Pa ujë të pijshëm e ushqim, si mbijetuan tre kubanezët 33 ditë vetëm me arra kokosi
Dy burra dhe një grua janë shpëtuar në një ishull në Bahama, pasi kishin ngecur atje për plotë 33 ditë – duke mbijetuar vetëm me arra kokosi.
Helikopteri me ekipin e shpëtimit që ishin pjesë e rojeve bregdetare amerikane, kryen operacionin e kërkim-shpëtimit të ngjashëm me skenat e filmave të Hollywoodit, transmeton Telegrafi.
Ata kishin parë treshen duke ngritur flamurin gjatë një patrulle rutinore në ujërat e Anguilla Cay.
Fillimisht ishte besuar se janë emigrantë që janë munduar të futen në Shtetet e Bashkuara apo peshkatarë që kanë humbur në det. Por të gjithë u habitën se si kishin arritur të mbijetojnë pa ushqim e ujë të pijshëm.
Ata u kanë thënë shpëtuesve se kishin përfunduar në ishull pesë javë më parë, kur anija e tyre u shkatërrua duke u përplasur në shkëmbinj pas ujërave të trazuar dhe dallgëve të mëdha.
Megjithatë pasi u thanë rojeve bregdetare se kanë mbijetuar duke konsumuar vetëm arra të kokosit, u dërguan me urgjencë në spital për kontroll. Nga spitali është bërë e ditur se ata nuk kanë ndonjë lëndim.