Aksidenti që e la invalid, 32-vjeçari: U tërhoqa nga presionet

Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 ka ardhur rrëfimi i një të riu që për shkak të një incidenti të ndodhur 6 vite më parë nuk mund të ketë një jetë normale.

Daut Hoxha është 32 vjeç dhe jeton në Tiranë së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Në vitin 2013 është konfliktuar me një person i cili në debat e sipër e ka goditur në sy. Kjo goditje i ka sjellë pasoja shumë të rënda në shikim, duhet të bëjë një ndërhyrje kirurgjikale, por e ka të pamundur për shkak të varfërisë.

Me vështirësi ai rrëfen se personi që e goditi jo vetëm qe nuk u ndëshkua asnjëherë për këtë akt të rëndë, por nuk i ka dhënë asnjë lloj ndihme për trajtimin në spital. E ka denoncuar, por pas kërcënimeve të bëra ka qenë i detyruar ta tërheqë denoncimin.

I gjendur në kushte të vështira jetese ka lënë Kavajën dhe ka ardhur familjarisht në Tiranë, me mund po siguron mbijetesën, por bën apel për ndihmë pasi nuk ka mundësi të kurojë veten dhe vajzën e vogël e cila po ashtu është e sëmurë.

“Kërkoj ndihmë nga të gjitha institucionet dhe shqiptarët që besojnë në Zot”, tha 32-vjeçari.

Ai tregoi se u tërhoq nga denoncimi për shkak të kërcënimeve. “Më kërcënuan më tha që do shkosh tek prokurorja dhe do të thuash që do tërheq kallëzimin me dëshirën time. Më kërcënonte në telefon do të vras fëmijët. Është anëtar i një bande shumë të rrezikshme në Kavajë. Mund të merrni dhe policinë e Kavajës”, tha 32-vjeçari.

Nga ana tjetër Xhevdeti, babai i autorit tha se ngjarja ka qenë aksidentale dhe se e kanë ndihmuar financiarisht Dautin dhe familjen e tij sepse iu ka ardhur keq.
“Ai mashtron, është mashtrues. Ka qenë ngjarje aksidentale. Ne i kemi dhënë para. Ai do sërish se nuk do të punojë, nuk ka punuar kurrë”, tha babai i autorit.

SHKARKO APP