Pse lideri legjendar kuban, Fidel Castro mbante gjithmonë dy orë Rolex në kyçin e dorës?
Për shumëkënd, ai mbetet figura emblemë e rezistencës ndaj imperializmit dhe një nga protagonistët më të fortë të shekullit XX. Por përtej retorikës politike dhe historisë së trazuar, Castro kishte edhe një detaj të veçantë që tërhiqte vëmendjen e gazetarëve, fotografëve dhe vëzhguesve të imët: dy orë të vendosura njëra mbi tjetrën në dorën e majtë. Një gjest i pazakontë, pothuaj enigmatik, që ka ushqyer për dekada kureshtjen dhe interpretimet.

Tri janë teoritë më të përfolura që përpiqen të shpjegojnë këtë zgjedhje të pazakontë.
Së pari, teoria pragmatike dhe gjeopolitike. Në vitin 1963, gjatë një vizite zyrtare në Moskë, shumë vëzhgues vunë re se Castro i referohej shpesh orëve të tij. U mendua se ai mbante dy orë për të ndjekur paralelisht kohën në Kubë dhe në Bashkimin Sovjetik, një aleat strategjik jetik në kulmin e Lufta e Ftohtë. Në një kohë kur komunikimi nuk ishte i menjëhershëm si sot, sinkronizimi kohor kishte një domethënie të veçantë për vendimmarrjen politike dhe ushtarake.

Së dyti, teoria funksionale, e thjeshtë, pothuaj utilitare. Vetë Castro, me atë stilin e tij të drejtpërdrejtë, thuhet se ka dhënë një përgjigje që çarmatos çdo mistikë, njëra orë ishte rezervë. Nëse njëra ndalonte, tjetra vazhdonte të funksiononte. Një reflektim i një mendësie praktike, të një lideri që jetonte në tension të përhershëm dhe që nuk mund t’i lejonte vetes luksin e pasigurisë – as edhe në diçka kaq të vogël sa matja e kohës.

Së treti, teoria kulturore dhe simbolike, ndoshta më intriguese. Sipas disa interpretimeve, Castro kishte një afrim me besimin Santeria, një traditë shpirtërore me rrënjë në Afrikën Perëndimore, e përhapur gjerësisht në Kubë. Në këtë sistem besimi, mbajtja e objekteve mbrojtëse – si byzylykët ritualë – është pjesë e praktikës. Disa kanë sugjeruar se ora e dytë mund të ketë shërbyer si një mënyrë për të maskuar një simbol të tillë mbrojtës, duke e fshehur atë nën një objekt të zakonshëm dhe të pranueshëm publikisht.

Përtej këtyre interpretimeve, dy orët e Castros mbeten një detaj i vogël, por domethënës: një ndërthurje e funksionalitetit, simbolikës dhe imazhit publik. Ato janë një kujtesë se edhe figurat më monumentale të historisë bartin me vete gjeste të vogla, të cilat, në mënyrën e tyre, flasin po aq sa fjalimet dhe vendimet që ndryshojnë rrjedhën e botës.

Fidel Castro u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të debatueshme, por të pamohueshme në ndikimin e saj global. Ceremonitë mortore u zhvilluan më 4 dhjetor, duke shënuar fundin e një epoke që ai vetë e kishte ndërtuar dhe përfaqësuar me një intensitet të rrallë.
Përgatiti: Albert Vataj

Foto janë marrë nga https://www.rolexmagazine.com/2019/05/mystery-solved-fidel-castro-submariner.html#/page/1
KOHA JONË SONDAZH

