Histori shqiptare, nga puna e krahut në Operan Mbretërore në Suedi
Talent, punë dhe fat. Ky trekëndësh që në përgjithësi çon në sukses, duket se deri sot nuk kishtë lidhje me Andrea Naston, një shqiptar në Greqi, të cilit i mungonte elementi i tretë, fati. Andrea, një muzikant i talentuar shkoi në Greqi në moshën 18 vjecare për një jetë më të mirë. Sot ai është bërë personazh në median greke, për faktin që më në fund edhe fati i buzëqeshi.
Kur mbërriti në Greqi ai nuk e kishte përfunduar shkollën e muzikës për kanto, ndaj vijoi studimet dhe u diplomua në Athinë në konservatorin e muzikës. Por ndërkohë i është dashur të punojë shumë. Ka punuar në dy-tre pune, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Që nga transporti, kamerieri, kopshtari, shitës karburanti, disa prej tyre në të njëjtën kohë. Por dashuria e tij e madhe ishte, është dhe do të jetë muzika, dhe Andrea është shembulli që vërteton se kur je i pasionuar për diçka, nuk e njeh as lodhjen, as sakrificën.
Sot 46 vjecar, baba i një vajze Andrea Nasto tregon se flinte vetëm dy ose tre orë në ditë. Kur kthehej në shtëpi natën vonë, qëndronte zgjuar dhe të studionte. Kur punonte si kamerier ndonjëherë merrte mikrofonin dhe këndonte duke emocionuar klientët e restorantit.
“Në zhanrin që këndoj ka pak mundësi dhe madje më pak në Greqi. Është gjithashtu një çështje fati, i cili nuk më ka ndihmuar deri tani”, thotë Andrea për median greke.
Grekët thonë se “talenti dhe kollitja nuk mund të fshihen”. Kështu 46-vjeçari filloi të bëhej i njohur. Duke punuar gjithmonë disa orë në ditë, ai filloi të shikonte jashtë vendit për mundësinë e tij të madhe. “Vitet kalojnë dhe nuk kam kohë për të pritur mundësinë”, tha ai dhe iku.
Pas një provimi shumë kërkues, ai arriti të fitojë vendin e tij në Stokholm, si tenor i Shtëpisë së Operës Mbretërore.
“Ajo që bëj më mbush jetën dhe shpirtin. Ndjenja pozitive më pushtojnë kur këndoj. Unë besoj tek vetja ime edhe pse kam patur shumë dështime, por është njerëzore dhe e bukur të jetosh me vuajtjet e tua. Askush nuk e di ku të con fati, ndaj provoni. Unë do të këmbëngul deri sa të vdes, sepse besoj se kur këmbëngul, në një moment do të ndodhë ajo që dëshiron”, thotë ai.
Deri në verë kur Andrea të këndojë në operan mbretërore të Suedisë, për të cilën po punon, Andrea Nasto këndon tani në hollin e hotelit Britania e Madhe! /BW