Ndryshimi i klimës rrezikon prodhimin e birrës

Ndryshimet klimatike do të krijojnë probleme për ata që pinë birrë, pija alkoolike më popullore e botës. Arsyeja është se ndryshime të tilla pritet të sjellin rënien e prodhimit të elbit, elementi kryesor i birrës, sipas një studimi të publikuar të hënën.

Nëse temperaturat rriten me ritmet e tanishme, thuhet në studim, moti ekstrem me valë të nxehti dhe me thatësirë do të jetë mjaft i shpeshtë, çdo dy ose tre vjet në gjysmën e dytë të shekullit.

Prodhimi mesatar i elbit në botë gjatë periudhave me mot ekstrem pritet të bjerë mes 3 dhe 17 për qind, në varësi të kushteve, thuhet në studimin e botuar në revistën Nature Plants.

Më pak elb do të thotë mungesë birre dhe rritje e çmimeve. Në një skenar klime të nxehtë, Kina do të ketë rëniet më të mëdha të prodhimit këtë shekull, pasuar nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Rusia, sipas studimit.

Çmimet do të rriten më shumë në Irlandë, Itali, Kanada, Francë dhe Poloni. Gjatë periudhave të tilla, çmimet për një shishe birre 500 mililitërshe në Irlandë do të rriten nga rreth 2.5 në 5 dollarë.

Birra është pija alkoolike më e vjetër dhe më e njohur në botë. Shiten më shumë se 133 miliardë litra birrë në vit. Prodhohet nga tharmëtimi i lëndëve me bazë niseshtenë, zakonisht përdoret elbi, megjithëse përdoren edhe rrënjët e kasavës (Manihot esculenta) në Afrikë, patatja në Brazil dhe Agava (lloj kaktusi) në Meksikë.

Vetëm pijet e prodhuara në këtë mënyre konsiderohen birra të mirëfillta. Për shkak të përbërësve dhe ecurive të përdorura nga prodhuesit e birrës, birra mund të ndryshojë vetitë e saj në shije dhe ngjyrë.

Nuk dihet me saktësi se kur u zbulua birra. Në vitin 1926, në një muze të Londrës ruheshin dy pllaka të lashta, që fillimisht konsideroheshin se ishin shkruar 9 000 vjet më parë. Arkeologu Huber mbështeste teorinë se në këto pllaka përshkruhej mënyra e bluarjes së drithit emmer (Triticum dicoccon), dhe se ishte prova më e lashtë e prodhimit të birrës. Por më vonë, hetimet e kryera nga shkencëtarë të tjerë provuan se këto pllaka nuk ishin aq të vjetra sa i mbështeste Huberi.

Sot, provat më të lashta për ekzistencën e birrës mendohet të jenë rreth më se 6 000 vjet dhe përshkruhen nga sumerët, të cilët kishin një qytetërim mjaft të lashtë Sumerët.

Sumerët e zbuluan rastësisht procesin e fermentimit, ndoshta nga një copë bukë që u lag dhe u harrua. Pas pak kohe ajo fillojë të fermentohet me ndihmën e disa baktereve të ajrit, duke u kthyer në një masë alkoolike. Sumerët ishim mjaft të zgjuar. Ata e kuptuan këtë proces dhe e kopjuan, duke u bërë kështu populli i parë në botë që prodhoi birrën, si ofertë për perënditë e tyre.

SHKARKO APP