Kolesteroli ndryshon gjatë stinëve
Kolesteroli si duket ndryshon me ndërrimin e stinëve. Kjo mund të thotë që njerëzit me një vlerë të kolesterolit që gjendet në kufi, gjatë muajve të dimrit mund të jenë më shumë të rrezikuar për sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut.
Është e rëndësishme për të njohur se cilat janë nivelet tuaja të kolesterolit dhe për t’i mbajtur ato në një nivel të shëndetshëm, përpara se të keni ndonjë problem, transmeton Telegrafi.
Niveli i lartë i kolesterolit nuk është domosdoshmërisht një problem, por duke u bashkuar me një ose më shumë faktorë të tjerë rreziku mund të jetë problematik.
Kur niveli i kolesterolit është shumë i lartë, rritet rreziku për atak në zemër dhe i sëmundjeve të tjera kardiovaskulare.
Këtë e thonë hulumtuesit nge Universiteti Shtetëror Campina në Brazil. Ata i kanë prezantuar rezultatet e studimit të tyre në konferencën vjetore të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë.
Një studim i mëhershëm ka zbuluar se gjatë dimrit rritet numri i sulmeve në zemër dhe vdekjeve si pasojë e ndonjë sëmundjeje të zemrës.
“Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin që kolesteroli dhe trigliceridet në trupin e tyre ndryshojnë gjatë vitit”, ka thënë hulumtuesi Filipe Moura.
Për këtë arsye nganjëherë bëhen vlerësime të gabuara të rrezikut kardiovaskular. Sidomos te njerëzit që kanë kolesterolin pak përtej kufirit rreziku është shumë më i madh sesa që mendohet.
Kolesteroli i lartë nuk shkakton simptoma. Por, ai dëmton në heshtje enët e gjakut duke ndërtuar pllaka në muret e arterieve me pasojë ngushtimin e tyre.
Lajmi i mirë është se kolesteroli i lartë mund të konstatohet herët, perpara se ai të bëhet i rrezikshëm.