A janë diplomat online më të vlefshme tani?
Nga Jessica Jones-BBC
Siç po shihet, për shkak të pandemisë, mësimi, nga klasat ka kaluar në online. Ndërsa pandemia vazhdon, si pritet të vlerësohen diplomat online, në krahasim me ato tradicionale?
Kur Bler Currey, 32 vjeç, vendosi të fillonte studimet bachelor në Shkenca Kompjuterike në Universitetin e Londrës, vitin e kaluar, ai nuk e kishte në plan të udhëtonte për në Angli. Currey aktualisht po studion nga shtëpia e tij në New Jersey, me gjysmën e kostos që mund të kishte në SHBA dhe me fleksibilitetin që i nevojitet. Ai ka mundësi të shkojë ngado, ndërkohë që po zhvillon mësim cilësor online.
Reputacioni i universitetit dhe fleksibiliteti i studimit online ishte ajo çfarë e tërhoqi Curreyn. “Unë kisha disa dyshime në lidhje me reputacionin e diplomave online në përgjithësi, kështu që ishte jetësore që të gjeja një program të mirë në një institucion tëi besuar”, thotë ai.
Diplomat dhe certifikatat online janë bërë gjithnjë e më të popullarizuara vitet e fundit. Sidoqoftë, siç tregon Currey, ata shpesh kanë vuajtur nga imazhi negativ që nuk janë aq ‘legjitime’ sa diplomat tradicionale. Por pandemia ka nxitur një interes të madh për diplomat e marra nga mësimi online.
A është ky viti që shënon një pikë kthese, për pranimin e diplomave online?
Nëse numri i njerëzve që regjistrohen në mësim online është një tregues, është e mundur.
“Që nga mesi i marsit, ne kemi pasur 24 milionë persona të regjistruar për herë të parë. Kjo është një rritje rreth 320% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë”, thotë Jeff Maggioncalda, CEO i platformës së mësimit online Coursera. Faqja, e themeluar në 2012 nga dy profesorë të shkencave kompjuterike në Stanford, aktualisht ofron 20 lloje diplomash, si dhe mijëra kurse të shkurtra. Në vjeshtën e vitit 2020, numri i studentëve të regjistruar në programet e tyre u rrit me 76% në krahasim me 2019.
Rritja pritet të jetë më e madhe në vazhdim, që do të thotë se diplomat online do të marrin një reputacion serioz.
Abigail Gomes Leitao, 24 vjeç, e cila është në të njëjtën degë si Currey, thotë se, megjithse akush nuk e ka vënë në dyshim zgjedhjen e saj për të sudiuar online, është ndjerë e paragjykuar, nga disa komente që ka marrë.
“Njerëzit e shohin studimin online si një mënyrë më të lehtë sesa të marrësh një diplomë tradicionale në kampus. Shqetësohem nëse në të ardhmen, punëdhënësit do ta shohin diplomën time jo të njëvlefshme me atë tradicionale”, thotë ajo.
Gomes Leitao thotë se diploma e saj aktuale online është në të vërtetë më shumë sfiduese sesa diploma që ka marrë në kampus, ndërsa Adam Medros, CEO i edX platformë e krijuar nga Universiteti i Harvardit dhe Instituti i Teknologjisë së Massachusetts në 2012, thotë se universitetet janë ata që e kanë përforcuar dallimin mes dy llojeve të diplomave, duke iu vënë “i” ose “e” përpara diplomës- iMBA ose eMasters.
Por ndërsa njerëzit po mësohen me mësimin online dhe kërkesa për këtë lloj arsimi po rritet, ky dallim mes dy diplomave bëhet gjithnjë e më pak i theksuar.
“Unë mendoj se mbase pas pandemisë, një pjesë e këtij stigmatizimi do të hiqet, duke pasur parasysh domosdoshmërinë që kemi për të mësuar online,” thotë Rachel Hewitt e Institutit të Politikave të Arsimit të Lartë në Mbretërinë e Bashkuar.
Shkak mund të jetë edhe fakti që tani pothuajse të gjithë po mësojnë online. Ka qenë pandemia ajo që ka zbehur këtë dallim mes diplomës online dhe asaj tradicionale. Tani të gjithë sytë janë tek online. Dhe, çuditërisht, ata që ishin duke mësuar online dhe më herët sesa pandemia, mund të jenë në avantazh.
“Unë mendoj se ajo që po ndodh tani është se pandemia i ka futur në online njerëzit që nuk ishin të gatshëm për një gjë të tillë” thotë Fiona Hollands, drejtore e asociuar dhe studiuese e lartë në Qendrën për Studime të Teacher College, në Universitetin e Columbias.
Si rezultat, disa universitete po inovojnë në mënyra që mund të rrisin legjitimizimin e arsimit online. Pjesë e kësaj është gjetja e mënyrave për të dhënë mësim lëndë që dikur ishin të vështira ose të pamundura të udhëzoheshin virtualisht.
Joel Tunikaiti, një studient i inxhinierisë thotë se, kur mësoi që mësimi do të bëhej online pati një zhgënjim të madh, por tashmë që kanë filluar thotë se ka parë që ishte shumë më mirë ngase e priste.
Sidoqoftë, pavarësisht nga inovacioni, ai thotë që diplomat online nuk mund të konkurrojnë me përvojën shoqërore të shkuarjes në universitet.
“Universiteti me tulla dhe llaç u ofron studentëve diçka më shumë se një diplomë. Ai u ofron atyre një ndjenjë angazhimi, përkatësie dhe një përvojë.”, u shprej Tunikaiti.
Por, ndikimi i diplomave online mbetet ende në pikëpyetje. A mund të jenë të barazvlefshme me ato tradicionale, apo do të ndodhë e kundërta? Hollands thotë se diplomat tradicionale do të bëhen ekskluzive për studentët e pasur, që do të thotë se programet e bazuara në kampus mund të përfundojnë duke sinjalizuar statusin e një studenti sesa një diplomë ‘më të mirë’. Por ndoshta është akoma herët për të thënë sesa do të transformojë pandemia të mësuarit online.
CEO i platformës Coursera, thotë se sapo të mbarojë pandemia, pret që edhe universitetet tradicionale të vazhdojnë përdorimin e mësimit të alternuar (fizikisht dhe online).
Sa i përket frikës së Gomes Leitao rreth diplomës së saj online nëse do merret seriozisht, ekspertët thonë se ajo nuk duhet të shqetësohet, sepse pandemia do të mjegulloje vijat mes dipmomave online dhe diplomave tradicionale. Njerëzit do të jenë shumë më pak të interesuar sesi jeni diplomuar dhe më shumë të përqendruar në markë.
Tim Harlow, zyrtari kryesor komercial në Salt Recruitment në Londër, pajtohet se është kualifikimi ai që ka rëndësi për punëdhënësit, jo vendndodhja e studimit.
/Marrë nga abcnews.al/