Serbia konkurron për “Oscar“ me një film në shërbim të propagandës nacionaliste serbe

Revista e njohur amerikane “Variety“ shkruan se Serbia ka konkurruar për çmimin “Oscar“ me një film që është në shërbim të plotë të propagadës nacionaliste serbe.

Kritiku njujorkez i filmit, Jay Weissberg, në një shkrim të gjatë për “Variety“, shkruan se filmi “Dara nga Jasenovci“, me regji të Predrag Antonijeviqit, është “një shembull i zhveshur i propagandës nasionaliste serbe”. Ai vëren se ky film “e përdor Holokaustin në mënyrë cinike, për të shtyrë agjendë nativiste”.

Weissberg thekson se në esencë, filmi që është nominuar nga Serbia për çmimin “Oscar”, “i hedh benzinë zjarrit të përçarjeve aktuale midis Serbisë dhe fqinjëve të saj”.

“Problemi i këtij filmin është i dyfishtë: ai është haptazi anti-kroat, është nativizëm anti-katolik i konceptuar keq, është benzinë në zjarrin e përçarjeve aktuale midis Serbisë dhe fqinjëve të saj”, shkruan Weissberg, në shkrimin me titull “Film për Holokaustin për qëllime të dyshimta”.

Weissberg vëren se krijuesit e filmit “Dara nga Jasenovci“ thonë se skenari është shkruar në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të Kampit të Jasenovcit, në Kroaci, dhe thekson se, përmes këtyre deklaratave, autorët e filmit përpiqen të fshehin nga kritika qëllimin e tyre të vërtetë.

Weissberg kujton se në Serbi nuk është xhiruar ende asnjë film artistik mbi Kampin e Jasenovcit që aq shumë përdoret nga politika serbe.

“Jasenovci zë një vend të rëndësishëm në psikologjinë e serbëve, por nuk ka qenë asnjëherë në fokus të ndonjë filmi artistik“, shkruan ai.

“Po të mos e ishte vendosur në kontekstin aktual, ‘Dara nga Jasenovci’ do të ishte vetëm një dramë mbi Holokaustin që e shfrytëzon dhunën sikurse cilido film për vrasësit serikë. Por, sfondi është i pashmangshëm, ndërsa përdorimi i Jasenovcit nga propaganda nacionaliste serbe për vajtimin e viktimave serbe ndër shekuj e shndërron filmin në propagandë“, shkruan Weissberg.

“Profesori Jovan Byford ka deklaruar mebindje të plotë se si vuajtjet e serbëve gjatë Holokaustit në një moment kanë qenë një mashtrim për ta fituar simpatinë ndërkombëtare dhe për të legjitimuar zgjerimin territorial dhe politikën raciste serbe“, shkruan ai.

“Filmi ‘Dara nga Jasenovci’ e synon pikërisht këtë“, thekson Weissberg.

SHKARKO APP