Derby
Albanian-born Vasil Rakaj of Ansonia, in his Derby studio at the Valley Center for the Arts, has been commissioned to create a bronze memorial sculpture of Ded Coku, an Albanian patriot, for installation in Albania. First he creates the sculpture in clay, then he’ll make a plaster mold, and then it will be cast in bronze in Albania.
mlavitt@newhavenregister.com

Vasil Rakaj, ai që e ka skalitur emrin në vepër
Në fund të këtij udhëtimi krijues, Vasil Rakaj nuk mbetet thjesht një emër në radhën e artistëve, por një dëshmi e gjallë se si njeriu mund ta tejkalojë kohën përmes veprës. Ai nuk e ka parë kurrë materien si një kufi, por si një mundësi: shkëmbin për ta bërë kujtesë, metalin për ta kthyer në qëndresë, drurin në ngrohtësi, baltën në jetë dhe shpirtin në formë të dukshme.
Në duart e tij, materia ka marrë frymë. Ajo është zbutur, është përkulur, është ngritur në lartësinë e simbolit, duke u bërë një gjuhë që flet përtej fjalëve. Çdo vepër e tij është një dëshmi se arti nuk është vetëm krijim, por edhe akt besimi, besim në njeriun, në historinë dhe në aftësinë për të lënë gjurmë që nuk shlyhen.
Si një malësor që e ka rrënjën në gur dhe horizontin në qiell, ai ka ditur të mbajë brenda vetes ashpërsinë dhe butësinë, qëndresën dhe ndjeshmërinë, traditën dhe kërkimin. Në këtë përkim të rrallë, ai ka ndërtuar një univers ku figura njerëzore nuk është thjesht formë, por kujtesë, emocion dhe përjetësi.
Dhe kështu, Vasil Rakaj mbetet, jo vetëm si krijues veprash, por si ndërtues i një altari ku koha përkulet përpara artit. Një altar i ngritur me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, një altar ku përjetësia nuk është ide, por prani.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?