Zbulime të reja në Kishën e Shën e Premtes në Balldren
Pas kërkimeve në kapelën mesjetare të Kishës së Shën e Premtes në Balldren, grupi i punës që merret me kërkimin dhe restaurimin e kësaj kishe ka zbuluar një portret një afresku brenda mureve të saj.
Njoftimin e bën Artan Shkreli, i cili shkruan për një “një portret vërtetë të jashtëzakonshëm që ka dalë në dritë në kishën romanike të Balldrenit (Baladrin)”.
“Në fakt, zbulimi i pjesës më të madhe të afreskëve i takon disa viteve më parë, por asnjëherë ato nuk janë evidentuar qartë dhe me sistem, gjë e cila po del në pah tani gjatë punimeve të shpëtimit për kishën”, shton ai. “Gjithashtu është zbuluar që një pjesë e mureve të nefit kryesor është me afresk, gjë që më parë nuk dihej”.
Kisha e Shën e Premtes ndodhet në fshatin Balldre, ndërtuar mbi kodrën shkëmbore të një vendbanimi mesjetar. Burimet historike e shënojnë fshatin Balldre (balli i Drinit) që nga mesjeta me popullsi të ardhur nga alpet e veriut (Kelmendit).
Arkitektura e kishës së Shën e Premtes e ka origjinën në shek. XIV-XV-të. Planimetria e saj është e thjeshtë, një nefëshe në formë drejtkëndore me aksin gjatësor të theksuar dhe e mbuluar me qemerë guri, prerja e të cilës është hark majë mprehtë. Me të njëjtin lloj harku janë edhe dyert e dritaret origjinale një pjesë e të cilave janë të murosura. Nga gërmimet e viteve 1985-86 në pjesën jugore të kishës janë evidentuar mure dhe një Apsidë, vazhdim i ekzistueses, duke përcaktuar në këtë mënyrë se forma planimetrike origjinale ka qënë e përbërë në dy anijata dhe dy apsida. /Shqiptarja/