Home Kosova Kurti: Serbia...

Kurti: Serbia të dënohet për mosnënshkrimin e marrëveshjes

73
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se faktorët ndërkombëtarë duhet ta “dënojnë” Serbinë, e cila, sipas tij, ka refuzuar që ta nënshkruajë aneksin për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes dy shteteve.

Gjatë një prononcimi për gazetarët në Prishtinë më 21 shkurt, Kurti tha se për Kosovën Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i zbatimit të saj, janë “marrëveshje”, pavarësisht se më 18 mars, Serbia nuk pranoi që ta nënshkruajë të njëjtën.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thanë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, ato e konsiderojnë atë si të tillë.

“Edhe Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për ne kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë ‘nuk nënshkruaj’, e ndërmjet takimeve thotë ‘nuk zbatoj gjë’”, tha Kurti.

“Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën, me qenë se Marrëveshja Bazë është njohje de facto. Pra, unë besoj se kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë partnerët, aleatët, miqtë tanë të vendeve demokratike në Perëndim, dhe jo vetëm, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë, të përkushtuar, e kreativ si asnjëherë”, shtoi ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare.

Në Ohër, më 18 mars, Kurti, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u pajtua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

Për këtë marrëveshje, palët ishin dakorduar në fund të shkurtit. Kjo marrëveshje, që njihet edhe si propozimi evropian, synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e raporteve.

I pyetur për kërkesën e Shteteve të Bashkuara që marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut të zbatohet menjëherë, Kurti u pajtua duke thënë se “zbatimi i kësaj marrëveshjeje duhet të fillojë qysh dje”.

BE-ja së fundmi i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës disa modele evropiane për të drejtat e komuniteteve joshumicë, nga të cilat mund të merren shembuj për themelimin e Asociacionit. Qeveria në Prishtinë ka konfirmuar se është duke i shqyrtuar ato.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe me mbështetjen e SHBA-së, që nga 2011. Kosova kërkon që në fund, marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, e Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit