Degët e pemëve kthehen në filtra për pastrimin e ujit

Mjafton të presësh dhe zhvoshkësh lëkurën e një dege pishe për të përftuar një filtër natyror pastrimi të ujit nga viruset dhe bakteret, sipas një hulumtimi të kryer nga inxhinierët e Institutit të Teknologjisë në Massachusetts (MIT).

Ata krijuan dhe testuan në Indi prototipa të funksionueshëm dhe të realizueshëm nga çdokush, falë një teknike të thjeshtë dhe me kosto të ulët, e botuar në revistën “Nature Communications” dhe në një faqe në internet të arritshme për të gjithë.

“Ne presim që këta filtra ta bëjnë ujin të sigurt për t’u pirë duke përmirësuar shëndetin e njerëzve që jetojnë në vende ku deri tani mund të pihej vetëm ujë i pa filtruar”, shpjegoi Rohit Karnik, profesor i inxhinierisë mekanike në MIT.

“Meqenëse lëndët e para janë gjerësisht të disponueshme dhe proceset e prodhimit janë të thjeshta, mund të imagjinohet përfshirja e vetë komuniteteve në fazat e burimit, prodhimit dhe shpërndarjes së filtrave”, shtoi ai.

Teknologjia, krejtësisht natyrale, realizohet nëpërmjet pemëve që nuk lulëzojnë, të tilla si pisha.

Nën lëvoren e degëve të tyre ka një shtresë druri të ri (dru i butë) i veshur me ksilem, një ind bimor që përdoret për përçimin e limfës (ujit dhe substancave të tretura në të).

Kanalet që formojnë ksilemën janë të lidhura me njëra-tjetrën përmes membranave që veprojnë si filtra, duke bllokuar flluskat dhe papastërtitë.

Duke prerë një pjesë të vogël të degës (me trashësi të ndryshme në varësi të bimës) është e mundur të përftohet një filtër, që më pas trajtohet duke e zhytur për një orë në ujë të nxehtë, pastaj në etanol dhe në fund të thahet.

Në këtë mënyrë membranat e ksilemës mbeten të depërtueshme dhe efikase, si filtrat komercialë, edhe pas dy vitesh.

Testet laboratorike tregojnë se ato mund të heqin më shumë se 99% të ndotësve, si bakteret Escherichia coli dhe rotaviruset, që janë fajtorët kryesorë të diarresë.

Megjithatë, tani për tani, ende nuk ka të dhëna për aftësinë për të filtruar ndotës kimikë, siç është arseniku.

SHKARKO APP