Pse vrasin njerëzit? Ja si funksionon mendja e një “killeri”
Nuk është e lehtë të kuptosh mendjen e një vrasësi. Psikologët ligjorë, të cilët punojnë vite të tëra me vrasës, duke i trajtuar ata, e dinë me saktësi sesi funksionon mendja e tyre.
Dr. Kathy Charles, psikologe ligjore, thotë se rrënjët e një vrasjeje gjenden te një çrregullim i personalitetit. Pasi ka studiuar qindra raste vrasësish me profil të lartë në të gjithë botën, ajo thotë se tre prej tyre dallojnë nga të tjerët: vrasësi serial, Ted Bundy, vrasësi nga Ipswich në Londër, Steve Wright dhe mjeku britanik, Harold Shipman.
“Të gjithë këta duken si njerëz të zakonshëm, por kanë diçka të përbashkët – një personalitet psikotik që merr emocion nga vrasja. Sistemet e tyre nervore janë të ndryshme, ata nuk emocionohen nga gjërat që ngacmojnë të tjerët. Bundy dhe Wright ishin vrasës gjakpirës, të cilët besonin se nuk do të kapeshin. Por Shipman mbante pozicionin e mjekut dhe fshihej pas tij. Kur njerëzit shkonin tek ai për ndihmë, ai e shfrytëzonte këtë mundësi dhe u merrte jetën”.
Ajo vijon më tej: “Ata janë të gjithë të ftohtë, të pashpirt dhe nuk pendohen për atë që kanë bërë”.
Përsa i përket tipologjisë, ka dy tipe vrasësish: ata që të njohin dhe të panjohurit.
“Tipi më i rrezikshëm është dikush që ti e njeh, veçanërisht një ish-partner. Nëse marrëdhënia ka mbaruar dhe ndihen të refuzuar, ata fiksohen me viktimën. Prandaj psikologjia është e rëndësishme kur duhet të zbërthesh arsyen pse dikush ka kryer një krim”.
Profili i vrasësit
Vrasësit janë njerëzit më të dhunshëm dhe kur vrasin, përmbushin nevoja psikologjike. Ata mund të vrasin dhe të vjedhin, por motivacionet gjenden në kokën e tyre dhe jo në xhepat e tyre. Fakti që vrasin për arsye psikologjike e bën më të lehtë profilizimin e tyre.
Shumë vrasës duan që skenat e tyre të krimit të duken në një mënyrë të caktuar. Ata duan një tip viktime. Shpesh ata fantazojnë për mënyrën sesi vrasin. Prandaj, personaliteti i tyre “mbetet” te skena e krimit. Parimi bazë për të bërë profilin e një vrasësi është se sjellja tregon personalitetin. Ka tre pyetje që duhen bërë për të ndërtuar një profil: çfarë ndodhi, cili ishte motivi dhe pse ndodhi?
Për të filluar, nisemi nga dosja e rastit minus ndonjë informacion dyshues. Ai që bën profilin e vrasësit nuk duhet të dijë ndonjë gjë për të, para se të marrë dosjen, prandaj zakonisht ka një asistent që i skanon fillimisht rastet. Kur merret dosja, ekzaminohen të dhënat dhe pyetet çfarë ka ndodhur. A e grabiti viktimën vrasësi në shtëpi? A ishte viktima e lidhur dhe nëse po, me çfarë? Si e vrau ai atë? A e la atë në mjedis të hapur, apo e fshehu trupin?
Po ashtu, duhet parë se çfarë bëri vrasësi para se ta godiste viktimën, ndërsa ishte me të dhe pasi e kreu krimin. Kur përcaktohet ajo që ka ndodhur, shkohet te pyetja tjetër: pse? Pse hyri autori në shtëpi në mes të ditës? Pse e qëlloi 100 herë me thikë? Pse masturboi ai para saj para se ta përdhunonte? Duhet parë çdo gjë me vëmendje se çfarë ka bërë para, gjatë dhe pas krimit. Aty përcakton se pse mund të jetë kryer krimi.
Tipat e vrasësve
Pse njerëzit kryejnë krime? Megjithëse nuk mund të ketë shpjegime shteruese, mund të citojmë mjaft arsye që qëndrojnë pas vrasjeve. Siç ka tipe të ndryshme vrasësish, ka edhe motivacione të ndryshme krimesh. Mirëpo tipologjia e shpjeguar në vijim vlen për shumicën e tyre.
Njerëzit agresivë kronikë janë ata që frustrohen lehtësisht dhe kanë kontroll të varfër impulsesh. Ata e shprehin shpesh zemërimin, ose armiqësinë e tyre, refuzojnë autoritetin dhe u kundërvihen drejtuesve.
Mirëpo, ka edhe nga ata që e shprehin armiqësinë e tyre me sjellje pasivo-agresive. Besojnë se dhuna ose agresioni janë reagime legjitime ndaj problemeve të ndryshme ndërpersonale në jetë (kur dikush të provokon, ti ia kthen).
Edhe pse nuk e pranojnë kurrë, kënaqësia që marrin vjen nga shprehja e zemërimit, i bën të ndihen të gjallë, u jep pushtet. Shpesh kanë tiparet e një “kërkuesi aventurash”, u pëlqejnë sjelljet e guximshme dhe të pakujdesshme dhe priren të përdorin substanca. Tipikisht dhuna ndodh në kontekste ngacmimesh ose mosmarrëveshjesh.
Tipologjia e dytë përfshin ata që e mbikontrollojnë zemërimin. Këta lloj vrasësish rrallë e shprehin se janë të zemëruar, nuk bërtasin dhe janë emocionalisht të ngurtë. Duket sikur janë të sjellshëm, seriozë dhe esëll dhe rrallë “e humbasin”.
Po ashtu, janë striktë në interpretimin e rregullave, moralisht korrektë dhe e konsiderojnë veten “të mirë”. Ndërsa për të tjerët bëhen shpesh paragjykues, i shohin ata “jo si të mirë”.
Shpesh, pasiviteti që kanë bën që të tjerët të përfitojnë në kurriz të tyre. Mirëpo zemërimi i tyre zien si një tenxhere me presion derisa të shpërthejnë. Kur e bëjnë këtë, të tjerët shprehen kështu: “Ai dukej kaq i mirë, ishte gjithmonë kaq i qetë”.
Tipi i tretë është i lënduari, ai që ndihen se të tjerët nuk e kanë trajtuar kurrë me respekt. Kur “kalojnë”, fajësojnë gjithmonë dikë. Në sytë e tyre, të tjerët e kanë gjithçka më të lehtë. Nuk i pranojnë kritikat.
Në përgjigje të kufizimeve, krijojnë skenare hakmarrjeje, të cilat mund të rrënjosen thellë. Ata zhyten në viktimizimin e tyre dhe janë psikologjikisht impotentë. Dhuna është tregues i hakmarrjes për shkak të “impotencës” për t’u përballur me zemërimin në forma të tjera.
Vrasësi i traumatizuar përgjigjet ndaj një sulmi të vetëm ndaj identitetit të tij. Atij i ndodh diçka potencialisht fyese, e patolerueshme dhe që u heq sensin e fuqisë. Thelbi i ekzistencës (burrërisë) së tyre është se do të shkatërrohen nëse nuk reagojnë. Dhuna e tyre është e parashikueshme dhe mund të parandalohet.
Tipi i radhës është obsesivi, personi i papjekur dhe narcisoid që kërkon dëshpërimisht vëmendje dhe afeksion. Ai nuk e duron dot deprivimin e të mirave, si një foshnje që qan sepse nëna i pret ushqyerjen me gji. Kur deprimohet nga dashuria, vazhdojnë të qajnë, bëjnë thirrje telefonike të përsëritura dhe e ndjekin objektin e obsesionit deri në mendime ose akte vrasjeje. “Nëse s’mund ta kem unë, askush s’mund ta ketë”.
Në grupin e paranoidëve, mund të gjejmë disa tipa: xhelozin, të persekutuarin etj., të cilët kryejnë sjellje që i bëjnë besimet e tyre paranoide të bëhen realitet. Deluzionet mund të arrijnë në pikën ku personi çkontakton mer realitetin deri në çmenduri. I çmenduri nuk e kupton natyrën dhe cilësinë e veprimeve të veta.
Skenari më tipik: ka keqperceptime të realitetit, është i paaftë për sjellje relacionale, ka besime deluzionale që e pengojnë të kuptojë se sjellja e tyre është gabuar, ka mendime psikotike, shkruan Shekulli. Në fund gjejmë thjesht tipin “e keq dhe të zemëruar”.
Një kombinim i të gjitha tipareve të mësipërme: zemërak, hostil, xheloz, i nxehur, impotent, i çrregulluar, i tërhequr nga shoqëria, i papërshtatur në shoqëri dhe i pavlerë.