A ka birra skadencë?

Si çdo ushqim tjetër dhe pijet, edhe birra ka skadencë dhe kjo e fundit shënohet në shishen që përmban lëngun brenda. Në fakt, bëhet fjalë më shumë për një detyrim ligjor për të mbrojtur konsumatorët.

Por, edhe për birrën, sikurse për shumë pije të tjera alkoolike, përgjigja e pyetjes a ka skadencë apo jo, nuk është thjesht një “po” ose “jo”.

Çfarë nënkupton data e skadencës e shënuar në shishet e birrës?

Birra nuk ka një skadencë të vërtetë në vetvete. Që do të thotë se nëse konservohet siç duhet, edhe pas shumë vitesh mund të pihet pa problem. I njëjti diskutim vlen edhe për verën apo pije të tjera alkoolike. Data që gjejmë shpesh në shishet e birrës, tregon kohën brenda së cilës produkti preferohet të konsumohet, në mënyrë që të mos humbasë karakteristikat e shijes.

Në rastin e birrës, skadenca lidhet më shumë me humbjen e shijes dhe të karakteristikave të saj, të cilat ndryshojnë me kalimin e kohës. Nëse konsumoni një birrë jashtë afatit që shkruhet skadenca e saj, nuk rrezikoni të helmoheni, por do të konsumoni një produkt i cili nuk ka të njëjtën shije me atë që jeni mësuar zakonisht.

Jetëgjatësia e birrës varet nga përbërës të ndryshëm që ndodhen në brendësi të saj, por në përgjithësi ajo shkon deri në një vit nga momenti i futjes në shishe apo në kanoçe.

SHKARKO APP