“Barbie”, tani edhe në karrige me rrota
Pas 60 vitesh histori, “Barbie” vazhdon të mahnisë, të jetë aktuale dhe të përfaqësojë në mënyrë gjithnjë realiste botën që e rrethon.
Linja “Barbie Fashionista”, propozon lloje të ndryshme kukullash; bjonde, ezmere, të gjata, të shkurtra, të dobëta, të kolme, por edhe në karrige me rrota dhe me proteza në këmbë.
E gjithë kjo për të nxjerrë në pah llojet e ndryshme të gjendjes fizike dhe problemeve.
“Prezantojmë një kukull të re në karrige me rrota dhe me një problem fizik, më saktë një protezë në këmbë”, ka shpjeguar Kim Culmone, zv/presidente e “Barbie Design” të Mattel.
“Do të ketë edhe kukulla me përmasa të ndryshme trupore, por ajo në karrige me rrota ka qenë një prej më të kërkuarave nga konsumatorët tonë”, shtoi ajo.
Për personat me lloje të caktuara paaftësie, të shohin një Barbie që u ngjan, mund të jetë diçka vërtetë pozitive dhe shumë studime kanë treguar se pamja e një kukulle mund të ndikojë tek personi që luan me të.
Kukullat e reja do të jenë të disponueshme në dyqane nga qershori dhe do të kenë një çmim prej rreth 20 dollarësh.