Pack Rafting, sporti më i ri ujor në Shqipëri

Për herë të parë në Ballkanin Perëndimor ka nisur zhvillimi i një aktiviteti të ri ujor i aventurës. Ai quhet Pack Rafting dhe është jo vetëm një sport i ri ujor edhe ne Shqipëri, por edhe më i thjeshtë dhe praktik se sa rafting tradicional.

Sipas Blerina Ago nga “Active Albania” ky lloj sporti të jep mundësinë ta marrësh një gomone të përshtatur me fizikun e njeriut, pa pasur nevojën e makinës, pasi ajo peshon vetëm 3 kg dhe si e tillë mund të merret për t’u praktikuar edhe në zona ku nuk futen automjetet.

Pack Rafting mund të shijohet në laguna, liqene dhe lumenj duke e kombinuar me hiking, çiklizëm etj.

Blerina Ago, autore e kësaj oferte të re turistike, shpjegoi se skuadra e “Active Albania” po ridizenjon produkte turistike për t’iu përgjigjur periudhës së COVID-19 dhe post COVID-19.

“Pas një studimi të hollësishëm të sjelljes së konsumatorit, trendeve të turizmit në tregun europian si dhe pasojave të pandemisë, u zhvillua në përputhje me standardet ndërkombëtare Pack Rafting sepse:

– Ne duam t’i mundësojmë turistëve ruajtjen e distancimit social dhe ndjekjes së të gjitha protokolleve të higjienës dhe sigurisë;

– ne synojmë të minimizojmë gjurmët e aktiviteteve tona turistike duke ofruar aventura ekologjike dhe duke zvogëluar emetimin e dioksidit të karbonit në mjedis.

-ne na pëlqen të ndajmë me të tjerët, prandaj sigurohemi që në të gjitha itineraret e pack rafting nëpër Shqipëri të angazhojmë udhërrëfyesit lokale dhe mikpritësat e zonës ku zhvillojmë ofertat tona turistike, duke bërë të mundur që turistët të qëndrojnë më gjatë pranë komuniteteve lokale, të shpenzojnë më shumë dhe të largohen me shijen më të mirë shqiptare”, shprehet Ago.

Fotot më poshtë janë nga aventura e pack rafting në liqenin e Ohrit në Pogradec dhe ecjes nga fshati Tushemisht drejt fshatit Peshkëpi.

SHKARKO APP