
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka ngritur akuza ndaj qeverisë së Edi Ramës për mënyrën se si janë trajtuar protestuesit dhe gazetarët gjatë protestave të fundit në vend. Ajo ka kërkuar që ministri i Brendshëm të paraqitet në Kuvend për të raportuar mbi veprimet e policisë dhe pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut. Tabaku deklaron se rreth 1 mijë persona janë shoqëruar ose arrestuar gjatë protestave, mes tyre 250 të mitur. Sipas saj, 47 gazetarë janë dhunuar, kërcënuar apo intimiduar në 43 raste që ajo ia atribuon policisë.
“Parlamenti nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ne nuk ekzistojmë në parlament vetëm për të miratuar ligje rutinë”, u shpreh Tabaku, duke kritikuar mungesën e llogaridhënies institucionale. Deputetja demokrate tha se ka vizituar komisariate, ambiente paraburgimi dhe spitale për të parë nga afër situatën e personave të ndaluar. Ajo pretendoi se ka konstatuar raste dhune dhe se disa prindër nuk kanë ditur për ditë të tëra se ku ndodheshin fëmijët e tyre.
Tabaku kundërshtoi gjithashtu paketën e re të masave për tubimet, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të kufizuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Ajo paralajmëroi se ndryshimet do të kundërshtohen në Gjykatën Kushtetuese nëse miratohen në Kuvend.
“Sapo të vijnë në parlament, do të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi ajo. Duke komentuar situatën politike në vend, Tabaku akuzoi kryeministrin Edi Rama se po pengon zhvillimin e Shqipërisë dhe kritikoi përqendrimin e pushtetit, situatën e medias dhe luftën kundër korrupsionit. “Këtu po shkojmë drejt një autokracie. Ka përqendrim pushteti, sulmohet media, nuk lejohet tubimi dhe cenohen të drejtat e njeriut”, u shpreh deputetja. Ajo theksoi se protestat shprehin pakënaqësinë e qytetarëve ndaj sistemit politik dhe se opozita duhet të reflektojë për alternativën që u ofron shqiptarëve.
