Visar Zhiti: Si më pyesnin në Hetuesi për Kadarenë dhe djalin e Mehmet Shehut

A duhet të rendim pas vërtetësisë së një firme apo të atyre që e morën me dhunë, me gënjeshtër, me zell apo me manipulim?

Visar Zhiti nuk ka asnjë mllef kundrejt emrave të përveçëm, as kundrejt redaktorit Pandeli Koçi, i cili pretendon se nuk e ka firmosur ai aktekspertizën e poezive të tij.

Ai fton edhe këtë të fundit të kërkojnë së bashku shkaktarin e tragjedisë së poetëve e artistëve; jo dorën që hodhi firmën, por atë që e shtyu atë. Vetëm se ai nuk arrin të kuptojë “acarimin” e ishredaktorit, teksa i përmend dosjen hetimore dhe i kërkon ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, të flasë për Visar Zhitin. “Ç’do të thotë ai me këtë? Do të ndërsejë të tjerë kundër meje? A nuk kam të drejtë të them se kështu ai prapë po hedh firmën e munguar për të vazhduar aktekspertizën e dikurshme ndaj meje? Po ky ish-President që përmend ai, më ka dhënë mua dekoratën “Mjeshtër i Madh” dhe po ai më dekretoi si ministër Kulture në qeverinë Berisha”, thotë Zhiti në një intervistë për gazetën “Panorama”. Rendja pas një firme atij i duket gati qesharake. “Dhe e veja e diktatorit mund të thotë se dhe Enverit ia kanë falsifikuar firmën Titoja apo Stalini a të dy dhe më pas Hrushovi e kështu me radhë, por ju siguroj që burgu ynë nuk ishte i falsifikuar, ishte llahtarisht i vërtetë”.

Faksimile e aktekspertizës së poezive të Visar Zhitit me firmën e redaktorëve Ramazan Vozga dhe Pandeli Koçi
Faksimile e aktekspertizës së poezive të Visar Zhitit me firmën e redaktorëve Ramazan Vozga dhe Pandeli Koçi

Njëri prej redaktoreve, Pandeli Koçi, ngul këmbë se firma e tij në fund të akteskpertizës është manipuluar, e besoni ju këtë variant?

S’e di, gjithçka mund të ketë qenë e mundur. Prandaj, me të drejtë, shkrimtari Agron Tufa, në përgjigjen e tij, thoshte se sot rëndësi ka dukuria dhe jo ky dhe ai apo unë se ç’besoj. Pra, do të thosha se ne duhet të jemi kundër së keqes për të shpëtuar edhe keqbërësin. Lejomëni të ndal pak më gjatë dhe këtu, meqenëse ky edhe i ka dërguar gazetës suaj letrën e hapur shkrimtarit Agron Tufa, një përgjigje e adresuar gabim, siç e quajti Agroni. Po kthehem pas në kohë.

Siç thashë, nuk ka qenë Pandeli Koçi redaktor i librit tim, por ai tjetri, Ramazan Vozga. Që vetëm hesht. Siç e kam dëshmuar dhe në “burgologjinë” time dhe siç ia kam thënë dhe vetë Pandeli Koçit me ndjesinë e keqardhjes, hetuesi më jep aktekspertizën e poezive të mia me emrin e redaktorit tjetër, Ramazan Vozgës. Tepër rënduese, pa rrugëdalje. “E çfarë pastaj, – i thashë hetuesit Nexhat Selimi, që s’dihet se ku shkoi pas ndryshimeve, – dikush mendon kështu dhe duhet të dënohem unë?!”. Pas kësaj, kohë më vonë, kur isha ende në qeli e shpesh me pranga në duar, aktekspertiza m’u ridha, disi më e shtuar, 5-6 faqe e gjitha, por me dy autorë, me dy firma, mbas asaj të R. V. ishte shtuar dhe e P. K. “Po tani, – më tha atë natë hetuesi, se zakonisht merresha natën në pyetje, pas mesnate, – ç’do të thuash?”. “Janë dy mediokër që mendojnë kështu”, – u përgjigja me pezm.

“Jo,- tha,-ata janë redaktorë që i ka vënë Partia, nuk duhet të flasësh kështu se prapë po bën agjitacion dhe propagandë kundër”. Ia ktheva i zënë ngushtë: “Por poetët e shquar Dritëro Agolli si dhe Xhevahir Spahiu, komunistë të dy, nuk mendojnë kështu për poezinë time, madje ata mendojnë se ajo është e mirë dhe e botueshme. Dhe më kanë botuar…”, – u mbrojta.

visari-+-pandeliu

Hetuesi vetë m’i kishte përmendur më parë, madje dhe Kadarenë, shkrimtarët e tjerë Bashkim Shehu, djalë i Kryeministrit të atëhershëm, Rudolf Marku, Ndoc Gjetja, Zija Çela, Agim Spahiu e Agim Isaku, skulptori Hilmi Hoxha. Pse i njeh, – më thoshte, – pse i ke shokë, ç’bisedonit? Që të mos zgjatem, kisha një lumturi të mynxyrshme që pata forca t’i mbroj këta emra, të njohur, miq dhe shokë, që s’patën dhe nuk pësuan asgjë prej meje. E kisha bindje të thellë që nuk do ta pranoja kurrë bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, gjë që është e vërtetuar dhe me dokumentet e dosjes sime. Jam i detyruar t’i them këto. Zoti më dha forca. Raca e poetëve, desha ta mbroj dinjitetin e tyre, më erdhi ky apel së brendshmi a nga qiejt. Dhe nuk është detyra ime, as mundësia ime dhe as dëshira ime të gjej në janë të vërteta apo false ato firma aktekspertizuesish, më mjafton e vërteta ime.

E them sinqerisht, nuk kam urrejtje, as ndjesi hakmarrjeje ndaj tyre. Pandeli Koçin asnjëherë nuk kam dashur ta rëndoj, as ta sulmoj, as ta përbuz, madje do t’u kërkoja ndjesë edhe familjarëve të tij nëse do të gjenin ndonjë gjë të tillë tek unë. Dukurinë duhet ta godasim së bashku. Kur nisa punë në Kuvendin e Shqipërisë, në Parlament, pas viteve ’90 sigurisht, me kryetar bashkëvuajtësin tim, “Mandelën e shqiptarëve”, Pjetër Arbnorin, gjeta aty dhe e kisha vartës Pandeli Koçin dhe kurrë s’kërkova prapashpinërinë më të vogël, heqjen e tij nga ai vend jo se jo, ishte në redaksinë dhe shtypshkronjën e Kuvendit, të “Fletores Zyrtare”, që botonte ligjet, ku s’erdhi kurrë një ligj serioz që të dënonte diktatorin, diktaturën dhe veglat e saj aktive e të këqija, spiunët me rekorde të zymta. Madje, kam pirë kafe dhe me P. K., ma ka thënë që s’e kishte firmosur atë aktekspertizë ai. Po nuk mjaftoja unë dhe as që më duhej mua më. E ja e besova? Ai të ishte i qetë me veten, me ndërgjegjen e tij.

Edhe kur ka dalë për herë të parë në gazetën “RD”, në fillimet e saj opozitare, çështja ime, poeti dhe gazetari Bujar Xhaferri botoi një shkrim të fuqishëm për nenin e kobshëm 55 dhe emrat e aktekspertizuesve të mi, që përmendeshin aty, ishin me iniciale, unë e kërkova, edhe kur m’u botuan poezitë e mia anglisht në SHBA vite më parë, përkthyesi, albanalogu i njohur, Robert Elsie, vuri si pasthënie aktekspertizën e dënimit tim si një çudi dhe shkruan se me kërkesën e autorit të librit, emrat e aktekspertizuesve janë me iniciale (Names abbreviated at the request of the poet, faqe 297, “The Conddemned apple”, Los Angeles, 2005). Po kështu, edhe në italisht. Eh, paskam krijuar rastin që të përkthehen, s’e di a kanë ndonjë botim jashtë?…

Pandi K. ka treguar një acarim permanent ndaj meje, që në fillime e deri tani në letrën e hapur të tij të së premtes më të fundit, dërguar z. Agron Tufa, (pse e bëri tani dhe jo më parë, është puna e tij se kur e zgjedh kohën), teksa ai shkruan për mua se “Valëvitja e kësaj ekspertize nga ky autor, në libra gazeta e intervista për vite me radhë… të bën të mendosh se është përdorur për kapital politik, material e letrar”. (?!?). Po merru me veten, ç’ke me mua, tjetër gjë po të kërkohej, ose hesht. Aq më tepër që s’është kështu. A ka përfitim më të ulët se kjo që të valëvisësh ca copa letre absurde që kanë firmën false ose jo të Pandeli Koçit? Pse ky kompleks për vuajtjen e tjetrit? Le ta themi, edhe të kolegut?

Ndërkaq, edhe ai e di se sa kapital kanë fituar të burgosurit politikë, kur më shumë kanë përfituar prej tyre, edhe ai si e gjithë shoqëria, prej gjithë asaj pune të papaguar prej skllavi në minierat e ferrit, kënetave, themeleve, aeroporteve, fermave, etj. etj.. Në postdiktaturë, më shumë kanë përfituar ata që kanë persekutuar sesa ata që u persekutuan. Ndërkaq atij nuk ia zë njeri në gojë se i fituar ka qenë vazhdimisht pa ndonjë meritë të veçantë, përveçse të redaktorit të poezisë në diktaturë dhe censorit të poezisë që vinte nga Kosova, ndërsa sot është i lire të bëjë dhe poetin. Dhe ai e di se unë nuk e kam valëvitur gjëkundi atë aktekspertizë-nekrologji, që më solli kalvarin e rëndë. Ma kanë kërkuar mediat apo botuesit. Dhe nëse atij ia kanë falsifikuar firmën, duhej ai ta valëviste atë më shumë sesa unë, duke e denoncuar së bashku. Ose të tregonte, nëse e ndiente të nevojshme, që, p.sh., firmosi pa e parë, për t’u dukur i devotshëm a nga shtrëngesat e atëhershme, nga frika, mund ta hiqnin, ta degdisnin gjeti etj., nëse ka qenë ashtu, se normale ishin atëherë dhe anomalitë.

E them prapë, jam kundër atij që të detyron të bësh keq, shumë më tepër sesa atij që ishte i detyruar të bënte keq. Unë e fal të tillin dhe i kam falur të mitë. Por le ta thonë të vërtetën për të tjerët, për veten, në të mirë të së mirës së përbashkët. Kjo ka qenë e keqja jonë, se po të ishte ndryshe, duhej që ata që kishin firmosur dikur kundër jetës së të tjerëve, duhej të ishin pas hekurave sot. Natyrisht, që s’kisha pse t’i fshihja aktekspertizën, akuzën, pretencën, vendimin e gjyqit që bënë të tjerët ndaj meje. Ishte detyrë morale t’i shpallja. Janë pushkatuar dhe varur poetë në vendin tonë. Me Havzi Nelën e dhembshur kam shtyrë vagonë në ferr. Ndërkaq, nuk e kemi parë arsyen iluministe dhe ndjesën njerëzore, as dhimbjen e duhur, as drejtësinë e mjaftueshme, as mbështetjen e merituar, por braktisje, deri edhe nëpërkëmbje e çoroditje e shpifje deri lart dhe sa më lart, aq më i madh mëkati. Unë nuk jam më i fortë se e vërteta. Nuk kam akuzuar, kam treguar deri më tani.

Dhe dihet që ne mund t’i falim ata, të cilët na kanë bërë keq, por nuk i falim dot ata, të cilëve u kemi bërë keq. Siç e vuri re dhe shkrimtari Agron Tufa, edhe unë s’e kuptoj kur P. K. shkruan në letrën e tij të hapur se kjo ekspertizë, ku ai ka të ngecur firmën, nuk është e vetmja që u bë shkak i dënimit tim: “(çka nuk e vërteton dosja hetimore)”, – e ka futur ai vetë ndër kllapa si në pranga, po ku e di ai dosjen time hetimore, nuk është ai përgatitësi i saj dhe nuk e ka tagrin ta hapë ai atë. Në fund të letrës së tij të hapur, Koçi bën një thirrje qe “le të flasin (për Visarin, sh.im) ata që e kanë njohur, pa përjashtuar dhe ish-Presidentin e Republikës, Bujar Nishnin”. Ç’do të thotë ai me këtë?

Do të ndërsejë të tjerë kundër meje? A nuk kam të drejtë të them se kështu ai prapë po hedh firmën e munguar për të vazhduar aktekspertizën e dikurshme ndaj meje? Po ky ish-President që përmend ai, më ka dhënë mua dekoratën “Mjeshtër i Madh” dhe po ai më dekretoi si ministër Kulture në qeverinë Berisha. Pra, e kishte detyrim të njihte dosjen time. Dhe kujtoj këtu se unë e kalova “kontrollin e pastërtisë së figurës” kur kisha kandiduar për deputet, madje dhe u zgjodha, edhe kur jam caktuar me detyra diplomatike jashtë vendit etj. I thashë këto i detyruar, nga zori.

Po Pandeli K. kërkon kështu paterica të kalbura që të mbajë në këmbë akuza të pavërteta dhe shpifje të dënueshme kundër atyre që i qëndruan dhunës dhe persekutimit, mes së cilëve kam nderin të jem? Ndërkaq, edhe atij ish-Presidenti iu përgjigj dhe një ishPresident, z. Bamir Topi, duke i thënë se kishte gabuar ndaj meje në çështjen që po aludon P-ja. Po kështu, iu kundërvunë me përçmim ndaj asaj shpifjeje dhe shumë bashkëvuajtës të mi, me integritet intelektual si: Maks Rakipaj, përkthyes i njohur tashmë, Lekë Mirakaj, që vazhdimisht bën analiza me vlerë që nga SHBA-ja, Lekë Froku, Nebil Çika, i riu, shkrimtari dhe bashkëvuajtësi Tanush Kaso, gazetari Bardhok Lala, poeti Skënder Buçpapaj, Jozef Radi, gazetarët dhe analistët Alfred Lela, Lorenc Vangjeli, Luan Rama, Mero Baze, botuesi Luan Pengili, ju, vetë shkrimtari Agron Tufa, pa shkuar te politikanët. Ja, pra, ata që më njohin.

I them Pandeli K. që të mos ia lejojë vetes t’i shkojë firma, e falsifikuar ose jo, prapë për andej, tek ata që kanë qenë me ata që shtypnin e jo me ata që shtypeshin.

A jeni takuar me dy redaktorët, pasi keni dalë nga burgu? Cili ka qenë qëndrimi i tyre?

E ç’rëndësi ka, i kam takuar. Qëndrimi i tyre? Ja, njërin po e shikoni. Tjetrin s’e di. As dua ta di, për të gjithë…

Në përgjigjen botuar te “Panorama”, Koçi shprehet ndër të tjera se edhe ju vetë keni qenë i bindur që nuk e ka shkruar ai atë aktekspertizë, pasi e kishit lexuar edhe më herët të formuluar dhe firmosur nga dikush tjetër. Si qëndron e vërteta?

E tregova më sipër dhe e kam treguar dhe më herët. E vërteta ime mua më mjafton. Unë kam mbaruar punën time. Gjejeni ju si qëndron e vërteta, shoqëria, nëse do apo i duhet. Detyra e P. K. nuk është tani që të më bindë mua. As shkrimtarin Agron Tufa, që ia tha dhe ai. Po të dojë Pandeli Koçi, është i mirëpritur besoj, le ta sjellë të vërtetën e vet, i duhet, po aq shumë sa atij, edhe shoqërisë, kujtesës kolektive, katarsisit, si dukuri natyrisht, e përsëris. Këtu të përqendrohemi. Jemi kundër mëkatit, por jo kundër mëkatarit, thotë Papa Françesku. Falje dhe drejtësi. Drejtësi dhe falje!

Në librin tuaj më të fundit, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, ju përmendni shumë pseudonime, pas së cilave fshihen, pa dyshim, emra poetësh e shkrimtarësh, që ju kanë denoncuar apo kanë raportuar për ju. I njihni? I keni zbuluar se cilët janë? Ka mes tyre nga ata që ju i konsideronit miq?

Po, ka ca pseudonime, pas së cilëve fshihen emra të njohurish dhe të panjohurish, kolegësh, mësues, studentë të atëhershëm, poetë, që më të arrira kishin denoncimet e tyre sesa poezitë etj. Ca i kam njohur, ndokënd po e njoh a do ta njoh, po që s’kam dashur asnjërën nga këto. Autoriteti i Hapjes së Dosjeve ma ka vonuar përgjigjen, kështu më duket, se të kujt janë ato pseudonime. Me sa di, edhe ju si media, studiuesit, keni të drejtë t’i kërkoni, t’i gjeni emrat e tyre, të keqen që sollën, ato dukuri, atë poetocid a poezicit që pësoi vendi ynë, meqenëse po flasim për këtë temë. U kam thënë në Autoritetin e Hapjes së Dosjeve, që unë nuk e dua dosjen time për të parë se kush jam, e di këtë, por për të parë ju se kush jemi e t’ua tregoni të tjerëve. Po, po, është detyrë dhe e juaja, dua të them dhe e medias, që të tregoni, thënë metaforikisht, se ç’ishte “bojë e kuqe” e ç’ishte gjak, dekoratë apo plagë, ç’është “bojë e zezë” dhe zi. Njerëzit po i lodh realiteti i papërshtatshëm për njerëz, sherret janë shndërruar në punë e paguar mirë në Parlament dhe protestat punë e papaguar në rrugë. Me këtë nuk dua të them se janë të padrejta. Më e drejtë është drejtësia, puna, mirëkuptimi, prosperiteti i përbashkët. Kërkoni të rikthejnë besimin në popull ata që e kanë dhe detyrë. Se më e rëndë se pseudonimet është pseudokoha, pseudonjerëzit. Me maskat e së keqes.

visar zhiti

Tani që e keni parë edhe dosjen tuaj, tani që jeni në një tjetër kontekst, si ju duken aktekspertizuesit, ekspertizat, akuzat, nga përvoja e vuajtjes?

Do të doja “dy aktekspertizues” të tjerë, mundësisht të huaj, një nga SHBA-ja dhe tjetri nga BE, që të aktekspertizojnë realitetet e përjetuara tonat, një e tashme plot me të shkuara, një ardhme invalide të ekpertizonte politikën që rrjedh nga politika, jo nga hallet dhe nevojat e vendit, të shikojnë “Dosjen e diktaturës”, dosjen e Shqipërisë bashkë me ne, të goditet mashtrimi i madh dhe për pasojë dhe ai i vogli, tani dhe në të dikurshmen. Nuk duket e mundur? Atje ku largohet Zoti, është e mundur gjithçka, thoshte një tjetër i burgosur i madh, Dostojevski. Se dhe aktekspertizuesi kryesor mund të thotë se dhe atij ia kanë falsifikuar firmën, edhe hetuesi, edhe prokurori, gjykatësi, komandantët e burgjeve, të skuadrave të pushkatimit, ministrat e përbrendshëm dhe përsipër tyre, por dhe e veja e diktatorit mund të thotë se dhe Enverit ia kanë falsifikuar firmën Titoja apo Stalini a të dy dhe më pas Hrushovi e kështu me radhë, por ju siguroj që burgu ynë nuk ishte i falsifikuar, ishte llahtarisht i vërtetë, real, me firma, pa firma janë shkatërruar njerëz, populli, janë pushkatuar me të vërtetë burra dhe gra, me qindra, janë shuar urie nëpër internime fëmijë, pleq, me mijëra, janë bërë dy revolta të mëdha në burgjet e Spaçit, plotësisht politike dhe të Qafë Barit, të vetmet në të gjitha burgjet e perandorisë komuniste, për ato do të doja të flisnim, si mund të bëhen muzeume ato kampe dhe jo veç me dy aktekspertizues të rëndomtë, dy revolta tragjike në burg, që s’ishin shou, as xhirime filmash të socrealizmit, u derdh gjak i vërtetë dhe u thyen kocka të vërteta, u tretën mijëra vite dënimesh, jete dhe dijeje të shkuar dëm, barbarisht, ishin kohë e Shqipërisë. Gjithë ajo frikë dhe mbyllje dhe rraskapitje në ekspertizën e atdheut, dobësim mendor dhe shpirtëror, që, për pasojë, as sot s’po e merr veten, s’po mëson të ndërtojë shumë e më shumë dhe të shkatërrojë pak e më pak, por bën të kundërtën. E kundërta e së kundërtës është udha e njeriut shqiptar sot, e një Shqipërie euroatlantike, me poezinë e jetës, e pse të mos e themi, se është tepër e zymtë kur me forma nga më ndryshmet dënohet poezia, ajo e të jetuarit.

SHKARKO APP