“Yjet e së ardhmes”, një himn dashurie për jetën dhe besnikërinë mes brezash

I konceptuar si një komedi muzikore romantike,  filmi “Yjet e së ardhmes”, i regjisorit Edmond Topi sjell mesazhin se brezat mund të bashkëjetojnë shumë mire, nëse komunikojnë dhe njihen me njëri-tjetrin. Në premierën e filmit të shfaqur dje për mediat në kinema “Imperial” në Sheraton, transmetoi mesazhin se çdo moshë ka ëndrrat, mundësitë, sukseset dhe zhgënjimet e veta.

Filmi i përball brezat t’i ndajnë ato me njëri-tjetrin, duke i afruar në komunikim intensiv për përjetime, vlera, plane, dështime dhe suksese të përbashkëta. Me skenar të Uli Bree, i përshtatur për publikun dhe komunitetin nga vetë regjisori, në fokus të filmit është mosha e tretë dhe marrëdhëniet e shoqërisë me të, konkretizuar figurativisht dhe në mënyrë përfaqësuese në marrëdhëniet e komunitetit me brezin e tretë të atyre artistëve që si pasojë e tranzicionit dhe mungesës së kujdesit të shoqërisë për ta, pothuajse janë harruar. Në konferencën  për shtyp pas premirës për mediat, ishin të pranishëm regjisori Edmond Topi, konsulentja artistike Miranda Oktrova dhe dy aktorët më të ri të kastit të filmit, Elia Zaharia dhe Gazmend Paja. Gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp regjisori Edmond Topi u shpreh se ka për qëllim të përcjellë mesazhin tek publiku për më shumë përkujdesje dhe sensibilizim ndaj brezit të tretë.

Ai evidentoi faktin se ky prodhim kinematografik është pak më ndryshe nga filmat e viteve të fundit, sepse ky produksion është prodhuar për kinemanë dhe publikun. “Uroj që publiku ta marrë mesazhin e këtij filmi dhe suksesi i tij nuk do ishte i mundur pa bashkëpunimin e këtij kasti të mrekullueshëm aktorësh, të cilët janë më të mirët që ne kemi”, tha regjisori Topi, raporton ATSH. Gazmend Paja një nga protagonistët kryesor në film u shpreh gjatë konferencës se ”ky është një skenar që të ngacmon shumë emocionalisht dhe të jesh përkrah gjigantëve të skenës është një emocion dhe përgjegjësi”.” Unë u ndjeva shumë komod jo vetëm në film pasi këto legjenda të artit shqiptar dhe në jetën e tyre jashtë skenës kanë ëndrra. Nuk ishte vetëm filmi që na dha eksperiencë por marrëdhënia jashtë kamerave na dha shumë dhe i falenderoj këto artistë mëdhenj dhe regjisorin që më bënë pjesë të tyre në këtë film”, tha Paja në fund të fjalë së tij. Nga ana e saj, Elia Zaharia  u shpreh se, “kur kam lexuar skenarin e filmit ishte një dashuri me lexim të parë”.  “Ky rol të pasuron shumë sepse ishte një rol me shumë plane dhe jam ndjerë e bekuar që nga stafi i filmit deri tek aktorët e mëdhenj që morën pjesë në këtë produksion  dhe roli im është pasuruar shumë dhe falë bashkëpunimit me këto aktorë të mëdhenj të artit shqiptar”, tha Zaharia. Konsulentja artistike Mirela Oktrova po sipas ATSH-së  theksoi se, “ky është një brez pa të ardhme dhe që është lënë mënjanë. Problematikat e moshës së tretë janë shumë të rënda”.

“Qasja në këtë film është një qasje komplet tjetër dhe optimiste, tentohet t’i tërhiqet vëmendja shoqërisë se ky brez nuk ka mbaruar por  jetojnë me shpresë dhe me ëndrra deri në fund. Ata kanë shumë për të na dhënë dhe ne brezi më i ri kemi shumë për të përfituar nga ata”, evidentoi Mirela Oktrova. Filmi ”Yjet e së ardhmes” vjen si një takim midis tre brezash që performojnë së bashku në një sfidë suksesi dhe mundësish, në një himn dashurie për jetën dhe besnikërinë ndaj ëndrrave të pajetuara.

Filmi vjen nën kastin e jashtëzakonshëm të aktorëve si: Tinka Kurti  (Nderi i Kombit), Reshat Arbana (Nderi i Kombit), Margarita Xhepa (Nderi i Kombit), Luftar Paja (Mjeshtër i Madh), Karafil Shena, Sadush Ylli por edhe aktorë më të rinj por të afirmuar si  Gazmend Paja Elia Zaharia, Ema Andrea.

Historia rrëfen jetën e Robit (40 vjeç) i cili është një  artist i “pashpërthyer” akoma. Prej vitesh bën muzikë, por ende nuk është bërë i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse, së bashku me formacionin e tij muzikor “Zjarri“ arrin të fitojë konkursin kombëtar “Yjet e së ardhmes”. Por asgjë s‘shkon sipas planit: sherrosja në një lokal e shpie në gjyq ku i kanoset burgu. Kur pas shumë vështirësish, gjykata ia konverton dënimin me punë në dobi të komunitetit, ai përfundon në një shtëpi të moshuarish, ku ka shefe fqinjën, të cilën prej kohësh e “torturon” përnatë me muzikën tij. Toleranca dhe temperamenti prej artisti e miqësojnë shpejt me të moshuarit, të cilëve u rizgjon dëshirën për të jetuar dhe e afrojnë me vajzën, e cila nis ta njohë nga një plan tjetër.

Po puna është e lodhshme dhe me orë të zgjatura – mungesat e shpeshta bëjnë, që formacioni i tij ta zëvendësojë me një kitarist tjetër. Tentativa e tij për të bërë një kor me të moshuarit, shihet si shkelje, drejtoresha e largon nga puna dhe njofton gjykatën. Pa formacion dhe me një këmbë në burg, i duket se ëndrra u gropos përfundimisht, pavarësisht dashurisë me vajzën, derisa “miqtë“ e tij të moshuar e ftojnë të krijojë një formacion me ta. Sado e çmendur në fillim, ideja funksionon: ata arrijnë të ushtrohen rregullisht fshehurazi drejtoreshës që mbikqyr të moshuarit dhe policisë që kërkon artistin. Edhe “zbulimi“ dhe më pas përplasja me drejtoreshën, jo vetëm që nuk i paralizon, por i bën të moshuarit ”heronj”, të zgjedhurit e publikut dhe të të rinjve,  pavarësisht moshës dhe të papriturave që ajo “ruan” për ta. Për publikun filmi do të shfaqet premierë më 14 dhjetor në kinema Millennium.

SHKARKO APP