Xhufi: Zbulohen dimensione të tjera të figurës së Skënderbeut
I ftuar në studion e “Abc e mëngjesit” historiani, Pëllumb Xhufi ka folur për figurën e Skënderbeut, dhe librin e tij të botuar “Skënderbeu”. Ai shprehet se 10-vjeçarin e fundit ka lindur problemi i dimensionit të Skënderbeut. “Janë zbuluar dokumenta arkimore, dëshmi të dorës së parë historike. Dokumente që zbulojnë dimensione të tjera të Skënderbeut si njeri i cili kishte një projekt. Ai trashëgoi një traditë të formimit të shtetit, jo më kot realizoi kryengritjen e tij në vitin 1443. Kërkoi edhe të realizojë projektin e tij për krijimin e një shteti, ku kërkoi të ishte edhe mbret”.
Më tej ai theksoi se nga dokumetet dëshmohet se Skëndërbeu kishte bankat e tij. “Formimi i tij ka qenë kompleks. U mundua të krijojë një principatë, por edhe të shkrijë principata të tjera. Ndryshe nga Balshajt Skënderbeu kapi momentin. Ai nuk shfrytëzoi një shpërbërje të një perandorie, ai mori përsipër një detyrë të jashtëzakonshme, në kohën kur Perandoria Osmane ishte në kulmin e saj. Ai mori përsipër të ndalë invazionin Osman në brigjet e Adriatikut, duke i dhënë Shqipërisë një rol gjeopolitik që nuk e ksihte pasur kurrë dhe duke fituar alenacën e shteteve perëndimore. Bëri aleat botën evropiane të krishterë”.
Gjithashtu ai u shpreh se Skëndërbeu imponoi vullnetin e tij mbi krerët e tjerë shqiptarë dhe se kërkonte të realizonte aleancën me perëndimin, krijimin e shtetit shqiptar mesjetar dhe imponimin e pushtetit. “Janë 24 vëllime me dokumente të arkivit që kanë të bëjnë me periudhën e Skënderbeut”. Historiani shprehet se Skënderbeut iu premtua zgjerimi i kufijve të shtetit të Arbërit. “Historia është e mbushur me mospërputhje që e kthejnë historinë shumë më mbrapa”.