1 Maji, Totozani kritikon qeverinë për kushtet skandaloze të punës
Avokati i Popullit, Igli Totozani, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majin, përshëndet të gjithë ata shqiptarë, që me kontributin e tyre të përditshëm, përkushtimin dhe dashurinë për punën ndihmojnë në progresin e shoqërisë sonë.
“Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që kjo nuk është një ditë feste, por është një ditë angazhimi për të kërkuar respektimin e të gjithë të drejtave që lidhen me punën, si të drejta themelore të njeriut. Mendimi im i parë shkon për ata punëtorë që humbën jetën në galeritë e minierave apo në ndërtim, në kushte pune skandaloze, në shkelje flagrante të kushteve të sigurisë”, shprehet Avokati I Popullit, Igli Totozani. Ai kërkon më shumë vëmendje nga autoritetet lidhur me përmirësimin e kushteve të punës e veçanërisht për sektorët më të vështirë, sikundër i bën thirrje drejtuesve të institucioneve të intensifikojnë monitorimet dhe kontrollet, si dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për të ndalur shfrytëzimin e të miturve në punë të vështira, siç është rasti i fëmijëve në Bulqizë që për shkak të varfërisë detyrohen të mbledhin krom në mal.
Totozani thekson se pavarësisht masave të marra deri tani, duhet bërë më shumë edhe për ndalimin e punës në “të zezë” apo të punës pa sigurime shoqërore e shëndetësore, fenomen ky që barasvlerëson me zero kontributin e individit, duke sjellë pasoja të rënda financiare për të ardhmen.
Sipas Avokatit të Popullit, drejtuesit e institucioneve dhe vendimmarrësit duhet të fokusojnë vëmendjen në drejtim të punësimit, e sidomos të krijimit të më shumë hapësirave për të rinjtë, të sapodiplomuarit që kanë nevojë për mbështetje dhe eksperiencë.
Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve është momenti për të kërkuar zbatimin e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, por edhe të krijimit të më shumë mundësive të trajnimit dhe përfshirjes në skemat e punësimit të grupeve vulnerabël, në mënyrë që edhe këta qytetarë të gjejnë veten përmes punës dhe të ndërtojnë të ardhme të sigurta dhe të qëndrueshme për veten dhe familjet e tyre.
Mbështetje dhe ndihmë më e madhe duhet dhënë për fuqizimin e gruas përmes punësimit, pasi mundësitë ekonomike më të mëdha për to shndërrohen edhe në një element mbrojtës nga dhuna në familje.
Një rëndësi të veçantë në këtë ditë , thekson z. Totozani, merr edhe garantimi e respektimi i marrëdhënieve korrekte në punë, në respekt të plotë të ligjit. Shkëputja e marrëdhënieve të punës në mënyrë të padrejtë, përbën shkelje të të drejtave të njeriut, por është edhe abuzim me detyrën. Ajo sjell pasoja mbi çdo individ, të cilat reflektohen më gjerë në familje dhe shoqëri.
Avokati i Popullit, Igli Totozani, nxit dhe inkurajon frymën qytetare, shoqërinë civile si dhe çdo individ që të mos ketë frikë të kërkojë të drejtat që I takojnë dhe të denoncoj çdo rast abuzimi, dhune apo shkelje të ligjit.
“Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve mbetet një moment frymëzimi për të gjithë, për të treguar guxim dhe vendosmëri në kërkesat për respektimin e të drejtës së punës, e të drejtës për një jetë më të mirë”, shprehet Avokati i Popullit, Igli Totozani.