Më shumë se gjysma e austriakëve asnjë njohuri për Holokaustin

Sipas një sondazhi rezulton se njohuria e austriakëve rreth Holokaustit është thellësisht e mangët. Më shumë se gjysma e të anketuarve nuk e dinin se gjashtë milionë hebrenj ishin vrarë nga regjimi nazist.

E njëjta gjë ishte edhe për të intervistuarit më të rinj në moshë, madje rreth 38% mendonin se nazizmi mund të kthehej në pushtet.

Më shumë se 1/3 e të gjithë austriakëve dhe 42 % e atyre që lindën rreth mbarimit të shekullit mendonin se dy milionë e më pak hebrenj ishin vrarë gjatë Holokaustit.

Rreth 13% e pjesëmarrësve të rinj në moshë gjithashtu mendonin se numri i hebrenjve të vrarë ishte “tepër i ekzagjeruar” dhe 58% mendonin se diçka si Holokausti mund të ndodhte përsëri në një nga vendet e tjera anëtare të BE.

Opinioni se Austria ishte fajtore dhe viktimë e epokës naziste është ende i përhapur. Rreth 45% thanë se Austria nuk mori masa, kur u aneksua nga Gjermania naziste dhe 32% të tjerë thanë se aneksimi ishte mbështetur gjerësisht në Austri.

Madje shtatë për qind ishin të mendimit se Austria ishte kundër aneksimit.

Kur u pyetën për kampet e përqendrimit në Austri, 42% nuk njihnin kampin e vdekjes në Mauthausen. Kishte gjithashtu një mungesë shqetësuese njohurish për njerëzit që u persekutuan.

Sondazhi u krye me 1 000 qytetarë austriakë, me telefon ose e-mail dhe të dhënat u analizuan nga instituti ”Schoen Consulting”./ATA

SHKARKO APP