Londër-Nju Jork për 3.5 orë, kompania amerikane prezanton “të birin” e Concorde që do transformojë aviacionin
Avioni më i shpejtë në botë i quajtur “biri i Concorde” do të kalojë Atlantikun, me destinacionin Londër-Nju Jork për vetëm 3.5 orë.
Kompania e aviacionit Boom Supersonic zbuloi në Farnborough International Airshow modele të avionit të saj Overture.
Avioni përmban katër motorë, një trup të ri dhe më pak vende për pasagjerë sesa avionët tradicionalë dhe pretendohet se do të bëjë që njerëzit të mund të fluturojnë përtej oqeanit Atlantik me shpejtësi shumë herë më të lartë se aktualja.
Në mënyrë të veçantë, Overture do të jetë në gjendje të lundrojë me 1.7 Mach mbi ujë dhe pak nën 1 Mach mbi tokë.
“Aviacioni nuk ka parë një kërcim gjigant në dekada”, tha në një deklaratë themeluesi dhe CEO i Boom, Blake Scholl.
“Overture është revolucionar në dizajnin e vetë dhe do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si ne mendojmë për distancën. Një mënyrë e tillë që dizajni i avionit është unik është se ai është zhvilluar për të emetuar karbon neto zero, duke fluturuar me karburant 100% të qëndrueshëm”, shtoi ai më tej.
Concorde
Kompania gjithashtu vuri në dukje se ishte në partneritet me kontraktorin “Northrop Grumman” për të zhvilluar aeroplanë ushtarakë dhe të reagimit emergjent.
“Ky bashkëpunim mund t’i “sigurojë SHBA-ve dhe aleatëve një aftësi të pashoqe me shpejtësi të lartë kur dhe ku është më e nevojshme”, vuri në dukje Scholl.
Më pas ai përcaktoi fushat me interes si “mbikëqyrja dhe zbulimi me reagim të shpejtë, komanda dhe kontrolli, si dhe misionet e lëvizshmërisë dhe logjistikës”.
Kur do të fluturojë avioni?
Ndërsa është e paqartë saktësisht se kur avioni do të dalë në prodhim, kompania ka filluar të hedhë themelet.
Boom do të fillojë duke ndërtuar skeletin e ‘zogut të hekurt’, i cili do të përdoret për testimin e komponentëve dhe sistemeve të fluturimit, raportoi Victor Tangermann për Futurism.
“Deri më tani, kompania ka ndërtuar vetëm një demonstrues të shkallës së një të tretës të quajtur XB-1 që pritet të testohet gjatë këtij viti”.
Testimi dhe simulimet do të ndodhin në zyrat e Boom-it në Centennial, Kolorado.