U rrëmbye kur ishte foshnje, kthehet në familjen e gabuar
Një burrë i cili thotë se ishte rrëmbyer nga spitali 55 vjet më parë kur ishte foshnje dhe pas dy vitesh ishte kthyer tek prindërit, ka zbuluar të vërtetën e hidhur. Paul Fronczak thotë se personat të cilët e kanë rritur nuk janë prindërit e tij të vërtetë.
Prindërit Dora dhe Chester i treguan atij se një ditë një grua e veshur si infemiere e rrëmbeu nga krahët e nënës në vitin 1964. Në atë kohë, infermierja i kishte thënë nënës së tij se foshnja kishte nevojë për një trajtim mjekësor dhe më pas nuk u kthye më. Shumë persona u angazhuan për gjetjen e foshnjes duke kontrolluar më shumë se 600 shtëpi, por pa sukses. Dy vjet më vonë, një djalë që përputhej me tiparet e Paul u gjet i braktisur në një qendër tregtare. Ngjarja ka ndodhur në New Jersey të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
FBI e mbylli çështjen dhe e ktheu fëmijën tek prindërit Dora dhe Chester. Sa më shumë rritej, Paul shtonte dyshimet për prindërit e tij të vërtetë. Kur u pyet për historinë mjekësore të familjes së tij, ai vendosi të zbulonte të vërtetën. Paul i bindi Dora dhe Chester që të bënin test ADN-je dhe mësoi se nuk ishin prindërit e tij biologjikë.
Tani ai ka punësuar hetues privatë për të gjetur prindërit e vërtetë dhe ka mësuar gjithashtu se është 6 muaj më i madh. Besohet se Paul dhe motra e tij ishin braktisur nga prindërit. Paul thotë se synimi i jetës së tij është të gjejë djalin biologjik të prindërve që e kanë rritur, Dora dhe Chester, si dhe motrën e tij binjake, që u zhduk në të njëjtën kohë me të.