Do të hani mish, por jo të therur! Shqetësimet klimatike dhe vuajtjet e kafshëve po përshpejtojnë ardhjen e mishit artificial…

Dyqani i mishit Fleischers ngjan si një stacion i madh autobuzi. Vendosur në Park Slope, në Brooklyn të New York-ut, ai është ndër pikat e para të “kasapëve etikë” në SHBA. Çdo kafshë që theret në Fleischers ka jetuar në natyrë dhe është ushqyer me bar e sanë në vend të ushqimit industrial plot me hormone dhe antibiotikë.

Natyrisht që “etika” përcakton dhe çmimin. Parë nga jashtë, me panelet e zeza prej druri, dyqani i ngjan një dyqani bizhuterish. Brenda muret janë të veshura me pllaka të pastra të bardha, në raftet e frigoriferëve mishi vendoset mbi letër kasapi të zezë dhe zbukurohet me gjethe lakre për të nxjerrë në pah të kuqen. Të gjithë punonjësit kanë veshur këmisha të zeza. Me kërkesën e klientit, ata nxjerrin tabakatë për t’i ekzaminuar më nga afër, sikur të ishin unaza fejese.

“E doni për për barbeque?”, pyet shitësi duke treguar një copë nga kofsha e viçit. Padyshim që për barbecue nuk është i lirë: një kilogram kushton 48 dollarë, afërsisht 40 euro. Në një botë ku supermarketet shesin gjysmë kile mish derri për tre euro, koncepti i “kasapit etik” duket se nuk është i kohës. Megjithatë, mund të rezultojë largpamëse, sepse parashikohet që në të ardhmen viçi, derri dhe shpendët do të bëhen një ushqim i rrallë, një delikatesë e shtrenjtë.

Kjo e ardhme po afrohet.

“Prodhimi i mishit siç  dihet është drejt një pike fundore” konfirmon firma ndërkombëtare këshilluese A. T. Kearney. Në vitin 2040, vetëm 40 përqind e mishit të shitur në të gjithë botën do të vijë nga kafshë të gjalla. Pjesa dërrmuese e biftekëve, bërxollave dhe qofteve nga mishi do të zëvendësohen nga imitimet e perimeve ose mishi sintetik i prodhuar nga industria e bioteknologjisë.

Shqetësimet klimatike po përshpejtojnë ndryshimin. Sipas fondacionit Heinrich Böll, industria e mishit dhe qumështit është përgjegjëse për 14 përqind të emetimeve të karbonit. Fermat intensive po kontestohen gjithashtu nga shumica e konsumatorëve, ndonëse për momentin nuk heqin dorë nga mishi. Ende nuk mund të thuhet me siguri se kur do të vijë pika e kthesës që shpallin ekspertët.

Por nëse ndodh, ne shmangim emetimin e sasive të mëdha të gazrave serë. Miliona kafshë bujqësore do të vuanin më pak. Dhe një numër i vogël i shumëkombësheve bujqësore, ende të panjohura për shumicën e konsumatorëve, do të bëhen më të fuqishme se kurrë.

Pika e kthesës mbase ka filluar. Tashmë ka kompani, që për shembull prodhojnë hamburger nga një pure bizelesh. Ky zëvendësues i mishit po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në restorante dhe mensa në gjithë botën.

Në SHBA zinxhiri i fast-foodeve King Burger shet Ëhopper Impossible, i bërë me proteina bimore. Pothuajse çdo javë, kompanitë e ushqimit si Nestlé hedhin në treg zëvëndësues të rinj të mishit, të tilla si Incredible Hack.

Nga emrat e produkteve pothuajse duket se gjithë kompanitë ushqejnë të njëjtën shpresë në një mrekulli. Gjenerata e zëvendësuesve të mishit mbetet ende futuristike.

Ëndrra e Çurçillit

Rehovot është një ndërmarrje në periferi të Tel Avivit në Izrael. Kati i tretë të njërës prej ndërtesave është një frigorifer. Brenda, biftekët e së nesërmes vendosen në kavanoza transparentë. Ata janë ende të pakapshëm për syrin, janë thjeshtë ca qeliza burimore gjedhi.

Por nëse futen në supë, ata bëhen një copë mishi. “Teknologjia jonë na lejon të kultivojmë një ind tre-dimensional të bërë nga qelizat e muskujve, yndyrnat, indet lidhës dhe enët e gjakut”, shpjegon biologu Neta Lavon.

Lavon është kreu i kërkimit në Aleph Farms, e para e përfshirë në zhvillimin e mishit sintetik. Personat që punojnë në këtë sektor quhen kultivuesit e mishit. “Uinston Çurçill ka shkruar se një ditë do të duket absurde të skuqësh një pulë të tërë për të ngrënë vetëm gjoksin ose kofshën e saj”, thotë Lavon. Për studiuesit ajo ditë ka mbërritur. “Në teori, nga qelizat burimore të një lope të vetme mund të prodhojmë sa mish që të duam”, thotë shkencëtari.

Në dhjetor 2018, Aleph Farms prodhoi prototipet e para të biftekut – secila pak më të vogël se një kartë krediti dhe e trashë gjysmë centimetri – që pasi u gatuan ju shërbyen mysafirëve. Lavoni e shoqëroi me një gotë verë të kuqe. Gjithë skenën mund ta shikoni në YouTube.

Laboratorët e kompanisë të kujtojnë një zyrë mjekësore. Ka frigoriferë dhe inkubatorë për bakteret, pranë tyre mikroskopë, dorezave plastike e shiringa. Përzierësit, lëngje portokalli mbahen në enë qelqi.

A flasim për prodhimin e ushqimeve apo të ilaçeve? Kompani të tjera izraelite, si SuperMeat, Future Meat Technologies dhe BioFood Systems, gjithashtu zhvillojnë teknologjinë e kultivimit të mishit në laborator. Sipas sondazheve në Izrael, veganët përbëjnë 5 përqind të popullsisë, një përqindje shumë e lartë në krahasim me pjesën tjetër të botës.

Tani edhe ushtria izraelite u jep ushtarëve të saj racione vegane. Lavon, megjithatë, e bën të qartë se kompania e tij nuk u drejtohet veganëve, as vegjetarianëve, “por gjithë atyre që thjesht duan të zvogëlojnë konsumin e mishit konvencional.

Dhe është pjesa më e madhe e popullsisë “. Prodhimi i një bifteku të vogël kushton vetëm 50 dollarë, shpjegon Lavon. Një hap i madh përpara duke marrë parasysh që i pari burger artificial, i paraqitur nga shkencëtari holandez Mark Post në vitin 2013, kushtonte 250 mijë dollarë. Burgeri, i cili ishte bërë vetëm nga fibrat e muskujve, u financua nga Sergey Brin, bashkëthemelues i Google. Në atë kohë, një biftek sintetik ishte trillim shkencor. Tani ai kushton vetëm 50 dollarë. Dhe prodhimi në shkallë industriale mund ta ulë çmimin edhe më tej.

Aleph Farms pretendon se ka kapërcyer edhe kritikat themelore që kanë bërë shumë mbrojtës të kafshëve në lidhje me kultivimin e qelizave burimore. Sipas një raporti nga shoqata Ärzte gegen Tierversuche (Mjekët kundër testeve me kafshë) qelizat përftohen pa garantuar respekt për kafshën: “Menjëherë pas therjes së një lopë shtatzënë, fetusi nxirret nga mitra. Ndërsa ai është akoma gjallë, një gjilpërë futet direkt në zemrën e tij dhe i gjithë gjaku i tij thithet derisa të vdesë “.

Duke i quajtur të tejkaluara këto probleme Aleph Farms planifikon të furnizojë restorantet e para në tre vjet e gjysmë, kur prodhimi do të funksionojë me kapacitet të plotë dhe autoritetet e sigurisë ushqimore do të kenë dhënë autorizimin. Deri atëherë do të jetë zgjidhur edhe dilema e emrit që do të duhet të shënohet në menu: Mish laboratori? Mish etik? Mish i kultivuar? Apo diçka krejtësisht ndryshe?

Por për shkak se këto produkte e imponojnë veten në treg, ekziston nevoja për një tjetër pikë kthese: atë në zakonet e konsumatorit. Në çdo tavernë fshati gjerman do të gjeni njerëz që hanë së bashku: prindër dhe fëmijë, çifte të reja dhe pensionistë. Ata porosisin qofte me patate të skuqura, biftekë gjeldeti apo viçi të pjekur. Fëmijët në parqet urbane hidhen me padurim rreth grillave, mbi të cilat skuqen salcice.

Në një restorant të shtrenjtë italian, burri dhe gruaja festojnë përvjetorin e tyre me karpaçio viçi. Pas punës, kolegët e gjejnë veten në burgers, dhe skelat e qebapit përgatiten përgjatë rrugëve të këmbësorëve. Në dyqanin e kasapit ka mish viçi me zbritje. Mishi me të cilin jemi mësuar të gjithë, mishi i vjetër normal, është kudo. Për shumicën e njerëzve merret si e mirëqenë: si një meze e lehtë, si një pjatë tradicionale ose si gatesë. Është një simbol i mirësisë, sinqeritetit dhe traditave lokale, por edhe i luksit. Mishi bashkon brezat, dhe gjithnjë si dje dhe sot.

Sigurisht, për mjedisin dhe klimën do ishte më mirë nëse hanim më pak mish.

Por a është i mjaftueshëm ky argument për të bindur mishngrënësit?

A nuk është e vërtetë që çdo parti politike që guxon të propozojë kufizime në konsumin e mishit, humbet mijëra votues?

A është revolucioni i mishit vetëm ideja fikse e një elite jashtë realitetit?

Me bestsellerin e tij “E vërteta, ju lutem, për ushqimin” (Vallardi 2019), gazetari shkencor Bas Kast është bërë një autoritet mbi këtë temë. Pas këshillave të tij, mijëra njerëz kanë zëvendësuar qumështin e lopës me qumësht tërshëre. Kast është një nga ata njerëz që mund të transformojë normalitetin.

“Sa i përket mishit, unë vërej një ndryshim të dukshëm të zakoneve”, thotë ai. Edhe tifozët absolutë të mishit kanë shkuar deri aty sa të provojnë alternativa si mishi i hamburgerit. Vetëm një gjë duhet të shmanget: ndalime shumë të rrepta dhe moralizmi. “Është si transporti”, shpjegon Kast. “Ju mund t’u predikoni njerëzve për braktisjen e SUV-ve. Ose mund të bëni si Elon Musk, të krijoni një makinë elektrike shumë të pëlqyer”.

Sociologia Eva Barlösius, autore e esesë “Soziologie des Essens” (Sociologjia e të ngrënit), është shumë skeptike. “Mendoj se asgjë e re nuk po ndodh,” thotë ajo. “Ushqimi, dhe veçanërisht mishi, janë kolona klasike me të cilët shoqëritë përballen me veten, me vlerat dhe normat e tyre”. Aty ku ka pasuri, gjithmonë ekziston edhe mishi, kontrolli i pronave të mëdha tokësore, dhe e drejta për gjueti kafshësh.

Largimi nga mishi do të nënkuptonte gjithashtu braktisje të kamjes. Në antikitet Pitagorasit përdorën vegjetarianizmin si mjet proteste kundër të pushtetarëve në Athinë. Më vonë protestantët dhe pacifistët duke dashur të eksperimentonin stile të reja jetese, e konsideruan mishin moralisht inferior. Por këto valë vegjetariane kurrë nuk arritën të shkaktojnë një ndryshim tërësor në shoqëri. Risia sot është se nuk janë vetëm të pasurit ata që konsumojnë mish në sasi të mëdha, por edhe klasat e ulëta. A do të arrijmë vërtet në një braktisje të përgjithshme? “Nëse kjo ndodh unë nuk do të jem aty për ta parë”, thotë Barlösius.

Luise Tremel, një historian nga Universiteti i Flensburg, thotë se për të kaluar në fazën vendimtare të ndryshimit, në rrugën e heqjes dorë nga mishi, tema duhet të politizohet. “Unë nuk shoh askënd që i është përkushtuar sinqerisht temës së mishit.

Askush nuk bën propozime konkrete për të rregulluar konsumin dhe të bashkojë ata që do të interesohen në një nivel ekonomik, përkatësisht përfaqësuesit e industrisë së mishit “. Pas dështimit të propozimit të gjelbërve gjermanë për të vendosur një “ditë vegjetariane” të detyrueshme, askush nuk guxon të përballet më me këtë çështje. Të paktën, asnjë politikan.

Ndryshim strategjie

Rügenëalder Mühle, një kompani në Saksoninë e Ulët, deri para pesë vjetësh, ishte një biznes familjar që merrej vetëm me produkte shtazore. Atëherë pronari, Godo Röben, kuptoi që prirja ishte drejt tregut vegan, dhe pak nga pak iu largua salciceve të mishit.

Në produktin bazë për to u kthyen bimët si soja, gruri dhe bizelet. Strategjia e re tashmë e ka shlyer investimin: rreth një e treta e të ardhurave vijnë nga alternativat ndaj mishit, dhe kompania është lideri i kësaj industrie në Gjermani.

Që në vitet 1960, fermerët adoptuan logjikën e prodhuesve të automobilave, jo prodhim i vogël por industrializim, përmes prodhimit intensiv zvogëlohen kostot. Nga mbarështuesit e dy derrave, qasja ndryshoi në njëzet e më pas dyqind. Për të kursyer hapësirë, ata i shtypnin ato brenda stallave, duke i ushqyer me ushqime energjetike për t’i bërë të fitonin peshë sa më shpejt.

Pastaj modeli industrial u aplikua edhe për kafshët e tjera të fermave. Sot, shumëkombëshe të shpendëve, siç është Aviagen, shesin pula të ushqyera me maja, që rriten shpejt, të shoqëruara me një manual 148 faqesh. Që nga vezët, një pulë e tillë bëhet e gatshme për therje në vetëm gjashtë javë.

Në Australi, Consolidated Pastoral Company ka 380 mijë krerë bagëti kafshët. Kjo fermë gjigande, shtrihet në sipërfaqe më të madhe se Zvicra. Kompania daneze për përpunimin e mishit Croën, që sipas disa vlerësimeve është më e madhja në Evropë, ther 21 milion derra në vit, një derr çdo sekondë e gjysmë. Kompania kineze Yingzi Technology synon të përdorë sisteme skanimi për të monitoruar shëndetin e derrave. Sipas analistëve të Rabobank vetëm në vitin 2019 në Kinë dyqind milion derra janë eleminuar për të mbajtur nën kontroll përhapjen e etheve të derrit afrikan.

Për këtë arsye, për disa analistë të tregjeve ndryshimi është i pashmangshëm.

“Kthesa e ushqimit është po aq e rëndësishme sa energjia apo kthesa e transportit, thonë ata. Motori me djegie të brendshme po zëvendësohet nga ai elektrik, termocentralet me qymyr nga energjia e rinovueshme. Po industria ushqimore pse të mos përshtatet”?

Beteja për të vendosur se kush do të garantojë ushqimin e njeriut pasi revolucioni i mishit ka filluar tashmë. Mbarështimi, therja dhe përpunimi i mishit përfaqëson një qarkullim prej 400 miliardë dollarë në vit.

Vlera është sa ajo e qindra kompanive të mëdha të prodhimeve luftarake në botë të shitjes së tankeve, avionëve luftarakë, nëndetëseve dhe armatime të tjera. Dhe nëse mishi duhet të humbasë rëndësinë, kush do të përfitonte prej kësaj? Në qytetin Wayzata, në Minesota, ka selinë e një ndërmarrje gjigande, por pak e njohur për publikun: Cargill, kompania më e madhe familjare në botë. Nga pasardhësit e themeluesit të saj Ëilliam Ë. Cargill, që ka vdekur më 1909, tani ka 14 miliarderë. Familja është klani më i pasur i korporatave në SHBA. Pasuria e tyre nuk vjen nga nafta apo gazi, por nga ushqimi i kafshëve.

Sot pothuajse gjysma e bimëve që kultivohen në botë janë foragjeret për kafshët e fermave: rreth 1 miliard derra, 1.5 miliardë bagëti dhe 22 miliardë shpendë. Sipas vlerësimet nga organizatat joqeveritare, më shumë se dy të tretat e tregtisë botërore të drithërave dhe farërave kontrollohen nga katër multinacionale: Archer Daniels Midland, Bunge, Cargill dhe hollandezja Louis Dreyfus Company.

Ky kuartet, i njohur si Abcd, mbulon gjithcka nga ushqimi i kafshëve e deri tek tregtia e drithërave si: grurë, soje, misër, farat e lulediellit, kakao, niseshte, fruktozë, canola, fara e lirit, vajrat vegjetale dhe madje edhe biodiesel.

Pa ABCD, prodhuesit e mëdhenj Nestlé apo Unilever nuk do të kishin lëndët e para për picat e ngrira, margarinën ose salcat e gatshme. Pa ABCD, raftet e supermarketeve do të ishin bosh. Nëse revolucioni i mishit i bën miliona kafshë bujqësore të tepërta, nuk do të ishte problem për këta gjigantë. Sigurisht, ata do të humbnin klientët e tyre kryesorë, por si kthim ata mund të kontrollojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit të zëvendësuesve: nga drithërat tek pjatat e gatshme. Pse të vrapojnë pas derrave, kur drithërat mund tu shiten direkt konsumatorëve?

Nga një monopol në tjetrin

Cargill tashmë po përgatitet për nesër. Në janar 2018 kompania filloi një bashkëpunim me Puris, shpërndarësin kryesor të hamburgerave me perime të Beyond Meat. Sipas agronomes së Greenpeace Stephanie Töwe-Rimkeit, “lojtarët e mëdhenj, tregtarët e grurit dhe farërave vajore dëshirojnë të kenë të njëjtin ndikim dhe kontroll në tregun alternativ siç kanë pasur në industrinë e mishit”.

Në vitin 2017, Cargill bleu aksione në kompaninë kaliforniane Mephis Meats, e cila studion se si të përfitohet mishi nga qelizat burimore të kafshëve. Në maj të vitit 2019 investoi në Aleph Farms, ndërmarrja izraelite e kultivimit të mishit. Kërkesa botërore për proteina do të rritet në mënyrë të konsiderueshme. Cargill paraprin duke thënë: “Ne duhet të jemi të hapur për të gjitha opsionet “.

Kapitali po e përmbyt sektorin alternativ të mishit. Përveç Sergey Brin të Google, themeluesi i Microsoftit Bill Gates, bashkë-themeluesi i Tëitterit Biz Stone dhe sipërmarrësi britanik Richard Branson kanë investuar në të. Për ta, kafshët nuk janë gjë tjetër veçse makineri të vjetëruara që konsumojnë shumë energji për të prodhuar mish. Blegtorët tradicionalë nuk janë entuziastë për këto zhvillime.

Në SHBA shumë prej tyre po lobojnë fort për të shmangur me çdo kusht që zëvendësuesit të mund të futen në treg nën emrin “mish”. Në tridhjetë shtete federale, janë paraqitur kërkesa për ta parandaluar këtë. Në Misuri ndalimi tashmë është në fuqi, dhe kushdo që shet për “mish” diçka që nuk rrjedh nga një kafshë e therur rrezikon deri në një vit burg.

Në fund të vitit 2018 në Gjermani u nxorën direktiva të reja për emërtimin e zëvendësuesve të mishit. Lobi i mishit thotë se është i kënaqur. Ai dëshiron ta bëjë këtë normë në të gjithë Bashkimin Evropian.

Shoqatat e mbrojtjes së konsumatorit janë skeptikë për faktin se në SHBA gjigandët e rinj të mishit alternative po e konsolidojnë fuqinë e tyre tregtare me paratë e miliarderëve. “Ideja se ato janë për të shpëtuar planetin është shumë problematike në rastin e ushqimit”, thotë Patty Lovera nga Food & Water Watch.

Sipas organizatës së tij, ushqimi dhe uji i pijshëm janë “të kërcënuara nga kompani që vendosin fitimin para mbijetesës së njerëzimit”.

Rruga drejt një shoqërie pa mish tashmë po merr formë: miliona kafshë bujqësore nuk do të kenë më nevojë të vuajnë, sepse askush nuk do të ketë nevojë për to në sasitë e tanishme. Prodhimi i mishit dhe produkteve zëvendësuese mund të jetë shumë më miqësor ndaj klimës. Të njëjtat shumëkombëshe që kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut ndërkombëtar të ushqimit sot do ta vazhdojnë ta bëjnë këtë nesër.

Vetëm se atyre nuk do tu duhet të ndajnë më fitimet me mbarështuesit. Dhe ushqimet për kafshët, për të cilat nuk do të ketë më nevojë, lehtë mund të kthehen në mish zëvendësues të përftuar prej bimëve. Si foragjere për njerëzit.

Heike Buchter, Nina Pauer e Marcus Rohwetter

Die Zeit, Gjermani/ SCAN Magazine

SHKARKO APP